Shpallja e aktgjykimit më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, u pasua nga raportime, komente, vlerësime, interpretime dhe keqinformata.
Duke qenë se procesi gjyqësor ka disa vite që është pjesë e hapësirës informative, periudha para, gjatë dhe pas shpalljes së aktgjykimit u karakterizua edhe nga publikimi i përmbajtjeve që rikthenin deklarata të mëhershme të akterëve politikë dhe opinionistëve lidhur me Gjykatën Speciale.
Fjalime të mëhershme në Kuvendin e Kosovës, votime parlamentare, deklarime publike dhe statuse të vjetra në rrjete sociale ishin ndër përmbajtjet që u rikthyen në vëmendjen publike. Shumë prej tyre paraqiteshin si kundërthënëse me qëndrimet aktuale të akterëve, në kontekstin para dhe pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara.
Deklaratat e vjetra në hapësirën informative
Ndër përmbajtjet e rikthyera ishin imazhet me listën e deputetëve që kishin votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, një deklarim i kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, ku përmendte njërin prej viktimave në rastin për të cilin Hashim Thaçi u shpall fajtor, deklarata e ministres Donika Gërvalla se do të dërgonte dëshmi në Gjykatë, si dhe statuse të mëhershme të opinionistëve Adriatik Kelmendi, Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi (shih këtu, këtu dhe këtu).
Këto përmbajtje u rikthyen në vëmendjen publike për të vënë në pah qëndrimet e mëhershme të politikanëve dhe opinionistëve ndaj Gjykatës Speciale, duke i krahasuar ato me zhvillimet dhe qëndrimet e shfaqura pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë. Përmes tyre, rikujtoheshin deklarimet e mëhershme të këtyre akterëve për themelimin dhe punën e Gjykatës, duke vënë në pah mospërputhjet e mundshme me qëndrimet e tyre aktuale.
Por pse rikthehen dhe publikohen deklarata të tilla të mëhershme?
Rikthimi i deklaratave të mëhershme për të vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e qëndrimeve politike
Përmbajtje të tilla mund të publikohen kryesisht për të krahasuar qëndrimet e mëhershme të një politikani me ato aktuale dhe për të vënë në pikëpyetje konsistencën e tij.
Sipas metodologjisë së Hibrid.info, vlerësimi i qëndrueshmërisë bëhet duke krahasuar pikëpamjet aktuale të akterëve politikë me ato që kanë deklaruar më parë publikisht. Nëse qëndrimet për një çështje nuk ndryshojnë gjatë angazhimit publik të personit të monitoruar, deklaratat e tilla vlerësohen si të qëndrueshme. Ndërsa, nëse ka pasur ndryshim të rëndësishëm të qëndrimeve, ato vlerësohen si të paqëndrueshme.
Ky krahasim mund ta ndihmojë publikun të kuptojë se si kanë evoluar qëndrimet e një politikani për një çështje të caktuar dhe nëse ato kanë mbetur të njëjta apo kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Në këtë kuptim, rikthimi i deklarimeve të mëhershme për të krahasuar qëndrimet aktuale të politikanëve është një praktikë legjitime dhe e rëndësishme për llogaridhënien publike. Megjithatë, ky krahasim duhet të marrë parasysh kontekstin në të cilin janë dhënë deklaratat dhe arsyet e mundshme për ndryshimin e qëndrimeve.
Kur rikthimi i deklaratave mund të krijojë perceptim të shtrembëruar
Rikthimi i deklaratave të mëhershme mund të bëhet keqinformues kur ato paraqiten jashtë kontekstit në të cilin janë dhënë, duke lënë jashtë rrethana të rëndësishme ose duke krijuar përshtypjen se një qëndrim i mëhershëm përfaqëson domosdoshmërisht edhe qëndrimin aktual të një personi (shih këtu).
Po ashtu, krahasimi mund të jetë i pasaktë nëse deklaratat që u referohen çështjeve të ndryshme paraqiten si kundërthënëse, pa u sqaruar dallimet mes tyre.
Një element tjetër që duhet marrë parasysh është përsëritja e shpeshtë e deklaratave të vjetra që paraqiten si kundërthënëse me qëndrimet aktuale të një personi, veçanërisht kur ato publikohen nga faqe dhe llogari që mbështesin kundërshtarët e tij politikë dhe publikojnë përmbajtje në favor të këtyre të fundit. Në raste të tilla, publikimi i vazhdueshëm i tyre mund të përforcojë një perceptim negativ për personin në fjalë dhe të favorizojë qëndrimet e kundërshtarëve të tij politikë.
