Përmes një videoje të publikuar në Facebook (shih këtu) pretendohet se prokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Alan Tieger, ka deklaruar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë vrarë personalisht shumë policë serbë dhe se nuk kanë pasur të drejtë ta bëjnë këtë.
Në të njëjtën video dëgjohet edhe një pjesë tjetër e deklaratës, në të cilën Tieger flet për Thaçin dhe Veselin si figura kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas verifikimit të transkriptit zyrtar të seancës dhe analizimit të videos përmes një vegle për detektimin e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, hibrid.info gjeti se deklarata e paraqitur në video përmban një pjesë që nuk figuron në transkriptin zyrtar.
FAKTET
Hibrid.info fillimisht ka hulumtuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku është gjetur transkripti i seancës së 9 shkurtit 2026, gjatë së cilës janë paraqitur deklaratat përmbyllëse të Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në këtë transkript nuk gjendet deklarata që i atribuohet Alan Tiegerit në video:
“Thaçi dhe Veseli kanë vrarë personalisht shumë policë serbë dhe nuk kanë pasur të drejtë ta bëjnë këtë”.
Ndërkaq, pjesa tjetër e deklaratës së vendosur në video gjendet në transkriptin zyrtar. Në faqen 15 dhe 16 të tij (shih këtu), Tieger dëgjohet duke thënë:
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, shokë që prej kohës kur 24 ishin studentë, kanë qenë aktorë kryesorë në këtë proces dhe 25 kanë qenë në vijën e parë të UÇK-së qysh prej fillimit” (shih fotografinë më poshtë).

Pra, krahasimi tregon se videoja përmban një pjesë të deklaratës që përputhet me transkriptin zyrtar, por edhe një pjesë tjetër që nuk gjendet në të.
Përveç krahasimit me transkriptin zyrtar, hibrid.info e ka analizuar të gjithë videon përmes platformës HiveModeration, e cila përdoret për detektimin e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Rezultati i analizës ka treguar se audioja e videos ka 60.8% gjasë të jetë e gjeneruar me inteligjencë artificiale, sipas vlerësimit të kësaj platforme (shih fotografinë më poshtë).

Analiza
Një video i atribuon prokurorit Alan Tieger deklaratën se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë vrarë personalisht policë serbë, por kjo pjesë nuk gjendet në transkriptin zyrtar të seancës së 9 shkurtit 2026.
Pjesa tjetër e deklaratës përputhet me transkriptin, ndërsa HiveModeration e vlerëson audion me 60.8% si të gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim“.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.