Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të… Të fundit | Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin g… Të fundit | Dhjetë burime që hedhin poshtë teoritë konspirative për 11 Shtatorin Të fundit | Vazhdon narrativa ruso-serbe për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova Të fundit | Mihali nuk ka bërë krahasimin mes Listës Serbe dhe nënkryetarëve të PDK-së… Të fundit | Kur temat sociale bëhen karrem për klikime Të fundit | Mbishkrimet nuk e tregojnë se vendimi për këto shtesa është marrë në Greqi Të fundit | Stërvitjet e KFOR-it paraqiten pabazë si përgatitje për trazira në Kosovë Të fundit | Nuk është e vërtetë se nga 7 shtatori shtetasit e Shqipërisë duhet të kenë…
[ ARTIKULLI ]

Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin gjyqësor ndaj Thaçit

ETRIT REXHEPI

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në deklarimet e tij të fundit, ka promovuar narrativa të ndryshme lidhur me aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë. Fillimisht, ai pretendoi se Thaçi do të lirohej nga akuzat për krime lufte dhe do të dënohej vetëm për akuzat që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë. Disa ditë më vonë, megjithatë, Vuçiq ndryshoi versionin e tij, duke pretenduar se kishte marrë informacione të reja sipas të cilave Thaçi mund të përballej me një dënim të rëndë. Të dyja deklaratat u paraqitën si parashikime të bazuara në informacione që Vuçiq pretendon se i ka marrë nga burime të paidentifikuara.

Thaçi paraqitet fillimisht si i pafajshëm për akuzat kryesore, por i dënuar për pengim të drejtësisë

Në deklaratën e parë (28 gusht), Vuçiq pretendoi se Hashim Thaçi do të lirohej nga akuzat për krime lufte, ndërsa do të dënohej për akuzat që lidhen me ndërhyrjen në administrimin e drejtësisë (shih këtu).

Përmes kësaj deklarate, Vuçiq paraqiti si të paracaktuar një rezultat të procesit gjyqësor që ende nuk kishte përfunduar. Në këtë version të narrativës, Thaçi nuk do të shpallej fajtor për akuzat kryesore të aktakuzës, por do të përballej me një dënim për vepra që lidhen me ndikimin në procesin e drejtësisë.

Deklarata u shoqërua me një pretendim se Vuçiq kishte njohuri mbi rezultatin e mundshëm të procesit, megjithëse vendimi ende nuk ishte bërë publik. Në këtë mënyrë, ai nuk e paraqiti deklaratën thjesht si një mendim personal, por si një parashikim të mbështetur në informacion që pretendonte se e kishte në dispozicion.

Narrativa ndryshon: Thaçi mund të marrë një “dënim të rëndë”

Në deklarimin e të shtunës (12 shtator), Vuçiq paraqiti një tjetër version për rezultatin e mundshëm të procesit. Ai pretendoi se gjatë qëndrimit në Paris kishte marrë “informacione” të reja dhe se, sipas tyre, Thaçi mund të merrte një dënim të rëndë (shih këtu).

“Para 15 ditësh mora informacion se ai do të dënohej me një masë që mbulon kohën e paraburgimit; këtë e mora nga shërbimet tona. Tani, kur isha në Paris dhe bisedoja me disa liderë evropianë e botërorë, mora disa sinjale të ndryshme. Pas katër ditësh do të shohim se kush ka të drejtë”, pretendoi Vuçiq.

Kjo deklaratë paraqet një ndryshim të dukshëm nga narrativa e mëparshme. Në vend të një dënimi të kufizuar vetëm te akuzat për pengim të drejtësisë, Vuçiq tashmë lë të hapur mundësinë e një dënimi të rëndë për Thaçin.

Ndryshe nga deklarata e parë, ku Vuçiq e paraqiti si të mundshëm lirimin e Thaçit nga akuzat kryesore, në deklaratën e dytë ai e lidh rezultatin e mundshëm me “informacione” të reja të marra nga burime që nuk i identifikon.

Parashikime kontradiktore dhe burime të paidentifikuara

Dy deklaratat e Vuçiqit ndërtojnë dy narrativa të ndryshme për të njëjtin proces gjyqësor. Në të parën, ai parashikon lirimin e Thaçit nga akuzat për krime lufte dhe një dënim vetëm për pengim të drejtësisë. Në të dytën, ai paralajmëron mundësinë e një dënimi të rëndë.

Elementi i përbashkët i të dyja narrativave është pretendimi se Vuçiq disponon informacione mbi rezultatin e procesit para shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, ai nuk identifikon burimet nga të cilat i ka marrë këto informacione dhe as nuk paraqet prova që do ta mbështesnin një parashikim të tillë.

Në këtë mënyrë, deklaratat e tij krijojnë përshtypjen se rezultati i procesit gjyqësor është i njohur ose i parashikueshëm përmes burimeve jashtë Gjykatës, edhe pse vendimi zyrtar i takon trupit gjykues në Hagë.

Në vend që të mbetet në një qëndrim të vetëm, narrativa e Vuçiqit ndryshon nga një parashikim për një dënim të kufizuar në një paralajmërim për një dënim të rëndë. Kjo e bën kontradiktën mes deklaratave elementin kryesor të trajtimit, veçanërisht pasi të dyja versionet janë paraqitur pa burime të verifikueshme.

Këto deklarata duhet të dallohen nga vetë aktgjykimi i Gjykatës Speciale, pasi parashikimet e Vuçiqit nuk përbëjnë njoftime zyrtare për rezultatin e procesit gjyqësor.

Aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të shpallet më 16 shtator

Sot (12 shtator), në Prishtinë, është mbajtur protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Protestuesit kanë shprehur mbështetje për të akuzuarit dhe kundërshtim ndaj procesit gjyqësor në Hagë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se aktgjykimi në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00. Sipas njoftimit zyrtar, Trupi Gjykues e ka caktuar këtë datë duke marrë parasysh vëllimin e provave dhe kompleksitetin e procesit gjyqësor, si dhe nevojën për një vlerësim të plotë dhe të arsyetuar të provave (shih këtu).

Të katër të akuzuarit përballen me akuza individuale për gjashtë vepra penale të krimeve kundër njerëzimit – përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë – si dhe katër akuza për krime lufte, përfshirë arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm dhe arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.

Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara kanë ndodhur ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë së Veriut. Prokuroria pretendon se ato janë kryer ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj personave të dyshuar se kundërshtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Procesi gjyqësor ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa procedurat e provave janë mbyllur më 18 dhjetor 2025. Në gjykim kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, ndërsa deklaratat përmbyllëse janë mbajtur nga 9 deri më 18 shkurt 2026. Aktgjykimi i 16 shtatorit do të përcaktojë rezultatin e procesit gjyqësor ndaj katër të akuzuarve.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere