Të fundit | Clark nuk e dha këtë deklaratë, përmbajtja është e rreme Të fundit | Deputetët në Parlamentin e Malit të Zi nuk brohoritën “UÇK” Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të rreme dhe përmbajtje të gjeneruara me IA Të fundit | Imazhi i gjeneruar me IA dhe shpërndarja e tij me pretendimin se është real Të fundit | Çka dihet për fotografitë e Trumpit me liderët botërorë dhe dy pozat e tij? Të fundit | Keqinformatat rreth aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së Të fundit | Serbia nuk ndau 500 milionë euro për procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ish-zyrtari i CIA-s ka folur për Albin Kurtin, audi… Të fundit | Deklaratë e pakonfirmuar që i atribuohet gjeneralit amerikan Craddock Të fundit | Goodwin nuk ka thënë se zëvendëspresidenti i SHBA-së është interesuar për p…
[ ARTIKULLI ]

Keqinformatat rreth aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

ETRIT REXHEPI

Para shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, hibrid.info kishte paralajmëruar se do të monitoronte dhe verifikonte pretendimet, narrativat dhe përmbajtjet e dyshimta që lidhen me rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Monitorimi ka vazhduar edhe pas shpalljes së aktgjykimit dhe do të vazhdojë edhe në muajt në vijim.

Gjatë periudhës 15–30 shtator 2026, hapësira e informimit në Kosovë dhe rajon u përball me një valë të intensifikuar të përmbajtjeve të dezinformimit, manipulimeve digjitale dhe narrativave të ndërtuara rreth shpalljes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Analiza sistematike e rasteve të verifikuara dëshmon një prirje të dukshme për të shfrytëzuar ndjeshmërinë publike përmes prodhimit të lajmeve të rreme, përmbajtjeve të gjeneruara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale, si dhe përmes shtrembërimit të deklaratave dhe kontekstit të ngjarjeve.

Kjo përmbledhje strukturon 20 rastet e verifikuara të kategorizuara në lajme të rreme, mashtrime, dezinformata, manipulim faktesh, clickbait, si dhe analiza të narrativave rajonale.

Lajm i rremë

Pretendimet e rreme për Donald Trumpin dhe Kosovën: Në TikTok u publikua një përmbajtje që pretendonte se presidenti amerikan Donald Trump kishte kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri në dhjetor dhe kishte paralajmëruar rishikimin e marrëdhënieve me institucionet, gjë që u vërtetua se ishte tërësisht e rreme dhe në kundërshtim me deklaratat zyrtare të DASH-it. Po ashtu, një tjetër pretendim rreth heqjes së vizave dhe qëndrimeve ndaj Albin Kurtit u vlerësua si lajm i rremë që ngatërronte kompetencat presidenciale (shih këtu).

Deklaratat e fabrikuara të DioGuardit, Walkerit dhe Beakes: U publikuan përmbajtje në TikTok ku pretendohej se Joseph DioGuardi, William Walker dhe gazetari Nick Beake kishin dhënë deklarata specifike për protestat në Prishtinë, ndërkohë që pas hulumtimit u vërtetua se ato ishin plotësisht të sajuara (shih këtu).

Deklarata e sajuar e Denis MacShane për gjyqtarin Charles Smith: U sajua një deklaratë e ish-ministrit britanik dhënë mediumit kroat Index.hr, ku aludohej se autoritetet amerikane e kishin nën vëzhgim gjyqtarin Charles Smith për marrjen e 3 milionë eurove nga Serbia përmes Satabank. Verifikimi tregoi se shifra prej 3 milionë eurosh i referohej një gjobe të vjetër ndaj bankës në Maltë për pastrim parash, dhe jo ryshfetit ndaj gjyqtarit (shih këtu).

Pretendimi për rrëzimin e të gjitha akuzave në Hagë: Në Facebook u publikua një video ku pretendohej se Gjykata e Hagës i kishte rrëzuar të gjitha akuzat ndaj krerëve të UÇK-së dhe se ata do të liroheshin shpejt. Kjo ishte gënjeshtër e pastër, pasi Trupi Gjykues i shpalli ata fajtorë për krime lufte dhe i dënoi me burgim në shkallë të parë (shih këtu).

Citat i sajuar i John Stewart Duncan: Në rrjetet sociale u shpërnda një citat i shpikur ku ish-këshilltari i NATO-s gjoja deklaronte se shqiptarët do ta kishin çliruar Kosovën pa ndihmën e NATO-s po të kishin pasur aq motiv për të luftuar Thaçin (shih këtu).

