[email protected]
Fotografi me personazhe të huaja pretendohet rrejshëm të paraqiten si gra shqiptare që kërkojnë lidhje dashurie
shape
shape
shape

Një faqe në Facebook me emrin “Agjension Lidhjesh Martesore” e cila numëron mbi 12 mijë ndjekës, publikon fotografi të grave me pretendim se ato janë në kërkim të një lidhje dashurie.

Në të gjitha këto postime, kjo faqe në mbishkrimet e këtyre fotografive të grave, pretendon se ato janë nga Shqipëria apo Kosova.

Hibrid.info ka verifikuar disa nga këto fotografi dhe ka vërtetuar se ato fotografi u përkasin grave nga Serbia si dhe të shteteve tjera të huaja.


Në njërin nga fotografitë e postuara gjendet mbishkrimi “Pershendetje perseri nga une MIRA. Ju lutem te lajmerohen te gjithe burrat serioz per lidhje me mua. Faleminderit”. Në këtë postim, kjo faqe ka arritur të grumbullojë mbi 1 mijë e 200 reagime, afër 800 komente dhe 24 shpërndarje. (shih këtu)

Pas hulumtimit të kryer përmes programit te automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se kjo grua është nga Serbia me emrin artistik “Vesna Počuča Šana”, e cila ka performuar në videoklipe dhe filma, ndërsa tani drejton një sallon bukurie. (shih këtu)

Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka arritur të gjejë llogarinë e këtij personi në rrjetin social “Instagram”, e cila numëron afër 95 mijë ndjekës. (shih këtu)


Në fotografinë e një gruaje tjetër të postuar nga faqja “Agjension Lidhjesh Martesore” gjendet mbishkrimi “Jam ELMA, 49 vjeç nga Tirana. Vetem 1 here e martuar, pothuajse e re dhe e paperdorur. Dua ta njoh nje burr. Bëni KOMENT te interesuart”.

Në këtë postim, janë grumbulluar afë 600 reagime, mbi 300 komente dhe 7 shpërndarje. (shih këtu)

Pas hulumtimit të kryer përmes programit te automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka vërtetuar se kjo grua nuk është nga Tirana, por ajo është një aktore e filmave për të rritur, e cila ka emrin artistik “Kelly Alston”.

Nga ky hulumtim, emri i kësaj aktore është gjetur në disa ueb-faqe pornografike këtu dhe këtu (+18).


Në një fotografi tjetër të publikuar nga kjo faqe gjendet mbishkrimi “Pershendetje. Quhem ANA, jam 44 vjeç nga Tirana. E kam pasur vetem 1 partner ne jete. Jam e mbajtur mire. Dua te njoh nje burre. Flm”.

Në këtë postim, kjo faqe ka grumbulluar mbi 1 mijë e 300 reagime, mbi 1 mijë komente dhe 32 shpërndarje. (shih këtu)

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se personi në foto është Victoria Lomba, një bodibilldere. (shih këtu)

Hibrid.info ka arritur të gjejë edhe kanalin e saj në Youtube, e cila ka postuar disa video duke kryer ushtrime në fitnes. (shih këtu)


Analiza:

Faqja në Facebook me emrin “Agjension Lidhjes Martesore” publikon fotografi të grave jo shqiptare, të cilat i paraqet se janë nga Shqipëria dhe Kosova.

Me anë të këtyre fotografive të personazheve të huaja nga filma për të rritur, performuese të ndryshme dhe femra të botës së sportit, kjo faqe i paraqet ato si shqiptare, duke mashtruar se ato janë në kërkim të një lidhje dashurie.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, kjo faqe në Facebook është vlerësuar si “Mashtrim”.

Share With Others