Platforma për verifikimin e fakteve Hibrid.info, pjesë e organizatës “Action for Democratic Society” (ADS), ka publikuar raportin e tretë vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ në Kosovë.
Raporti, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), ka për qëllim të pasqyrojë situatën e përhapjes së keqinformimit në Kosovë gjatë periudhës korrik 2024 – qershor 2025, në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera për dhe rreth Kosovës, bazuar në të dhënat empirike të grumbulluara nga monitorimi i përditshëm i platformës.
Festim Rizanaj, hulumtues në Hibrid.info, bëri prezantimin e gjetjeve të raportit, i cili përbëhet prej tri pjesëve kyçe: analizës së përmbajtjeve keqinformuese në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera (serbe, angleze e të tjera), verifikimin e deklaratave dhe premtimeve të zyrtarëve publikë, si dhe krahasimin e të dhënave të raportit me periudhën paraprake vjetore (korrik 2023 – qershor 2024).
Në këtë raport janë evidentuar kategori të ndryshme të përmbajtjeve keqinformuese. Hulumtuesi Rizanaj tha se në gjuhën shqipe, më të shpeshta kanë qenë “lajmet e rreme” (25%), “dezinformatat” dhe “mashtrimet” (nga 15% secila), ndërsa “clickbait” zë 11%. Këto përmbajtje, sipas tij, janë rritur ndjeshëm gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt 2025.
Ndërkohë, gjetjet e raportit tregojnë se përmbajtjet keqinformuese në gjuhën serbe janë dominuar nga “teoritë konspirative” (34%) dhe “dezinformatat” (17%), të përqendruara në temat e sigurisë dhe politikës, veçanërisht për zhvillimet në veriun e Kosovës dhe zgjedhjet parlamentare.
Hulumtuesi Rizanaj bëri të ditur se 74% e përmbajtjeve keqinformuese në gjuhën shqipe janë shpërndarë në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook dhe TikTok, duke konfirmuar këto platforma si burimet kryesore të keqinformimit. Kurse tha se në anën tjetër, 65% e përmbajtjeve në gjuhën serbe janë shpërndarë në media tradicionale, me Telegramin si rrjetin social më të përdorur në këtë segment (43%).
Sipas gjetjeve të raportit, temat më të shënjestruara nga keqinformimi në gjuhën shqipe kanë qenë zgjedhjet parlamentare (18%), armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) (5%) dhe ngjarjet tragjike (3%). Kurse, thuhet se në gjuhën serbe, përmbajtjet janë përqendruar te zhvillimet në veri të Kosovës (18%), zgjedhjet (10%), vendbanimet me shumicë serbe dhe incidentet në kanalin Ibër-Lepenc (4%).
Rizanaj, gjatë prezantimit, bëri të ditur se fushat më të prekura nga përmbajtjet keqinformuese në gjuhën shqipe janë: politika (45%), siguria (20%) dhe temat sociale (16%). Ndërkohë, tha se përmbajtjet në gjuhën serbe janë fokusuar në politikë (38%), siguri (32%), dhe pjesërisht në çështje sociale dhe kulturore.
Hulumtuesi i Hibrid.info theksoi se raporti konkludon se periudhat e ndjeshme politike dhe temat e sigurisë vazhdojnë të jenë shënjestra kryesore për aktorët e keqinformimit, me rrjetet sociale që mbeten mjetet më të përdorura për përhapjen e këtyre përmbajtjeve në Kosovë.
Gjetjet e raportit u diskutuan me panelistët: profesorin në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, Alban Zeneli, kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, si dhe ish-kryetarin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Jeton Mehmeti.
Duke u ndërlidhur me të dhënat e raportit ku theksohet rritja e keqinformimit në TikTok, profesori Alban Zeneli vlerësoi se kjo platformë ka ndikuar ndjeshëm në hapësirën informative të vendit. “Është signifikante mënyra se si TikTok-u si platformë ka marrë audiencën e Kosovës dhe rrjedhimisht ka marrë edhe hapësirën për keqinformim, për dezinformim edhe forma të tjera përgjithësisht të çrregullimit informativ. Kjo edhe për faktin se shumica e përdoruesve të TikTok-ut në Kosovë janë të rinjtë. Duke qenë të rinj dhe pa shkathtësi të gjykimit të përmbajtjes që e lexojnë, ose më saktë në TikTok e shohin, kjo mundësi e ndikimit të formave të çrregullimit informativ tek të rinjtë bëhet më e madhe”, tha ai.
Duke vlerësuar ndikimin e keqinformimit, Xhemajl Rexha nga AGK theksoi se pasojat shkojnë përtej lajmeve të pavërteta. “Një prej shqyrtimeve kryesore në këtë moment natyrisht është që publikimi i lajmeve të rrejshme, dezinformatave, qon shumë në gjuhë të urrejtjes, pra në një nivel të madh të gjuhës së urrejtjes ndaj atyre që janë target i këtyre dezinformatave, e që mund të jenë kategori të ndryshme shoqërore. Shpesh fatkeqësisht janë kategoritë e margjinalizuara të shoqërisë në Kosovë, por shqetësim sidomos në vitin e fundit për AGK-në dhe për komunitetin gazetar është që vetë gazetarët, në fakt ne, kemi qenë target i fushatave të tilla nga faqe të ndryshme në media sociale.”, tha rexha.
Kurse, duke folur për rëndësinë e rregullimit të mediave në parandalimin e dezinformimit, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, ish-kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, tha: “Vitin e kaluar përderisa kemi qenë në detyrë zyrtare në Komisionin e Pavarur për Media e kemi ditur që ky vit, viti 2025, do të jetë vit zgjedhor dhe tentativa për të pasur keqinformim, dezinformim, lajme të rrejshme është shumë e madhe dhe sidomos për faktin që 2025 do të ishte viti për zgjedhje parlamentare, zgjedhje lokale e mbase edhe për zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme. Kësisoj, së bashku me mediat dhe shoqërinë civile ndërtuam një rregullore të posaçme për obligimet e mediave gjatë zgjedhjeve në mënyrë që të jenë korrekte, të raportojnë drejtë dhe saktë. Dhe ajo rregullore, përveç të tjerash, po e përmend një element, që ka edhe disa kritere mbi sondazhet të cilat televizionet duhet t’i përmbahen nëse dëshirojnë t’i publikojnë ato, duke pa se në publikim e juaj e përmendët që sondazhet shpeshherë kanë qenë të fabrikuara, natyrisht përmes rrjeteve sociale të shpërndara dhe kanë qenë bazë e dezinformatave”.
Kontribut të rëndësishëm në diskutimin për gjendjen e çrregullimit informativ në Kosovë dhanë edhe pjesëmarrësit e tjerë, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve publike, mediave, partnerëve ndërkombëtarë, etj.
Linku i prezantimit të raportit: https://www.facebook.com/hibridinfo/videos/765353152503218
Shkarko këtu raportin e plotë në tri gjuhë.



