Shkroi: Fatbardh Dema
Në median sociale Telegram, kanale në gjuhën serbe, gjatë vitit 2025 kanë publikuar përmbajtje keqinformuese për dhe rreth Kosovës.
Hibrid.info gjatë vitit që shkoi ka gjetur e verifikuar gjithsej 15 përmbajtje të publikuara në 5 kanale, si “БУНТ је стање духа” (BUNT je stanje duha), “БУНКЕР” (BUNKER), “КОРИДОР” (KORIDOR), “Српска Спарта- Инфо” (Srpska Sparta-Info) dhe “Српски Инат” (Srpski Inat).
Këto përmbajtje, pas verifikimit nga hibrid.info, u vlerësuan si “lajme të rreme”, “teori konspirative”, “dezinformata”, “manipulime të fakteve” dhe “përmbajtje të paverifikuara”.
LAJME TË RREME
- Kanali “KORIDOR”, përmes një postimi të datës 15 janar të këtij viti, pretendoi se amerikanët dhe shërbimet e tyre kanë manipuluar masakrën e Reçakut më 15 janar, 1999. (këtu)
Në këtë përmbajtje thuhet se amerikanët i vranë viktimat e pafajshme në fshatrat e afërta dhe i tërhoqën zvarrë në Reçak, si arsyetim, siç thuhet, për të “vrarë Serbinë”.
Hibrid.info ka gjetur se të gjitha këto pretendime janë demantuar me fakte dhe argumente të qarta nga organizatat ndërkombëtare të besueshme, se masakra e Reçakut u krye nga forcat serbe.
- I njëjti kanal, më 11 shkurt publikoi një përmbajtje përmes së cilës pretendoi se “Në Jarinjë aktualisht forca të FIT-it, 7 autoblinda në të cilat po montojnë armatim Brownings, janë ngritur dronë, KFOR-i prezent”. (këtu)
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar nga burime zyrtare apo media kredibile në lidhje me pretendimin e lartcekur.
Po ashtu, ky pretendim i bërë nga llogaria në gjuhën serbe nuk ofron asnjë fakt që do ta mbështeste atë.
TEORI KONSPIRATIVE
- Përmes një postimi në Telegram nga kanali në gjuhën serbe “BUNKER” me datë 21 shkurt pretendohet se autorët e plaçkitjes së një kishe në Cërnicë të Gjilanit janë shqiptarë, të cilët kanë marrë gjësende me vlerë rreth 900 euro. (këtu)
Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, u vërtetua se nuk dihen kryerësit e kësaj vepre.
- Kanali në gjuhën serbe “KORIDOR” publikoi një përmbajtje në mbishkrimin e së cilës thuhet se “në Zubin Potok terroristët shqiptarë me rroba civile me vetura Golf 5 dhe 6 po shkojnë dhe po vendosin përgjues nën vetura”.
Hibrid.info ka gjetur se ky pretendim nuk mbështetet në fakte dhe nuk është raportuar as nga mediat kredibile e as nga Policia e Kosovës.
- Kanalet “BUNKER” dhe “Srpska Sparta-Info” kanë publikuar një pretendim se “një shqiptar i maskuar mbrëmë rreth orës 18:00 hoqi dhe mori trengjyrëshin (flamurin serb) të Kishës Ortodokse Serbe nga porta e kishës në Lipjan”. (këtu)
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi është i pabazuar në fakte, dhe se nuk dihet cilës etni i përket personi që dyshohet se kreu këtë vepër.
- “BUNKER”, përmes një postimi të publikuar më 13 dhjetor pretendon se “Shqiptarët rrëzuan dhe shkatërruan dy gurë varresh në varrezat e reja ortodokse në Plemetin, pranë Obiliqit”. (këtu)
Në këtë postim nuk ofrohen fakte që do e mbështesin pretendimin se kryerësit e kësaj vepre ishin shqiptarë.
Policia e Kosovës njoftoi më 16 dhjetor se janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për dëmtim të varrezave apo të kufomave, por në njoftimin zyrtar nuk është përmendur përkatësia etnike e të dyshuarve.
- Kanalet në gjuhën serbe në Telegram “Srpski Inat” dhe “KORIDOR”, përmes një postimi të publikuar të hënën (22 dhjetor) kanë pretenduar se “Aktualisht në KM inspektorët terroristë shqiptarë po i vizitojnë barnatoret serbe, jozyrtarisht mësojmë se atyre u është dhënë një afat për mbylljen e barnatoreve”. (këtu)
Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë media apo burim kredibil.
DEZINFORMATAT
- Kanali “KORIDOR” më 27 mars publikoi një përmbajtje, përmes së cilës pretendoi se qytetari i nacionalitetit serb, i plagosur gjatë një tentim-grabitjeje të armatosur në hapësirat e jashtme të Qendrës Tregtare “Albi Mall” në Veternik më 17 mars, nuk ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, por është vrarë nga mjekët shqiptarë në spital. (këtu)
Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se me datë 26 mars u raportua në media se ka vdekur në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), i dyshuari për tentim-grabitje, e që qe plagosur paraditen e 17 marsit në Veternik. Vdekjen e tij e konfirmoi shefi i Intensivës, Shaqir Uka.
- “BUNKER” më 6 mars publikoi një pretendim se autoritetet kosovare kishin arrestuar fëmijë të mitur pa asnjë arsye dhe pa informuar prindërit e tyre. (këtu)
Sipas hibrid.info dhe mediumit serb “Kossev.info”, gjashtë të mitur (fillimisht raportuar si katër serbë dhe dy shqiptarë) u arrestuan në Mitrovicën e Veriut për shkak të një konflikti mes tyre. Më vonë, Policia e Kosovës sqaroi se në stacion qëndruan vetëm një boshnjak dhe dy shqiptarë, ndërsa tre serbë u liruan. Rasti u cilësua si “lëndim i lehtë trupor”.
- “BUNKER” më 15 maj pretendoi se personi që u arrestua atë ditë nën dyshimet për krime lufte në komunën e Zveçanit, është ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës (PK).
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Personi i arrestuar nuk është ish-pjesëtar i PK-së.
- Nga kanalet në gjuhën serbe “KORIDOR” dhe “BUNKER” në Telegram pretendohet se më 14 dhjetor 1998, gjashtë të rinj serbë u vranë në një sulm në kafenenë “Panda” në Pejë nga “terroristët shqiptarë”. (këtu)
Këtë pretendim e patën hedhur në atë kohë udhëheqësit e shtetit serb, ndër ta Millosheviq, por që asnjëherë nuk janë ofruar dëshmi për të mbështetur një pretendim të tillë. Madje, pas luftës, tash presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në dy raste të caktuara ka mohuar që kryesit e këtij sulmi të kenë qenë shqiptarët.
MANIPULIMET E FAKTEVE
- “KORIDOR”, ka publikuar më 1 shtator një postim me pretendimin se Policia e Kosovës (PK) ndaluan një autobus që transportonte fëmijë në shkollë dhe në atë rast nxorën jashtë dy të mitur, të cilët u ndaluan nga policia me arsyen se kishin veshur bluza me simbolet e klubit të futbollit nga Beogradi “Cërvena Zvezda” (Ylli i Kuq) dhe të grupit të tifozëve të këtij ekipi “Delije”. (këtu)
Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info vërtetoi se përmbajtja e publikuar në Telegram është e manipuluar. Në realitet, të miturit kishin veshur bluza të fansave të klubit “Ylli i Kuq”, por me mbishkrime fyese.
- “KORIDOR” më 21 gusht, publikoi një përmbajtje me pretendimin se të shtunën (20 gusht), rreth orës 22:15 në Zubin Potok, Policia e Kosovës ndaloi një automjet civil në autostradë, nxori një serb nga makina dhe para kalimtarëve përdori forcë ndaj tij duke e rrëzuar përtokë, ofenduar, lidhur dhe më pas arrestuar. Sipas përmbajtjes së publikuar, i arrestuari pësoi lëndime të lehta në kokë, kurse arsyeja e këtij sulmi nga oficerët policorë është ende e panjohur.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi i bërë nga kanali i lartcekur nuk është i saktë. Në raportin 24 orësh të lëshuar nga Policia e Kosovës, u raportua në lidhje me këtë rast. Bazuar në këtë raport, personi i dyshuar ka penguar zyrtarët policorë kur ata ishin duke shqiptuar një gjobë në trafik dhe i njëjti ka pësuar lëndime trupore pasi ka rezistuar arrestimin.
PËRMBAJTJET E PAVERIFIKUARA
- Kanali “BUNKER” përmes një postimi të publikuar më 25 shkurt pretendon se “Terroristët shqiptarë mbrëmë në KeM kanë arrestuar gjashtë të rinj serbë pa asnjë arsye, duke përdorur forcë”. (këtu)
Sipas raportit zyrtar policor, arrestimi i gjashtë të rinjve serbë ka ardhur pasi me të intervenuar si pasojë e, siç thuhet, dyshimeve për një përleshje, zyrtarët policorë janë sulmuar nga të rinjtë serbë, me ç’rast tre prej tyre kanë pranuar trajtim mjekësor.
- Kanali “BUNT je stanje duha” më 28 gusht ka publikuar një postim me pretendimin se, sipas disa informacioneve që ata kanë marrë, shqiptarët po planifikojnë heqjen e monumentit të “Car Lazarit” në Mitrovicën e Kosovës. (këtu)
Pretendimi nuk mbështetet në fakte të verifikueshme dhe burimi nuk është i besueshëm.
Numri i ndjekësve në këto kanale
“БУНТ је стање духа” – 83 mijë 220 ndjekës
“БУНКЕР” – 24 mijë e 114 ndjekës
“Српска Спарта- Инфо” – 14 mijë 378 ndjekës
“КОРИДОР” – 11 mijë e 16 ndjekës
“Српски Инат” – 603 ndjekës