info@hibrid.info
Mediumi ruso-serb konspiron se gjatë fushatës zgjedhore Kurti ka bërë thirrje për luftë dhe urrejtje ndaj serbëve
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Sipas artikullit të publikuar në RT (Russia Today), shërbimi në gjuhën serbe, në kuadër të fushatës zgjedhore në Kosovë, kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po ndërton një narrativ zgjedhor të bazuar në retorikë të ashpër, të cilën RT e përshkruan si “thirrje për luftë dhe urrejtje ndaj serbëve”.

Titulli i artikullit, “Prizivanjem rata do željenog izbornog rezultata: Kurti obećao da će obezbediti ‘hleba i pušaka'” (Përmes thirrjes për luftë drejt rezultatit të dëshiruar zgjedhor: Kurti premtoi se do të sigurojë ‘bukë dhe armë’), sugjeron retorikë të ashpër nga Kurti, të cilat, sipas RT-së, janë të motivuara politikisht për të arritur përfitime zgjedhore.

Faktet tregojnë se Kurti nuk ka bërë thirrje për luftë, por ka përmendur armatimin dhe ka folur për bandat kriminale dhe infiltrimin e Serbisë, pa shprehur urrejtje ndaj serbëve të Kosovës.

Çka thuhet në artikull?

Në artikull theksohet se, gjatë një tubimi zgjedhor në Gjakovë, Kurti deklaroi se për “aparatin shtetëror serb në Kosovë” ka ushtrinë dhe policinë.

Gjithashtu, thuhet se në një tjetër tubim zgjedhor në Podujevë, ai ka thënë se prioriteti i tij është të sigurojë për popullin “bukë dhe armë”, duke theksuar se çdo shtet dhe popull ka nevojë për këto elemente.

Çka tha Kurti në Gjakovë dhe Podujevë?

Lëvizja Vetëvendosje hapi fushatën në Gjakovë, duke prezantuar projektin katërvjeçar që “synon përmbushjen e nevojave qytetare dhe avancimin e synimeve kombëtare të Republikës së Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, e hapi fushatën në Gjakovë me një tubim të mbajtur më 11 janar. Një nga mesazhet kryesore të kryeministrit ishte: “Për Serbinë kemi polici, ushtri dhe dialog.” Ai këtë deklarim e bëri duke folur  për marrëdhëniet e Prishtinës me Beogradin, ndërsa theksoi: “Për të rinjtë kemi punësim, për gratë kemi barazi, për fëmijët kemi shtesa, për opozitën kemi opozitën, për Serbinë kemi policinë, ushtrinë dhe dialogun, për të moshuarit kemi pensione dhe për të gjithë kujdesin shëndetësor”. (këtu)

Kurti deklaroi se aparati shtetëror i Vuçiqit nuk do të ketë vend në territorin e Republikës së Kosovës dhe se do të ndiqet penalisht në çdo cep, duke lënë të nënkuptohet se kjo vlen vetëm brenda kufijve të Kosovës.

Ndërsa, në Podujevë, Kurti deklaroi: “300 milionë euro subvencione për bujqësinë nga qeveria jonë dhe mbi 300 milionë euro për armatim për ushtrinë tonë. Sepse buka dhe pushka janë dy siguritë më urgjente, më prioritare dhe më të domosdoshme për një shtet dhe një komb”. (këtu)

Në këtë deklaratë, Kurti nuk e drejton konkretisht mesazhin ndaj një subjekti të veçantë, por përmend “bukën dhe pushkën” si dy elemente të domosdoshme për sigurinë e shtetit dhe kombit.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka shpallur se armatosja e Kosovës ka si qëllim investimin në përmbushjen e misionit kushtetues të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se furnizimi me armë do të ndihmojë në mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e saj. (këtu)

Më 12 janar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se vendi “po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit”, e cila përfshin zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. (këtu)

Pra, nuk bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Serbisë, por për faktin se furnizimi me armë ka si qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Çka tha Kurti për serbët?

Në takimin parazgjedhor në Pejë, kryeministri i Kosovës dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, theksoi se qeveria e tij ka treguar kundërshtimin ndaj strukturave paralele kriminale dhe ka mbështetur integrimin e vërtetë të serbëve që respektojnë ligjin dhe pranojnë Republikën e Kosovës. Ai gjithashtu përmendi veriun e Kosovës, të cilin e cilëson si pjesë të suksesit të qeverisë së tij të dytë, duke kritikuar njëkohësisht edhe kundërshtarët e tij politikë.

Një tjetër element i theksuar nga Kurti është rritja e numrit të bizneseve në veri, si dhe angazhimi i serbëve në punësim, të cilët, sipas tij, shprehin mirënjohje ndaj “qeverisë, shtetit dhe Policisë së Kosovës”. (këtu)

Në veri të Kosovës vitin e kaluar janë hapur mbi 300 kompani, janë punësuar qindra serbë, të cilët i janë mirënjohës qeverisë, shtetit dhe Policisë së Kosovës”.

Në gjithë Kosovën, e sidomos në veri të Kosovës, ne i dhamë sovranitetin shtetit, i dhamë integritetin territorit, i dhamë sigurinë popullit, i dhamë paqe atij rajoni. Ne kemi vendosur shtetin ligjor, kushtetutshmërinë. U përballëm me struktura paralele dhe bandat kriminale. Ata u përpoqën të na destabilizonin, të na frikësonin, por sa herë që u përpoqën, dështuan dhe ne fituam. Këtë nuk e kemi bërë kundër serbëve, por kundër Serbisë, sepse është edhe kundër popullit tonë”.


Analiza:

Sipas RT, Albin Kurti po ndërton një narrativ zgjedhor me retorikë të ashpër, të cilën e përshkruan si “thirrje për luftë dhe urrejtje ndaj serbëve”.

Faktet tregojnë se Kurti nuk ka bërë thirrje për luftë, por ka përmendur armatimin gjatë mandatit të tij, si dhe nuk ka shprehur urrejtje ndaj serbëve të Kosovës, por ka folur për bandat kriminale dhe infiltrimin e Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e RT si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others