Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) ka reaguar lidhur me arrestimin e dy drejtorëve të shkollave serbe në Kamenicë, duke pretenduar se bëhet fjalë për një veprim politik dhe për hakmarrje nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri Nenad Rashiq për shkak të rezultateve zgjedhore.
“Ky veprim përfaqëson hakmarrje nga regjimi i Albin Kurtit për rezultatin e shkëlqyer të Listës Serbe në zgjedhjet e së dielës dhe, në veçanti, për rezultatin e dobët të të preferuarit të Kurtit, Rashiq, në Kamenicë, qëllimi i vetëm politik i të cilit është dëbimi, arrestimi dhe frikësimi i serbëve të ndershëm që nuk janë detyruar dhe nuk mund të detyrohen të punojnë dhe të votojnë për ta”, thuhet ndër të tjera në reagimin e publikuar nga kjo zyrë.

Çka dihet për këtë rast?
Pas verifikimi të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi nga kjo zyrë është i pasaktë.
Fillimisht, kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, njoftoi përmes llogarisë së tij zyrtare në Facebook se dy drejtorët janë arrestuar në kuadër të një aksioni institucional dhe se ndaj tyre ekzistojnë dyshime për kryerje të veprave penale. Ai tha se bëhet fjalë për drejtorë të shkollave të sistemit paralel serb.
Pjesë nga njoftimi i Rahimajt:
Pas një pune intensive, është përmbyllur me sukses një aksion i ndërmarrë nga institucionet tona ndaj individëve të caktuar, të cilët për një periudhë të gjatë kanë vështirësuar punën e institucioneve tona lokale dhe kanë shqetësuar komunitetin.
Në një nga aksionet më të rëndësishme të viteve të fundit në Kamenicë, janë bastisur shtëpitë e lokale dhe më pas janë arrestuar drejtorët e shkollave të sistemit paralel serb, N.V. dhe D.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale.
Më pas, edhe Policia e Kosovës e përfshiu rastin në raportin e saj 24-orësh, duke bërë të ditur se të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Asgjësim apo fshehje e materialit arkivor”.

Përveç ZKQS-së, reagoi edhe subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe, që e cilësoi aksionin si të motivuar politikisht dhe si presion ndaj personave që, sipas saj, kishin denoncuar parregullsi të pretenduara zgjedhore (shih këtu).
Megjithatë, bazuar në informacionet zyrtare të publikuara nga Policia e Kosovës, arrestimi i dy drejtorëve nuk është paraqitur si i lidhur me procesin zgjedhor apo me motive politike. Autoritetet kanë bërë të ditur se veprimi është ndërmarrë në kuadër të hetimeve për dyshime për vepra penale konkrete.
Më 7 qershor, Kosova organizoi zgjedhjet parlamentare. Nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, sipas rezultateve preliminare projektohen 9 ulëse të fituara nga Lista Serbe dhe një nga partia e Rashiqit (shih këtu).
Analiza
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) dhe Lista Serbe pretenduan se arrestimi i dy drejtorëve të shkollave serbe në Kamenicë ishte i motivuar politikisht dhe lidhej me rezultatin e zgjedhjeve.
Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, ata u arrestuan nën dyshimin për veprat penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor”.
Informacionet zyrtare nuk tregojnë ndonjë lidhje mes arrestimit dhe procesit zgjedhor, prandaj pretendimet e ZKQS-së dhe Listës Serbe nuk mbështeten nga faktet e publikuara deri më tani.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson pretendimet e ZKQS-së dhe Listës Serbe si “teori konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.