“Marrëveshja Historike Kosovë Izrael 1000 ushtarë izraelitë do të ruajnë veriun e Kosovës” është mbishkrimi i vendosur në një video të llogarisë “fejaislame” në TikTok.
Publikimi u bë të shtunën (4 korrik 2026). Pretendimi është shfaqur në dy video të njëjta, të publikuara njëra pas tjetrës, që bashkë kanë marrë mbi 300 mijë shikime (shih këtu dhe këtu).
Faktet:
Informata për marrëveshje të tillë nuk mund të hasen as në njoftimet zyrtare të të dyja shteteve e as në media kredibile, qoftë vendore apo ndërkombëtare.
Kërkimi në “Google” me fjalët “1000 ushtarë izraelitë në veri të Kosovës” nuk çon në ndonjë burim zyrtar apo raportim kredibil mbi këtë pretendim.
Po ashtu, një kërkim në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës me “Izrael” nuk çon në njoftim me pretendimin se “1000 ushtarë izraelitë do të ruajnë veriun e Kosovës”. Ngjashëm as në uebfaqen e MPJ-së së Izraelit për Kosovën (shih këtu).
Hibrid.info e ka gjetur publikimin zyrtar të videos në fjalë. Në pamje shfaqen ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ish-ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, gjatë vizitës që zyrtarja kosovare e pati në maj të 2022-s në Izrael (shih këtu). Në njoftimin në Facebook të 9 majit 2022, nuk ishte përmendur ndonjë marrëveshje specifike për sjelljen e 1 mijë ushtarëve izraelitë në Kosovë (shih këtu).
Gërvalla në këtë vizitë pati dhënë edhe intervista për mediat në Izrael. Në asnjërën nuk u përmend kjo çështje (shih këtu dhe këtu).
Siguria në veri dhe raportet Kosovë-Izrael
NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut) është aleancë ndërkombëtare politike dhe ushtarake e përbërë nga 32 shtete anëtare nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Qëllimi i saj kryesor është të garantojë lirinë dhe sigurinë e vendeve anëtare përmes mjeteve politike dhe ushtarake. Në Kosovë, që nga fundi i luftës me Serbinë ajo operon përmes misionit të KFOR-it me qëllim sigurie. Izraeli nuk është pjesë e NATO-s (shih këtu).
Izraeli u dakordua ta njihte Kosovën si shtet, më 4 shtator 2020, si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit. Raportet diplomatike u themeluan më 1 shkurt 2021. Më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën në Jerusalem (shih këtu).
Analiza:
Në TikTok ka qarkulluar një video me pretendimin për marrëveshje që 1 mijë ushtarë izraelitë do të ruajnë veriun e Kosovës.
Nuk ka njoftim zyrtar apo burim kredibil që e konfirmon këtë pretendim. Pamjet në video janë të vizitës së ish-ministres së Jashtme të Kosovës nga viti 2022. Aty nuk ishte përmendur ndonjë çështje si në pretendim.
NATO-ja ka mision sigurie në Kosovë, përmes KFOR-it. E Izraeli s’është pjesë e NATO-s.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.