Shkroi: Fatbardh Dema
Mediat në Serbi kanë publikuar një deklaratë të drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjelkoviq, i cili ka thënë se Kosova po dëshiron konflikt me Serbinë.
Media në gjuhën serbe “Alo”, ka publikuar deklaratën e Angjelkoviqit, i cili citohet të ketë thënë se kjo gjë i intereson kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe se, sipas tij, ky i fundit po dëshiron të bëhet njëfarë komandanti i luftës.
Me titullin ““DËSHIRON TË BËHET KOMANDANT LUFTE” Rrezik! “Kurtit i nevojitet një konflikt serioz me Serbinë””, artikulli i “Alo” publikon vetëm deklaratën e drejtorit të Postës së Serbisë, deklaratë kjo e pa bazuar në asnjë fakt.
Pos “Alo”, deklaratat e Angjellkoviqit i kanë publikuar edhe mediat tjera në serbisht, si “Euronews Serbia” e “Vecernje Novosti”.

Çka thuhet në këtë artikull?
“Drejtori i “Postës së Serbisë”, Zoran Angjelkoviq, vlerësoi mbrëmë se Kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës në mandatin teknik, Albin Kurti, ka nevojë për një konflikt serioz në Kosovë dhe Metohi në mënyrë që të përpiqet të kthejë elektoratin në anën e partisë së tij Vetëvendosje ose të provokojë një konflikt midis serbëve dhe NATO-s”.
“Ata duan që të ndodhë një konflikt i rëndësishëm me çdo kusht, duke llogaritur se nëse ka një konflikt midis Ushtrisë Serbe ose policisë serbe dhe anëtarëve të UÇK-së ose siç do të thoshin tani FSK-së ose kujtdo në atë zonë, në atë rast NATO do të reagojë natyrshëm dhe do të hyjë në konflikt me ushtrinë serbe, dhe se Kurti do të bëhet një lloj komandanti lufte”, citohet të ketë thënë Angjelkoviq për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.
“Alo” thotë se Angjelkoviq këtë deklaratë e bëri “duke folur për incidentet e shpeshta në kufirin administrativ midis Serbisë dhe Prishtinës”.
“Sipas tij, problemi kryesor është se Kurti ka një kompleks për mospjesëmarrjen në konfliktet e viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë dhe Metohi si anëtar i organizatës terroriste UÇK”.
Çka nuk shkon me këto pretendime?
Pretendimi i drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, se Kurti po kërkon konflikt me Serbinë, në mënyrë që më pas të bëhet komandant lufte, është krejtësisht i pabazë.
Madje, artikulli konspiron se në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ka incidente të shpeshta, gjë që nuk faktohet as nga ai e as institucionet e sigurisë të Kosovës, nga të cilat kohëve të fundit nuk është raportuar për asnjë incident – i fundit i përmasave të gjera është ai i plagosjes dhe rrëmbimit të shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq, ngjarje kjo e ndodhur më datën 1 nëntor, sipas Policisë së Kosovës.
Kush është Zoran Angjellkoviq?
Zoran Angjellkoviq është një ish-zyrtar i Partisë Socialiste të Serbisë dhe u nominua për pozicionin e drejtorit të Postës Serbe nga lista e SNS-së. Sipas të dhënave publike, ai ishte anëtar i Lidhjes së Komunistëve, president i organizatave rinore lokale dhe rajonale, dhe më vonë u bë sekretar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Serbisë (SSOS).
Ai më vonë u emërua sekretar ekzekutiv i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Serbe. Me transformimin e Lidhjes së Komunistëve në SPS, Angjellkoviq u bë anëtar i saj. Ai ishte kreu i grupit parlamentar të SPS-së dhe nënkryetar i Komitetit të SPS-së për Kosovën.
Në qeverinë e Mirko Marjanoviqit, ai ishte Ministër i Sportit dhe Rinisë, dhe nga viti 1998 iu dha pozicioni i personit të parë të Këshillit Ekzekutiv të Përkohshëm për Kosovë.
Që nga viti 2008, ai ka qenë kryetar i Bordit të Drejtorëve të JP “Hekurudhat Serbe”.
Deputet në Parlament në katër mandate, 1997 – 2001, 2001 – 2004, 2004 – 2007 dhe 2012 – 2014.
Analiza:
Media “Alo” në Serbi ka publikuar një deklaratë të drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, i cili ka konspiruar se Kurti po dëshiron konflikt me Serbinë, konflikt në të cilin, sipas tij, më pas do të përfshihej edhe KFOR-i. Krejt këtë, Angjellkoviq thotë se Kurti po e bën sepse “dëshiron të bëhet njëfarë komandanti i luftës”.
Këto pretendime, Angjellkoviq nuk i ka bazuar në asnjë fakt, ndonëse citohet të ketë thënë se ka konflikte të shpeshta në kufirin Kosovë-Serbi. Megjithatë, as kjo deklaratë nuk është e bazuar në fakte, pasi nga institucionet e sigurisë të Kosovës, por as nga ato të Serbisë, nuk raportohet për ndonjë incident ndërkufitar kohëve të fundit. Rasti më i freskët është ai i 1 nëntorit të këtij viti, kur sipas Policisë së Kosovës, por edhe institucioneve tjera shtetërore, një shtetas kosovar u plagos nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës dhe më pas i njëjti u rrëmbye e u dërgua në territorin e Serbisë.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i cilëson si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



