Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një artikull me titull ‘DW: Kosova rrezikon të shihet si një “shtet i dështuar”’.
Përmbajtja me këtë titull është publikuar të enjten (31 korrik) nga mediumi online në gjuhën serbe “vesti-online.com”.
Çka nuk shkon me pretendimin?
Hibrid.info ka gjetur se titulli është paraqitur pasaktësisht si qëndrim editorial apo konstatim i ardhur nga mediumi në gjuhën gjermane, Deutsche Welle (DW).

Hibrid.info, pas përkthimit, ka vërejtur në brendësi të artikullit të mediumit “vesti-online”, se pretendimi që ‘Kosova rrezikon të shihet si një “shtet i dështuar”’ i është referuar deklaratës së Ehat Miftarajt, drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili është marrë si burim në shkrimin e këtij teksti informativ. “Sipas mendimit të Miftarajt, nëse bllokada vazhdon, Kosova rrezikon të shihet si një “shtet i dështuar” të cilit i mungon vullneti politik për të ruajtur rendin kushtetues.”, thuhet në artikull (shih këtu).
Në strukturën këtij artikulli, menjëherë pas kësaj deklarate të Miftarajt, është paraqitur një nëntitull ku shkruan: “Shtet i dështuar?” Nëntitulli, informatat dhe një deklaratë tjetër e Miftarajt, janë paraqitur si sfond i lajmit, ku jepen një sërë faktesh për identitetin dhe statusin shtetëror të Kosovës, mospërfshirjen në pushtet të Listës serbe, subjektit më të madh politik serb në Kosovë dhe bllokadën institucionale me pasojat që mund të ketë ajo në integrim.
Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur artikullin origjinal të publikuar në ueb-faqen e mediumit gjerman, DW. Pas përkthimit, është vërejtur se përmbajtja është publikuar të mërkurën (30 korrik) dhe ndryshe nga artikulli në gjuhën serbe, ai ka titullin “Kosova ende pa qeveri“, që tregon se theksi i këtij lajmit të shkruar është vënë në mosformimin e institucioneve në Kosovë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Edhe në artikullin e DW-së, pretendimi se ‘Kosovës i kanoset rreziku të shihet si një “shtet i dështuar”’, është shprehur si një qëndrim individual i Ehat Miftarajt, i cituar brenda përmbajtjes (shih këtu).
Nëntitulli “Shtet i dështuar?”, i hasur në artikullin e “vesti-online.com”, vërehet edhe në shkrimin e DW “Një shtet i dështuar?”, me informacionet e njëjta që kanë shërbyer si sfond i lajmit.
Sfondi i lajmit të nëntitullit “Një shtet i dështuar?”:
“Kosova është shteti më i ri në Evropë. Ish-provinca serbe shpalli pavarësinë e saj të plotë në vitin 2008 dhe që atëherë funksionon si një republikë parlamentare. Kushtetuta e saj njeh edhe pakicat kombëtare, përfshirë serbët e Kosovës, të cilët përfaqësohen nga partia politike “Lista Serbe” – një parti që, sipas politikanëve shqiptarë, kontrollohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Asnjëra nga partitë shqiptare nuk është aktualisht e gatshme të bashkëpunojë me “Listën Serbe”, megjithëse kjo parti i ka të garantuara dhjetë ulëse në Kuvend.
Eksperti juridik Ehat Miftaraj shpreh shqetësimin se për shkak të bllokadës së vazhdueshme, Kosova po mbetet pas në procesin e integrimit në BE krahasuar me vendet e tjera të rajonit. “Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ratifikuar marrëveshjet e nevojshme për zbatimin e instrumenteve të Planit të Rritjes së BE-së. Megjithë premtimet bujare të BE-së – mbi 880 milionë euro për periudhën 2024–2027 – Kosova nuk mund t’i shfrytëzojë këto mjete, sepse nuk ka as parlament e as qeveri,” thotë Miftaraj.
Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë. Që nga viti 2011, rreth dymbëdhjetë për qind e banorëve kanë emigruar.”
Çka do të thotë se, DW në artikullin në fjalë ka ngritur një pyetjeje “A ka dështuar shteti?”, ka paraqitur informacione faktike dhe citime, si ai i Miftarajt, që flasin për situatën e bllokadës institucionale dhe vonesave në integrimin evropian, por nuk ka dhënë një përfundim të formuluar nga vet ky medium, që e cilëson Kosovën si “shtet të dështuar.”
Analiza:
Pretendimi se Deutsche Welle ka thënë që ‘Kosova rrezikon të shihet si një “shtet i dështuar”’ nuk qëndron.
Pretendimi që ‘Kosova rrezikon të shihet si një “shtet i dështuar”’ është nga deklarata e Ehat Miftarajt, e paraqitur si mendim personal dhe jo qëndrim i vet DW.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Manipulim i fakteve” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.



