Të fundit | Maria Bamieh nuk ka pretenduar se Charles Smith tha se “shqiptarët janë kaf… Të fundit | Wilson nuk e bëri këtë deklaratë për Kurtin Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump ka hequr vizat për Kosovën dhe ka folur për K… Të fundit | Deklaratat për protestat në Prishtinë që u atribuohen DioGuardit, Walkerit… Të fundit | Sheshel nuk tha se aktakuza ndaj Thaçit dhe UÇK-së është shkruar në Beograd… Të fundit | Imazhi i Hysni Gucatit me revole është manipuluar me IA Të fundit | Trump nuk kërkoi lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri në dhjetor Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime dezinformuese për aktgjykimin në Hagë, përmba… Të fundit | Titulli nuk tregon se paga minimale deri në 1400 euro vlen për Malin e Zi Të fundit | “Ma sollën një dash dhe më thanë t’i fryeja në […]” – audioja e gjeneruar m…
[ ARTIKULLI ]

Dhomat e jehonës në media sociale gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, fenomeni i dhomave të jehonës (echo chambers) në mediat sociale po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe me ndikim të madh në perceptimin publik. Këto hapësira virtuale funksionojnë si grupe apo faqe të mbyllura, ku përdoruesit ekspozohen vetëm ndaj përmbajtjeve që përforcojnë bindjet e tyre ekzistuese politike, duke krijuar një realitet të njëanshëm dhe shpeshherë të manipuluar.

Si ndikojnë?

Dhomat e jehonës formojnë një rreth të mbyllur informacioni, ku përdoruesit lexojnë, shikojnë dhe shpërndajnë vetëm materiale që përputhen me preferencat e tyre politike. Në këtë mënyrë, krijohet përshtypja se “e gjithë shoqëria mendon njësoj” me grupin ku ata bëjnë pjesë. Kjo u ndihmon partive dhe politikanëve të forcojnë mbështetjen brenda bazës së tyre, por njëkohësisht e thellon ndarjen dhe polarizimin politik.

Format në media sociale

Në Kosovë, gjatë fushatave zgjedhore është bërë e zakonshme krijimi i faqeve dhe grupeve të reja në rrjete sociale si dhe ndryshimi i përmbajtjes së publikimeve në faqet dhe llogaritë ekzistuese. Shembuj janë llogaritë si “Gjilani Sot”, “Fushë Kosova News”, “Pulsi i Llapit” në TikTok, të cilat shpërndajnë përmbajtje të lidhura me fushatën zgjedhore, duke e orientuar informacionin sipas emrit të llogarisë dhe vendndodhjes së lokalitetit përkatës. Po ashtu, gjatë fushatave zgjedhore krijohen edhe faqe dhe llogari që mbajnë emrat e kandidatëve konkurrues, të cilat përdoren për të promovuar një subjekt politik të caktuar dhe për të influencuar perceptimin e publikut ndaj kundërshtarëve të tyre. Në Facebook, kjo praktikë shtrihet edhe në formën e grupeve të hapura dhe të mbyllura, të cilat mbajnë emra të partive politike ose të kandidatëve, ku përmbajtja që shpërndahet është kryesisht e njëanshme: përforcon narrativin pro një kandidati dhe njëkohësisht diskrediton ose minimizon figurën e kundërshtarit. Këto hapësira veprojnë si platforma të kontrolluara ku mesazhet politike targetohen drejt mbështetësve të mundshëm, duke krijuar një ambient virtual që e thellon polarizimin dhe e përforcon ndikimin e informacionit të selektuar ndaj votuesve.

Në TikTok, formatet janë të shkurtra dhe vizuale: video-montazhe, pamje nga tubimet, fraza të shkëputura me tituj sensacionalë. Ndërsa në Facebook ka përmbajtje tekstuale, imazhe krahasuese, sondazhe të fabrikuara dhe debate të zjarrta në komente.

Çfarë publikojnë?

Në këto dhoma shpesh publikohen:

  • Sondazhe të rreme ose të montuara, ku subjektet politike paraqiten më të fuqishme sesa janë realisht.
  • Deklarata të vjetra, të ripublikuara si të reja, për të ngritur figurën e një politikani ose për të diskredituar kundërshtarin.
  • Pamje të manipuluara vizuale, ku imazhe ose video të ndryshuara përdoren për të krijuar narrativë të caktuar.
  • Sekuenca të shkëputura nga paraqitjet publike, që nxirren jashtë kontekstit për të ndikuar në opinion.

Dhomat e jehonës gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë nuk janë thjesht një dukuri e mediave sociale, por një faktor i drejtpërdrejtë në mënyrën se si formësohet opinioni publik dhe si përjetohet demokracia. Ato krijojnë realitete paralele, ku qytetarët e shohin botën vetëm përmes filtrit të bindjeve të tyre politike. Kjo jo vetëm që e dëmton hapësirën e debatit të lirë, por edhe cenon procesin zgjedhor duke i ekspozuar qytetarët ndaj manipulimeve, dezinformimit dhe propagandës. Në një shoqëri demokratike, ku vota e informuar është thelbësore, dhomat e jehonës e vënë seriozisht në pikëpyetje cilësinë e procesit zgjedhor dhe të vetë demokracisë.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere