[email protected]
Dezinformata në TikTok për të vrarë dhe të plagosur në Mitrovicë
shape
shape
shape

Llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” ka publikuar dje (26 maj) dy video-materiale me pretendime të ngritura në përshkrimet: “vriten tre serbë në Mitrovicë nga njësia ROSU” dhe “Luftë në Mitrovicë tregohet për të vrarë dhe të plagosur”.

Këto pretendime të bëra nga kjo llogari janë të rreme. Kjo u vërtetua nga hulumtimi i kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale. Nga ky kërkim i thellë nuk rezultoi të gjendet asnjë raportim i tillë i publikuar nga burime kredibile që përmbajnë të njëjtat pretendime.


Vegëzat e video-materialeve të publikuara në TikTok nga llogaria “kijameti2024”:

https://www.tiktok.com/@kijameti2024/video/7237503096228678938
https://www.tiktok.com/@kijameti2024/video/7237535632157920538

Llogaria e lartcekur, siç duket, këto pretendime të sajuara është munduar t’i ndërlidhë me ngjarjen e djeshme (26 maj) në veri të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme (26 maj) Policia e Kosovës (PK), në asistimin e kryetarëve të komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale, kishte hasur në një numër të konsiderueshëm të qytetarëve serbë, të cilët ishin tubuar pranë objekteve komunale, me qëllim të pengimit dhe moslejimit të hyrjes së zyrtarëve në objektet e komunave.

Si pasojë e kësaj ngjarje, mbetën të lënduar pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës. (shih këtu)


Tjetër fakt shtesë që e vërteton pavërtetësinë e pretendimit të ngritur në përshkrimin “vriten tre serbë në Mitrovicë nga njësia ROSU”, është emërtimi i gabueshëm i njësitit special të Policisë së Kosovës (këtu). Termi ROSU i përdorur për njësitin special të PK-së tashmë është zëvendësuar me emërtime tjera që futën në kuadër të Drejtorisë së Njësive Speciale (DNjS).


Gjithashtu, asnjë nga ngjarjet e djeshme në veri të Kosovës nuk është zhvilluar në Mitrovicë, siç pretendohet nga llogaria “kijameti 2024” në TikTok, por në komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. (shih këtu)


Këto video-materiale deri në publikimin e këtij artikulli nga hibrid.info, kanë arritur të grumbullojnë rreth 20 mijë shikime secila. (shih fotografinë më poshtë)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” ka publikuar dy video-materiale me pretendime të rreme për vrasjen e tre qytetarëve serbë në Mitrovicë, si dhe disa tjerë të plagosur”.

Kjo u vërtetua pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, pasi në asnjë nga mediumet në Kosovë nuk është gjetur një raportim i tillë për të vrarë e të plagosur gjatë ditës së djeshme (26 maj) në Mitrovicë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others