Deklarata e fabrikuar e Stjepan Mesićit: U përdor një imazh i shoqëruar me një thënie të sajuar ku ish-presidenti kroat gjoja deklaronte se në Hagë po gjykohet tërësisht UÇK-ja dhe se “Thaçi ishte motori i saj”, pretendim që nuk kishte asnjë mbështetje në burime zyrtare apo media (shih këtu).

Mashtrim (Përmbajtje të manipuluara dhe të gjeneruara me IA)

Imazhi i manipuluar i Hysni Gucatit: U shpërnda një foto e montuar me IA ku kreu i OVL-UÇK-së pretendohej se mbante një revole të fshehur pas shpinës gjatë një proteste, ndërsa pamjet autentike dëshmuan të kundërtën (shih këtu).

Audio-deepfake i Vojisllav Sheshelit: Një video reale e Sheshelit u kombinua me një audio të re të gjeneruar me IA, e cila i atribuonte atij pretendimin se aktakuza ndaj Thaçit ishte shkruar në Beograd (shih këtu).

Audio-deepfake i dëshmitarit në Gjykatën Speciale: U morën pamje nga dëshmia e Ismet Tarës (Komandant Hoxha) në Hagë dhe mbi to u vendos një audio e gjeneruar me IA në gjuhën serbe për të simuluar akuza të rreme kundër UÇK-së (shih këtu).

Fotografia e manipuluar e protestës: Në rrjetet sociale u publikua një imazh nga një protestë e mbajtur në dhjetor 2022, ku mbishkrimi origjinal në pankartën me portretin e Hashim Thaçit (“Jo në emrin tim”) ishte ndryshuar në mënyrë digjitale në “Kush është kundër gjykatës është kundër Kosovës”. Verifikimi i pamjeve autentike dëshmoi se bëhet fjalë për manipulim vizual (shih këtu)

Dezinformatë

Deklarata e vjetër e avokatit të Thaçit paraqitet si lajm i fundit: Në Facebook u publikua një përmbajtje me titull sensacional që pretendonte se Hashim Thaçi është shpallur i pafajshëm nga Haga. Verifikimi dëshmoi se bëhej fjalë për një deklaratë të vjetër të avokatit Luka Mishetiq nga shkurti i vitit 2026, e cila i referohej prezumimit të pafajësisë gjatë fjalës përmbyllëse të mbrojtjes (shih këtu).

Pretendimi i rremë për lirimin e dy ish-krerëve të UÇK-së: Në TikTok u publikua një përmbajtje që pretendonte se vetëm dy nga ish-krerët e UÇK-së do të liroheshin më 16 shtator, duke paralajmëruar gjithashtu “luftë qytetare”. Verifikimi dëshmoi se Dhomat e Specializuara kishin caktuar vetëm datën e shpalljes së aktgjykimit dhe se rezultati i procesit ishte plotësisht i panjohur, ndërsa paralajmërimet e institucioneve të sigurisë ishin masa standarde për menaxhimin e tubimeve (shih këtu).

Pretendimi i rremë se Kurti ka pranuar që Thaçi të bëhet president: Në një kanal në Telegram në gjuhën serbe u publikua pretendimi se kryeministri Albin Kurti kishte pranuar që Hashim Thaçi të bëhej president i Kosovës nëse lirohet nga Haga. Verifikimi dëshmoi se kjo ishte një shtrembërim i një mendimi të dhënë më herët (më 12 shtator 2026) nga analisti politik Xhavit Drenori gjatë një emisioni televiziv, dhe se Kurti nuk kishte bërë kurrë një deklaratë të tillë (shih këtu).

Media ruse dhe serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për shkak të Hagës: Mediumi rus Sputnik në gjuhën serbe raportoi se përplasjet e 17 shtatorit mes protestuesve dhe policisë në Tiranë ndodhën për shkak të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Verifikimi dëshmoi se bëhej fjalë për një protestë antiqeveritare (pjesë e një serie protestash disamujore që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama), duke e manipuluar kontekstin e ngjarjes (shih këtu).

Manipulim i Fakteve

Vrasja e Xhemail Mustafës lidhet në mënyrë të rreme me aktgjykimin e Hagës: Në Facebook u publikua një postim me foton e Xhemail Mustafës që linte të kuptohej se dënimi me 13 vjet i Rexhep Selimit në Hagë lidhej me vrasjen e tij. Verifikimi dëshmoi se kjo ngjarje e vitit 2000 nuk është përfshirë në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, duke manipuluar faktet për të dezinformuar audiencën (shih këtu).

