Të fundit | Deklarata e vjetër e Musliut mundohet të paraqitet si reagim pas vendimit n… Të fundit | Vrasja e Xhemail Mustafës paraqitet rrejshëm si pjesë e aktgjykimit të Hagë… Të fundit | Bosnitch shtrembëron faktet për sulmet e autobusëve në Kosovë më 1999 dhe 2… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Kurti ka pranuar që Thaçi të bëhet president nëse l… Të fundit | Pretendim i pakonfirmuar se gjashtë futbollistë të tjerë do ta bojkotojnë K… Të fundit | Pretendohet pa bazë se vetëm dy nga ish-krerët e UÇK-së do të lirohen më 16… Të fundit | Deklarata e vjetër e avokatit të Thaçit paraqitet rrejshëm si “lajmi i fund… Të fundit | Çka dihet për pretendimin se mjete ushtarake serbe po lëvizin drejt kufirit… Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të…
[ ARTIKULLI ]

Bosnitch shtrembëron faktet për sulmet e autobusëve në Kosovë më 1999 dhe 2001

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

MANIPULIM I FAKTEVE

Pretendimet e John Bosnitch për dy sulme ndaj autobusëve në Kosovë nuk përputhen me faktet dhe dokumentimin e burimeve.

Përmes një postimi në Facebook, të publikuar më 16 shtator, John Bosnitch, gazetar dhe aktivist kanadezo-serb, i njohur për qëndrimet e tij kundër pavarësisë së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s, ka publikuar pretendime lidhur me dy sulme ndaj autobusëve në Kosovë, të ndodhura në vitet 1999 dhe 2001.

Në përshkrimin e postimit, Bosnitch shkruan:

“Shefat e CIA-s të terroristëve të dënuar ecin të lirë, si gjithmonë. Shërbëtorët e tyre përfundojnë në burg, ndërsa ata gjejnë kriminelë të rinj për t’i kryer veprat e tyre të pista! CIA është një komplot i përbashkët kriminal!”

Në postim janë publikuar edhe fotografi të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimeve me zyrtarë dhe politikanë të huaj.

Përveç këtij përshkrimi, në të njëjtin publikim Bosnitch paraqet edhe dy pretendime lidhur me sulmet ndaj autobusëve në Lluzhan më 1999 dhe në Livadicë më 2001, duke i lidhur këto ngjarje me NATO-n (shih fotografinë më poshtë).


Pretendimi i parë

Bosnitch pretendon se më 1 maj 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, një raketë goditi një autobus civil në Lluzhan të Kosovës, duke vrarë “60 burra, gra dhe fëmijë serbë”. Ai gjithashtu pretendon se për këtë rast nuk është ngritur asnjë aktakuzë për “terrorizëm”.

Faktet

Sulmi ndaj autobusit në Lluzhan më 1 maj 1999 ka ndodhur gjatë fushatës ajrore të NATO-s. NATO-ja e kishte pranuar se një autobus ishte goditur gjatë një sulmi ndaj urës mbi lumin Llap, duke argumentuar se ura ishte objektivi i goditjes (shih këtu).

Megjithatë, pretendimi se viktimat ishin 60 serbë nuk përputhet me të dhënat e Radio Evropa e Lirë. Në një artikull të vitit 2021, REL shkruan se në këtë incident u vranë 44 persona, prej tyre 31 shqiptarë dhe 13 serbë (shih këtu).

Edhe Human Rights Watch e ka dokumentuar incidentin, duke regjistruar 39 civilë të vrarë në sulmin ndaj autobusit. Shifrat ndryshojnë ndërmjet burimeve, por ato nuk mbështesin pretendimin e Bosnitch-it se 60 serbë u vranë në këtë incident (shih këtu).

Bosnitch pretendon gjithashtu se “askush nuk është akuzuar” për këtë sulm. Nga burimet e konsultuara nuk rezulton se ndonjë person është akuzuar penalisht për “terrorizëm” lidhur me sulmin në Luzanë. Megjithatë, incidenti është dokumentuar dhe është shqyrtuar në kuadër të raporteve ndërkombëtare për viktimat civile të fushatës ajrore të NATO-s (shih këtu).


Pretendimi i dytë

Bosnitch pretendon se më 16 shkurt 2001, “terroristë islamikë shqiptarë, të mbështetur nga NATO”, bombarduan një autobus në Kosovë, duke vrarë 12 dhe plagosur 40 serbë. Ai pretendon gjithashtu se për këtë sulm nuk është akuzuar askush.

Faktet

Më 16 shkurt 2001, një autobus, i cili transportonte civilë serbë nga Kosova drejt Serbisë, u sulmua pranë Livadicës, në komunën e Podujevës. Autobusi ishte nën përcjelljen e KFOR-it kur një mjet shpërthyes i vendosur pranë rrugës shpërtheu gjatë kalimit të tij (shih këtu).

Pra, bëhet fjalë për një sulm me eksploziv në tokë dhe jo për një bombardim të NATO-s. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2001 gjithashtu e përshkruan sulmin si shpërthim të një pajisjeje eksplozive pranë rrugës, ndërsa autobusi ishte nën përcjelljen e KFOR-it (shih këtu).

Për këtë sulm u ndoq penalisht Florim Ejupi. Në vitin 2008, një trup gjykues ndërkombëtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë e shpalli fajtor për terrorizëm dhe e dënoi me 40 vjet burgim (shih këtu).

Megjithatë, në vitin 2009, Gjykata Supreme e Kosovës e rrëzoi dënimin dhe e liroi Ejupin, duke vlerësuar se provat nuk ishin të mjaftueshme. EULEX-i ka dokumentuar më pas edhe çështjet që lidhen me provat e përdorura në rast (shih këtu).

Edhe numri i viktimave i paraqitur nga Bosnitch ndryshon nga burimet. Humanitarian Law Center dokumenton 11 persona të vrarë dhe 46 të plagosur në këtë sulm (shih këtu).

Nuk ka dëshmi në këto burime se sulmi është kryer me mbështetjen e NATO-s. Përkundrazi, burimet dokumentojnë se autobusi ishte nën përcjelljen e KFOR-it, ndërsa NATO-ja e dënoi publikisht sulmin.


Çka nuk shkon me pretendimet?

Pretendimet e Bosnitch-it ndërthurin dy ngjarje reale, por paraqesin në mënyrë të pasaktë autorësinë, numrin dhe përkatësinë e viktimave.

Në rastin e Lluzhanit, NATO-ja e pranoi se autobusi ishte goditur gjatë një sulmi ajror ndaj urës, por pretendimi se u vranë 60 serbë nuk përputhet me dokumentimin e burimeve të cituara. Sipas REL-it, viktimat ishin 31 shqiptarë dhe 13 serbë.

Në rastin e Livadicës, sulmi ishte kryer me një eksploziv të vendosur pranë rrugës dhe jo nga një bombardim i NATO-s. Për këtë rast, një person ishte gjykuar dhe dënuar fillimisht për terrorizëm, para se dënimi të rrëzohej nga Gjykata Supreme për shkak të pamjaftueshmërisë së provave.


Kush është John Bosnitch?

John Bosnitch është gazetar dhe aktivist kanadezo-serb. Ai është angazhuar publikisht në çështje që lidhen me komunitetin serb dhe ka shprehur qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Në biografinë e tij publike, Bosnitch e përshkruan veten si një nga zërat që ka kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s dhe shkëputjen e Kosovës nga Serbia (shih këtu).


Analiza

John Bosnitch paraqet dy sulme ndaj autobusëve në Kosovë (1999, 2001) si sulme të lidhura me NATO-n, por faktet tregojnë ndryshe.

Në Lluzhan, autobusi u godit gjatë një sulmi ajror të NATO-s ndaj një ure, por viktimat nuk ishin 60 serbë. Sipas raportimeve u vranë 31 shqiptarë dhe 13 serbë. Ndërsa në Livadicë, autobusi u sulmua me eksploziv ndërsa ishte nën përcjelljen e KFOR-it dhe për rastin u gjykua Florim Ejupi, i cili më vonë u lirua për mungesë provash.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere