Të fundit | Publikohet Exit Poll i rremë duke keqpërdorur emrin e një kompanie franceze Të fundit | Pretendim i rremë për heqjen e monumentit të “Car Llazarit” pas zgjedhjeve Të fundit | Sondazh i rremë me emër të një organizate që figuron pasive në ARBK Të fundit | Deklaratë e pavërtetë që i atribuohet zyrtares amerikane për zgjedhjet në K… Të fundit | Inteligjenca artificiale në fushatat politike: mes ilustrimit të premtimeve… Të fundit | Videoja e lidhur me zgjedhjet, e gjeneruar me IA Të fundit | Me video të dhjetorit manipulohet për ardhjen e diasporës për zgjedhjet e 7… Të fundit | Imazhi me pankartën për Kurtin nga protestat në Tiranë është i gjeneruar me… Të fundit | Petkoviq konspiron për favorizim të Rashiqit në rastin e arrestimit në fsha… Të fundit | Analizë e thirrjeve politike nga Vuçiq dhe Petkoviq për votim në favor të L…
[ ARTIKULLI ]

Deklaratë e pavërtetë që i atribuohet zyrtares amerikane për zgjedhjet në Kosovë

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Deklaratë e rreme e atribuuar një zyrtareje amerikane, e cila nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar.

Një faqe në Facebook ka publikuar më 5 qershor një postim ku pretendohet se e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka bërë një deklaratë lidhur me zgjedhjet e 7 qershorit.

postim thuhet se Prattipati ka përcjellë një mesazh të SHBA-së për zgjedhjet, duke cituar deklaratën: “Ose votoni për me qenë me Amerikën, ose votoni që të vazhdoni me Rusinë”.

E vërteta?

Pas verfikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Prattipati nuk e ka bërë një deklaratë të tillë.


FAKTET

Pas kërkimit në Google me fjalët kyçe “Prattipati: Ose votoni për me qenë me Amerikën, ose votoni që të vazhdoni me Rusinë”, rezultatet nuk shfaqin asnjë informacion lidhur me këtë deklaratë, të publikuar në media apo burime kredibile (shih këtu).

Hibrid.info gjeti se Prattipati, me datë 4 qershor, në një opinion për mediat kosovare, i bëri thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin. Qëndrimi i saj i plotë është publikuar nga portali “Klankosova.tv”. (shih këtu).


Më poshtë mund të lexoni qëndrimin e plotë të Prattipati, të publikuar nga “klankosova.tv”

Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në katër vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje, që shënon rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.

Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën. Gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji, do të plotësonte burimet e brendshme energjetike të Kosovës dhe do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.

I Dërguari i Posaçëm i Departamentit të Energjisë së ShBA-së për Integrimin Energjetik, z. Xhoshua Volz, rishtazi shpjegoi: „Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane… dhe Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.

Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare, e llojllojshmëria e burimeve energjetike përmes gazit natyror është thelbësore për arritjen e të ardhmes së sigurt. Centralet elektrike me gaz natyror ofrojnë aftësinë për të përmbushur më mirë rritjen e kërkesës dhe për të stabilizuar çmimet gjatë periudhave të pikut. Zgjerimi i prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike përtej kërkesës së vendit do të përmirësonte pavarësinë energjetike dhe do t’i mbronte konsumatorët nga lëvizjet e papritura të çmimeve.

Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

Lidhja me një projekt gazsjellësi tashmë të planifikuar do të shkurtonte afatin kohor dhe do të ulte shpenzimet. Gjithashtu, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese. Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen.

Kosova tani përballet me një zgjedhje të rëndësishme strategjike. Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu.


Në asnjë pjesë të këtij opinioni Prattipati nuk flet për zgjedhjet e 7 qershorit dhe as nuk shpreh qëndrime që lidhen me votimin apo mbështetjen për ndonjë subjekt politik.                                         


Analiza

Një faqe në Facebook ka pretenduar se e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin mes Amerikës dhe Rusisë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se kjo deklaratë është e sajuar dhe nuk është bërë nga Prattipati. Kërkimet në burime dhe media kredibile nuk gjejnë asnjë gjurmë të një deklarate të tillë. Deklarata e vetme e publikuar nga Prattipati më 4 qershor lidhej me thirrjen që Kosova t’i bashkohet një projekti amerikan për gazin, pa asnjë referencë ndaj zgjedhjeve parlamentare.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e publikuar në Facebook si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere