Gjashtë muaj pas publikimit, raporti kërkimor i Hibrid.info “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it: Një studim mbi përhapjen e narrativave përmes chatbot-ëve të inteligjencës artificiale” vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve ndërkombëtare mbi inteligjencën artificiale (IA), integritetin e informacionit dhe të ardhmen e verifikimit të fakteve.
Hibrid.info ka prezantuar gjetjet kryesore të këtij raporti në GlobalFact, samitin më të madh në botë për verifikimin e fakteve, të mbajtur më 17–20 qershor në Vilnius të Lituanisë.
GlobalFact, që organizohet nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN), mblodhi qindra verifikues faktesh, gazetarë, studiues, ekspertë të teknologjisë, përfaqësues të platformave digjitale dhe organizata të shoqërisë civile nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat më të rëndësishme që lidhen me dezinformimin, inteligjencën artificiale dhe integritetin e informacionit.
Në kuadër të programit zyrtar të samitit, udhëheqësja e editorialit dhe koordinimit të programeve në Hibrid.info, Hyrije Mehmeti, prezantoi raportin kërkimor në një panel të mbajtur në skenën kryesore të ngjarjes, duke sjellë në vëmendje se si chatbot-ët si ChatGPT, DeepSeek dhe Alice formësojnë, dhe herë pas here shtrembërojnë, narrativat gjeopolitike, me fokus në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, brenda një krahasimi më të gjerë global. Pjesë e panelit ishin edhe Rawan Damen nga Reporterët Arabë për Gazetari Investigative (ARIJ), Adrianus Warmenhoven nga NordVPN dhe Alan Duke nga Lead Stories.
Gjatë prezantimit u theksua se, ndonëse modelet e inteligjencës artificiale janë bërë më të avancuara, shumë prej sfidave të identifikuara në raport mbeten aktuale. Halucinacionet, mungesa e kontekstit, dallimet në trajtimin e ngjarjeve historike dhe temat e ndjeshme politike, si dhe ndikimi i burimeve të të dhënave në përgjigjet e chatbot-ëve, vazhdojnë të paraqesin sfida për cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit të gjeneruar nga IA.
Edhe pse ekosistemi i inteligjencës artificiale po zhvillohet me ritëm të shpejtë, diskutimi i vazhdueshëm i raportit në konferenca të nivelit të lartë ndërkombëtar dëshmon se temat që ai trajton dhe shumë prej gjetjeve të tij vazhdojnë të mbeten aktuale.
Diskutimi në GlobalFact2026 konfirmoi gjithashtu se gazetaria profesionale, verifikimi i fakteve dhe ekspertiza njerëzore mbeten elemente të pazëvendësueshme në një mjedis informativ ku gjithnjë e më shumë qytetarë po përdorin chatbot-ët si burim informacioni.
Drejt fazës së ardhshme të hulumtimit
Interesimi i vazhdueshëm për gjetjet e raportit dëshmon gjithashtu rëndësinë në rritje të hulumtimeve të Hibrid.info në fushën e inteligjencës artificiale dhe rolin që organizata po luan në debatin ndërkombëtar mbi të ardhmen e informacionit, teknologjisë dhe demokracisë.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja e Hibrid.info në GlobalFact2026 përmes drejtorit ekzekutiv, Shkelzen Osmani, menaxheres së operacioneve dhe strategjisë, Albijona Gashi, menaxherit të projekteve, Xhemajl Avdyli dhe Hyrije Mehmetit, shërbeu edhe si mundësi për të prezantuar fazën e ardhshme të punës kërkimore në fushën e inteligjencës artificiale. Duke u mbështetur në përvojën dhe gjetjet e raportit “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”, ekipi i Hibrid.info është duke punuar në një hulumtim të ri, i cili pritet të prezantohet gjatë muajve në vijim.