Studimi “The Multiple Exposure Effect” shqyrtoi ndikimin e ekspozimit të përsëritur ndaj përmbajtjeve të njëanshme politike. . Gjetjet treguan se ekspozimi i përsëritur ndaj përmbajtjeve që favorizonin një kandidat mund të ndikonte në preferencat e votimit, si dhe në perceptimin e votuesve për kandidatët, përfshirë nivelin e pëlqimit dhe besimit ndaj tyre. Kjo sugjeron se publikimi i vazhdueshëm i deklaratave të mëhershme që paraqiten si kundërthënëse me qëndrimet aktuale të një politikani mund të përforcojë një perceptim të caktuar për të, veçanërisht kur këto përmbajtje favorizojnë kundërshtarët e tij politikë.
Prandaj, për të vlerësuar nëse një krahasim i deklaratave është i drejtë dhe i saktë, duhet të verifikohet jo vetëm vërtetësia e deklaratave të rikthyera, por edhe konteksti në të cilin janë dhënë, kuptimi i tyre dhe raporti me qëndrimet aktuale të personit. Po ashtu, duhet të merret parasysh mënyra dhe shpeshtësia me të cilën këto deklarata paraqiten para publikut, pasi përsëritja e tyre mund të ndikojë në perceptimin publik, edhe kur nuk ofrohet informacion i ri që do ta justifikonte këtë interpretim.
Kur rikthimi i deklaratave mund ta zhvendosë vëmendjen nga çështja kryesore
Rikthimi i deklaratave të mëhershme të politikanëve dhe opinionistëve mund të ndikojë në mënyrën se si zhvillohet debati publik për një ngjarje të rëndësishme. Në rastin e aktgjykimit të shkallës së parë nga Gjykata Speciale, vëmendja mund të zhvendoset nga përmbajtja dhe arsyetimi i vendimit, provat e shqyrtuara dhe implikimet e tij, te qëndrimet e mëhershme të akterëve politikë dhe mospërputhjet e mundshme me deklarimet e tyre aktuale.
Kështu, diskutimi për Gjykatën Speciale mund të shndërrohet në një përplasje politike (shih këtu), ku deklaratat e vjetra përdoren për të kritikuar kundërshtarët ose për të mbështetur qëndrimet e palës politike me të cilën identifikohen publikuesit.
Mundësia që komunikimi politik të zhvendosë vëmendjen nga çështjet me rëndësi publike trajtohet edhe në studimin “Përdorimi i postimeve të presidentit në Twitter për të kuptuar zhvendosjen e vëmendjes politike në epokën e mediave sociale” (2020).
Studimi gjeti se publikimi i mesazheve për tema të palidhura me një çështje që po merrte vëmendje mediatike u pasua nga rënia e mbulimit mediatik të saj. Edhe pse studimi nuk trajton drejtpërdrejt rikthimin e deklaratave të vjetra, ai ofron një pikë referimi për të kuptuar se si vëmendja mediatike mund të largohet nga një çështje kryesore.
Kjo nuk do të thotë se shqyrtimi i qëndrimeve të mëhershme është i parëndësishëm, pasi ai mund të kontribuojë në llogaridhënien publike. Megjithatë, kur këto deklarata dominojnë diskutimin, debati rrezikon të përqendrohet te përplasjet politike, në vend që të trajtojë në mënyrë të informuar aktgjykimin dhe rëndësinë e tij.
Çfarë duhet të kemi parasysh kur rikthehen deklaratat e vjetra
Në përfundim, rikthimi i deklaratave të mëhershme nuk është në vetvete keqinformues, por vlerësimi i tyre kërkon shqyrtimin e kontekstit, mënyrës së paraqitjes dhe qëllimit të publikimit. Po ashtu, është e rëndësishme të analizohet se kush i publikon ose i shpërndan këto përmbajtje, në çfarë konteksti dhe sa shpesh, për të kuptuar nëse ato synojnë të informojnë publikun dhe të kontribuojnë në llogaridhënie, apo nëse paraqitja e tyre mund të krijojë perceptime të shtrembëruara për qëndrimet e një politikani.