Është publikuar një postim me mbishkrimin “Senatori i ri në SHBA, Abdulrahman Mohamed El-Sayed, sipas informacioneve tona fillestare, është deklaruar hapur për mbylljen e kampit Bonstil dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.”
Përmbajtja është publikuar të enjten (5 nëntor) në Facebook nga faqja me emrin “Lëvizja për Rikthim”.
Cila është e vërteta?
Pretendimi është i pabazuar në dëshmi publike të identifikueshme.

Faqja që ka publikuar pretendimin ka mbi 24 mijë ndjekës (shih këtu).
Së pari, kërkimi është bërë në makinën e kërkimit “Google”, në platformën për publikimin e video-materialave “Youtube” dhe në median sociale “Facebook” (shih këtu, këtu dhe këtu).
Rezultatet e hulumtimit në këto platforma, nuk shfaqën asnjë burim që dëshmon se senatori i zgjedhur, El-Sayed të jetë deklaruar për Kosovën.
Po ashtu, hibrid.info hulumtoi në llogaritë e tij në mediat sociale si Facebook dhe “X”. Megithatë, as kërkimi në këtë mënyrë nuk shfaqi rezultatet që do të mund të konfirmonin pretendimin (shih këtu dhe këtu).
Përveç kësaj, u verifikuan edhe prioritetet e tij, të publikuara në faqen zyrtare (shih këtu).
Në programin e tij elektoral, në seksionin “Sensible Foreign Policy”, El-Sayed shpalos qëndrimet e tij për politikën e jashtme, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut.
Ai shpreh mbështetjen për Ukrainën përballë pushtimit rus, ndërsa kritikon ndërhyrjet dhe politikat e jashtme amerikane në Vietnam, Irak, Iran, Venezuelë, Kubë dhe Palestinë, të cilat i konsideron gabime me pasoja të rënda njerëzore. Gjithashtu, kundërshton financimin e drejtpërdrejtë të ushtrive të huaja dhe përshkallëzimin e konflikteve ushtarake.
Ky qëndrim është ritheksuar edhe në një deklaratë të publikuar në një raportim të “Times of Israel”, ku El-Sayed ka thënë se kundërshton financimin e ushtrive të huaja në përgjithësi, duke përmendur Izraelin, Egjiptin, Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (shih këtu). Ai ka argumentuar se të ardhurat tatimore amerikane duhet të shpenzohen për nevojat e qytetarëve brenda vendit, në vend që të dërgohen jashtë për financimin e luftërave.
Megjithatë, në këtë program nuk përmendet Kosova, kampi Bondsteel apo ndonjë qëndrim për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Kampi Bondsteel është një bazë ushtarake amerikane, e vendosur në zonën e Ferizajt, në Kosovë. Ai u ndërtua në vitin 1999, pas përfundimit të Luftës së Kosovës, dhe u emërtua sipas ushtarakut amerikan James Leroy Bondsteel. Baza shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 3.86 kilometrash katrorë dhe ka shërbyer si një nga objektet kryesore të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Përveç infrastrukturës ushtarake, kampi përmban edhe objekte të ndryshme shërbimi, përfshirë spital, restorante, kinema, palestra dhe qendra trajnimi (shih këtu).
Në kërkimin në “Google” për Kampin Bondsteel, u hasën artikuj të publikuar në muajin e fundit, ku raportohet se institucionet e Kosovës tashmë janë duke kërkuar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA-së), që kjo bazë ushtarake të bëhet e përhershme (shih këtu).
Analiza
Publikimi në Facebook pretendon se senatori i zgjedhur amerikan, Abdulrahman Mohamed El-Sayed, është deklaruar për mbylljen e kampit Bondsteel dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Megjithatë, kërkimi në Google, YouTube dhe Facebook, si dhe në llogaritë e tij në Facebook dhe X, nuk ka gjetur ndonjë deklaratë apo raportim që dëshmon se El-Sayed ka shprehur një qëndrim të tillë.
Po ashtu, në programin e tij elektoral, në seksionin për politikën e jashtme, El-Sayed paraqet qëndrimet e tij për diplomacinë, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe financimin e ushtrive të huaja, por nuk përmend Kosovën, kampin Bondsteel apo tërheqjen e trupave amerikane nga vendi.
Edhe në raportimet mediatike El-Sayed flet për kundërshtimin e financimit të ushtrive të huaja, nuk përmendet ndonjë qëndrim i tij për praninë ushtarake amerikane në Kosovë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.