Të fundit | Kush janë mbrojtësit e integritetit të informacionit? Të fundit | Imazhi i gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet rrejshëm si flamur… Të fundit | Narrativat keqinformuese për Kosovën në fjalimin e Vuçiqit në OKB Të fundit | Ish-ministri britanik nuk tha se gjyqtari Smith mori 3 milionë euro nga Ser… Të fundit | Videoja e vjetër e policisë së New York-ut paraqitet rrejshëm si eskortë e… Të fundit | Imazhi që paraqet një takim të Kurtit me Trumpin, i gjeneruar me IA Të fundit | Narrativa e Zakharovës pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: “Do të dënohen… Të fundit | Maria Bamieh nuk ka pretenduar se Charles Smith tha se “shqiptarët janë kaf… Të fundit | Wilson nuk e bëri këtë deklaratë për Kurtin Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump ka hequr vizat për Kosovën dhe ka folur për K…
[ ARTIKULLI ]

Kush janë mbrojtësit e integritetit të informacionit?

HIBRID

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për mbrojtjen e publikut nga dezinformimi në një hapësirë informative ku përmbajtjet qarkullojnë me shpejtësi, narrativat kalojnë kufijtë dhe inteligjenca artificiale po e ndryshon mënyrën e prodhimit të informacionit?

Kjo ishte pyetja që mblodhi në Prishtinë ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe Franca, si dhe përfaqësues të institucioneve, mediave, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile. Në konferencën “Who Protects Information Integrity? / Kush janë mbrojtësit e integritetit të informacionit?”, diskutimi u përqendrua te përgjegjësia e përbashkët për një mjedis informativ më të qëndrueshëm dhe te mënyrat se si institucionet, mediat, platformat, verifikuesit e fakteve dhe akademia mund të reagojnë ndaj sfidave të reja.

Konferenca, e mbajtur të mërkurën (24 shtator) në Prishtinë, trajtoi dezinformimin, përmbajtjet e gjeneruara me inteligjencë artificiale, narrativat ndërkufitare, ndikimin e platformave digjitale dhe nevojën për përafrimin e kornizave ligjore dhe institucionale me standardet evropiane.

Nuk ka një mbrojtës të vetëm të informacionit

Fjalën hyrëse e mbajti David Marchesin nga Ambasada e Francës në Prishtinë, ndërsa në fjalimin kryesor Vincent Couronne, drejtor dhe bashkëthemelues i “Les Surligneurs”, anëtar i Bordit të EFCSN dhe profesor në Sciences Po Saint-Germain e Sorbonne Law School, u ndal te përgjegjësia e përbashkët në epokën e platformave digjitale.

Sipas Couronne, integriteti i informacionit nuk mund t’u lihet vetëm platformave digjitale apo qeverive. Ai theksoi nevojën për një ekosistem ku përgjegjësitë ndahen ndërmjet autoriteteve të pavarura, mediave, gazetarëve, verifikuesve të fakteve dhe shoqërisë civile.

Kjo qasje u shoqërua gjatë konferencës me diskutime mbi mënyrën se si këta aktorë mund të bashkëpunojnë dhe si mund të përcaktohen më qartë përgjegjësitë e secilit prej tyre.

Kosova përballë rregullimit të platformave

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua Aktit të Bashkimit Evropian për Shërbimet Digjitale, DSA-së, dhe përgatitjes së Kosovës dhe vendeve të rajonit për përafrimin me standardet evropiane.

Në konferencë u theksua nevoja për ndërtimin e kapaciteteve për mbikëqyrje dhe zbatim, përcaktimin e autoriteteve përgjegjëse dhe garantimin e pavarësisë së tyre.

Couronne veçoi edhe rëndësinë e mekanizmave të besueshëm për raportimin e përmbajtjeve të paligjshme, si dhe qasjen e studiuesve të verifikuar në të dhënat e platformave.

Këto mekanizma u trajtuan si pjesë e përpjekjeve për të rritur transparencën e platformave dhe për të krijuar mundësi më të mira për të kuptuar mënyrën se si funksionojnë ato.

Narrativat që kalojnë kufijtë

Festim Rizanaj nga hibrid.info prezantoi zhvillimet dhe trendet e dezinformimit në Kosovë dhe rajon, me fokus te narrativat ndërkufitare dhe manipulimi e ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI).

Ndërsa Klodiana Kapo nga Faktoje prezantoi zhvillimet dhe trendet e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit në Shqipëri.

Diskutimi mbi këto zhvillime vuri në pah dimensionin ndërkufitar të sfidave informative dhe nevojën për bashkëpunim ndërmjet organizatave dhe institucioneve të vendeve të rajonit.

Institucionet dhe mediat përballë sfidave të reja

Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM-së), trajtoi rregullimin e mediave audiovizuale, përgjegjësitë institucionale dhe përafrimin me standardet evropiane.

Ndërsa, Ardita Zejnullahu, drejtoreshë ekzekutive e AMPEK-ut, solli perspektivën e mediave private, duke u ndalur te përgjegjësia e transmetuesve dhe sfidat e zbatimit të rregullimit në praktikë.

Ndërkohë, Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës u fokusua në edukimin medial, edukimin e gazetarëve dhe forcimin e reziliencës së publikut.

Përveç rregullimit dhe përgjegjësisë institucionale, diskutimi trajtoi edhe forcimin e gazetarisë profesionale dhe verifikimit të fakteve si pjesë e përpjekjeve për të përballuar përmbajtjet manipuluese.

Inteligjenca artificiale po ndryshon mjedisin informativ

Në fokus të konferencës ishte edhe ndikimi i inteligjencës artificiale dhe përmbajtjeve të manipuluara me AI.

Pjesëmarrësit diskutuan sfidat që këto teknologji paraqesin për mediat, institucionet dhe verifikuesit e fakteve, si dhe nevojën për transparencë dhe përgjegjësi më të madhe nga platformat digjitale.

Në këtë kuadër, edukimi medial u trajtua si një element i rëndësishëm për forcimin e aftësisë së publikut për të dalluar informacionin e besueshëm nga përmbajtjet manipuluese.

Nga bashkëpunimi te mekanizmat konkretë

Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, mediave dhe shoqërisë civile, duke sjellë përvoja nga puna e tyre.

Një nga nevojat e identifikuara ishte krijimi i mekanizmave më konkretë për shkëmbimin e informacionit dhe reagimin ndaj sfidave të reja në hapësirën informative, krahas një ndarjeje më të qartë të përgjegjësive ndërmjet aktorëve.

Në përmbyllje, konferenca nënvizoi se mbrojtja e integritetit të informacionit kërkon transparencë dhe llogaridhënie nga platformat, institucione të pavarura dhe funksionale, media profesionale, verifikim të fakteve, edukim medial dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet sektorëve.

Diskutimet theksuan gjithashtu nevojën që këto parime të përkthehen në hapa konkretë, forcim të kapaciteteve dhe iniciativa të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

Konferenca në Prishtinë ishte pjesë e një nisme të përbashkët Kosovë–Shqipëri–Francë, në kuadër të së cilës u organizuan dy konferenca me tematikë të njëjtë, në Tiranë dhe Prishtinë. Ajo u organizua nga Hibrid.info, në partneritet me Faktoje dhe Ambasadat e Francës në Kosovë dhe Shqipëri.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere