Video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, të maskuara si raportime mediatike autentike, kanë nisur të qarkullojnë masivisht në rrjetet sociale në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë. Përmes përdorimit të teknikave “deepfake”, këto materiale simulojnë intervista reale me qytetarë, duke përdorur logo mediash, ambiente publike dhe audio sintetike për të krijuar përshtypjen e autenticitetit.
Përmbajtje të tilla janë shpërndarë nga faqe në Facebook si “Gazeta Bota” dhe “Peja LIVE”, ku në disa raste personazhe të gjeneruara nga IA shfaqen duke bërë deklarata politike për figura dhe zhvillime zgjedhore në Kosovë. Edhe pse videot në pamje të parë duken si kronika televizive apo Vox Pop-e të zakonshme, analiza e elementeve vizuale dhe audios tregon se ato janë të fabrikuara.
Këto materiale përdorin audio dhe pamje sintetike, duke simuluar mikrofonë të mediave reale, ambiente publike dhe deklarata politike, me qëllim që të duken si raportime të besueshme televizive.
Intervista e rreme me logon e “Ekonomia Online”
Një nga videot e publikuara nga faqja “Gazeta Bota” më 13 maj, shfaq një grua me pallto të zezë duke folur në një shesh ku në sfond shihet mbishkrimi “PRISHTINA”. Në video dëgjohet deklarata:
“Albini më 7 Qershor jau kallxon venin ktyne. Digitron osht për opozitën, Vjosen prej 8 Qershorit e keni në Debat Plus analiste”.

Megjithatë, analiza vizuale tregon se videoja është e gjeneruar artificialisht. Në mikrofon është vendosur logoja e agjencisë “Ekonomia Online”, ndërsa elemente të tjera të sfondit nuk përputhen me lokacionin real. Sinkronizimi i buzëve dhe lëvizjet e fytyrës shfaqin karakteristika tipike të përmbajtjeve “deepfake”.
Ky material manipulues ka korrur një audiencë të gjerë duke arritur mbi 8.4 mijë pëlqime, 908 komente dhe 424 shpërndarje, gjë që tregon shpejtësinë me të cilën përhapet.
“Zyrtarja” e rreme në Aeroportin e Prishtinës
Një tjetër video e shpërndarë nga faqja “Peja LIVE” më 14 maj, paraqet një grua të veshur si zyrtare, e ulur pas një tavoline me logon “Prishtina Airport”, ndërsa përballë saj shihet një mikrofon me logon e RTK-së.

Në video pretendohet se presidentja Vjosa Osmani “pas 7 qershorit do të punojë si analiste”. Megjithatë, materiali përmban elemente të dukshme të gjeneruara nga IA, përfshirë lëvizjet jo natyrale të fytyrës dhe mospërputhjet vizuale në ambient.
Videoja ka arritur të grumbullojë 1.2 mijë pëlqime, 178 komente dhe 179 shpërndarje brenda një kohe të shkurtër, duke lënë hapësirë që një pjesë e konsiderueshme e audiencës që e ka marrë përmbajtjen si të mirëqenë të manipulohet.
Intervista e fabrikuar në shesh
Një video tjetër, po ashtu e publikuar nga “Peja LIVE”, më 15 maj, mban titullin: “Habit Qytetarja: Ja kush do t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë!”.

Në këtë material shfaqet një grua duke folur para një mikrofoni me logon e RTK-së, ndërsa në sfond shihet shtatorja e Skënderbeut në Prishtinë. Personazhi i gjeneruar nga IA deklaron se zgjedhjet do t’i fitojë Albin Kurti.
Pamjet përmbajnë shenja të zakonshme të manipulimit me IA, si sinkronizim jo i saktë i buzëve, mimikë e ngrirë dhe lëvizje jo natyrale të fytyrës.
Kjo video ka arritur 1.8 mijë pëlqime, 215 komente dhe 177 shpërndarje, duke dëshmuar rritjen e frikshme të vëmendjes dhe klikimeve që marrin këto deepfakes paraelektoralë.
Pse përbëjnë rrezik këto përmbajtje?
Të tilla video janë problematike, sepse kanë potencial të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e publikut, të përhapin informacione të pasakta dhe të shërbejnë si instrumente për manipulim në sferën politike dhe shoqërore.
Një nga elementet kryesore të manipulimit është përdorimi i logove të mediave reale në mikrofonë ose në grafika vizuale. Emra mediash si RTK apo “Ekonomia Online” përdoren për t’i dhënë videos një pamje profesionale dhe për të krijuar përshtypjen se materiali është prodhuar nga redaksi reale.
Publiku ka tendencë t’u besojë elementeve vizuale që lidhen me gazetarinë profesionale, duke e bërë më të lehtë përhapjen e përmbajtjeve mashtruese.
Faqet që i publikojnë materiale të tilla shpesh nuk kanë redaksi të identifikueshme, nuk publikojnë informacione mbi autorësinë dhe nuk tregojnë se kush qëndron prapa administrimit të tyre. Në shumë raste, përdoruesit konsumojnë përmbajtjen pa verifikuar burimin origjinal apo autenticitetin e videos.
Kjo situatë rrezikon të dëmtojë besimin në mediat profesionale dhe të krijojë konfuzion informativ gjatë fushatave zgjedhore.
Në prag të zgjedhjeve, qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj videove sensacionale në rrjetet sociale, të verifikojnë nëse intervistat publikohen edhe në faqet zyrtare të mediave përkatëse dhe të mos mbështeten vetëm në logot apo pamjen profesionale të materialeve që qarkullojnë online.