Ngatërresa e deklaratave të Maria Bamieh: Një përmbajtje i atribuonte ish-prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, thënien se “shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur”. Verifikimi tregoi se kjo thënie i përkiste një skandali të vjetër të vitit 2019 nga ish-gjyqtari Malcolm Simmons në një rast tjetër (“Drenica”), duke u keqpërdorur për rastin e gjyqtarit Charles Smith (shih këtu).

Clickbait

Deklarata e vjetër e Ganimete Musliut paraqitet si reagim ndaj vendimit në Hagë: Disa faqe në Facebook ripublikuan më 16 shtator një deklaratë të deputetes Ganimete Musliu dhënë më 9 shtator lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, duke e paraqitur rrejshëm si paralajmërim të PDK-së pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale (shih këtu).

Analizat dhe narrativat

Lëvizja e mjeteve ushtarake serbe dhe stërvitja “Pobednik 2026”: Në mes të muajit shtator, u raportua për lëvizje të kolonave ushtarake serbe pranë zonës së Ribariçit, ndërkohë që Ushtria e Serbisë po zhvillonte stërvitjen e përbërë taktike “Pobednik 2026” në poligonin e Peshterit me mbi 2,000 ushtarë dhe 500 mjete ushtarake. Analiza e fakteve konfirmoi se zhvendosja e mjeteve ishte pjesë e përgatitjeve të rregullta për këtë stërvitje dhe Ditën e Artilerisë, ndërsa institucionet e sigurisë (Policia e Kosovës, Ambasada e ShBA-së dhe NATO) nuk raportuan ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak apo lëvizje agresive ndaj kufirit të Kosovës (shih këtu).

Kornizimi i aktgjykimit në mediat serbe: Pas shpalljes së vendimit në Hagë, media serbe ofroi qasje të ndryshme, ku tabloidët (Informer, Alo!, Kurir, Srpski Telegraf) e quajtën vendimin si “të turpshëm” apo “farsë” duke e vënë theksin te dënimet e buta dhe te mospërfshirja e akuzave për spastrim etnik të serbëve, ndërsa media si Politika dhe Danas patën qasje më informative duke u fokusuar te përmbajtja juridike (shih këtu). Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e cilësoi vendimin si “drejtësi të paplotë” për shkak të hedhjes poshtë të akuzave për krime kundër njerëzimit.

Narrativa e Maria Zakharovës dhe diskursi rus ndaj Kosovës: Pas aktgjykimit në Hagë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cilësoi Kosovën si “kuazi-shtet” të ndërtuar mbi një “trashëgimi të përgjakshme”, duke e lidhur vendimin gjyqësor me përpjekjet për të kontestuar shtetësinë e Kosovës dhe rolin e UÇK-së (shih këtu). Analiza e fakteve vuri në pah se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) kishte konfirmuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, si dhe se Dhomat e Specializuara gjykojnë përgjegjësinë penale individuale të individëve e jo përgjegjësinë kolektive.

Përfundime

Gjatë periudhës 15–30 shtator 2026, u verifikuan 20 raste të përmbajtjeve që lidhen me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Rastet përfshinë lajme të rreme, dezinformata, manipulim të fakteve, clickbait dhe përmbajtje të manipuluara ose të gjeneruara me inteligjencë artificiale.

Një pjesë e rasteve përfshinte deklarata të fabrikuara ose të atribuuara në mënyrë të pasaktë figurave publike, ndërsa raste të tjera përdorën imazhe, video dhe audio të manipuluara për të paraqitur pretendime të pasakta.

U identifikuan edhe raste në të cilat deklarata ose materiale të vjetra u paraqitën si zhvillime të reja, si dhe raste ku ngjarje reale u paraqitën jashtë kontekstit të tyre.

Një pjesë e përmbajtjeve të verifikuara lidhej me raportimet dhe narrativat në Kosovë dhe rajon, përfshirë mënyrën e paraqitjes së protestave në Tiranë, aktgjykimit në mediat serbe dhe deklaratave të zyrtarëve të huaj lidhur me Kosovën dhe UÇK-në.

Verifikimi i burimeve, datave, deklaratave, materialeve autentike dhe kontekstit mbetet pjesë kryesore e procesit të verifikimit të këtyre përmbajtjeve.


Bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm të autorit/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian ose të European Fact-Checking Standards Network (EFCSN). As Bashkimi Evropian dhe as European Fact-Checking Standards Network (EFCSN) nuk mund të mbahen përgjegjës për to.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere