Përmes një imazhi të publikuar më 26 gusht në Facebook nga faqja “Kosova e Re”, pretendohet se Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka njoftuar se nga 27 gushti do të fillojnë reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë me orar “4:2”, përkatësisht katër orë me energji elektrike dhe dy orë pa energji.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas verifikimit të fakteve nga Hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i rremë.
FAKTET
Fillimisht, Hibrid.info ka kërkuar në Google për informacione lidhur me pretendimin. Rezultatet e kërkimit nuk tregojnë se një njoftim i tillë është publikuar nga mediat apo burime të tjera kredibile (shih këtu).
Po ashtu, në seksionin “Lajme/Komunikata” të ueb-faqes zyrtare të KEDS-it nuk është gjetur ndonjë njoftim për fillimin e reduktimeve të energjisë elektrike me orar “4:2” (shih këtu).
Megjithatë, KEDS ka publikuar njoftime për ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në disa qytete të Kosovës gjatë datave 27, 28 dhe 29 gusht. Sipas këtyre njoftimeve, ndërprerjet janë të lidhura me punime në rrjet dhe jo me një skemë të përgjithshme të reduktimeve “4:2”.
KEDS i ka klasifikuar këto punime si “Punime të domosdoshme për siguri të sistemit”, “Punime në projekte investive” dhe “Punime nga palët e treta”(shih këtu).
Hibrid.info ka gjetur gjithashtu njoftimet e KEDS-it për këto punime të publikuara në disa media online në Kosovë (shih këtu dhe këtu).
Pra, bazuar në të dhënat e verifikuara, KEDS nuk ka njoftuar për fillimin e reduktimeve të energjisë elektrike me orar “4:2” në Kosovë, siç pretendohet në përmbajtjen e publikuar nga faqja “Kosova e Re”. Ndërprerjet e njoftuara për datat 27, 28 dhe 29 gusht lidhen me punime të planifikuara në rrjet.
Transparenca e faqes “Kosova e Re” në Facebook
Faqja “Kosova e Re” në platformën Facebook ka mbi 55 mijë ndjekës. Sipas të dhënave të transparencës, faqja është krijuar më 25 nëntor 2019, menaxhohet nga Kosova dhe ka dy administrator. Historiku i faqes tregon se ajo ka ndryshuar emrin gjashtë herë që nga krijimi i saj (shih këtu).

Analiza
Një imazh i publikuar në Facebook pretendon se KEDS ka njoftuar për fillimin e reduktimeve të energjisë elektrike në gjithë Kosovën me orar “4:2”, duke nisur nga 27 gushti. Megjithatë, ky pretendim është i rremë.
KEDS ka njoftuar vetëm për ndërprerje të planifikuara të energjisë në zona të caktuara, të cilat lidhen me punime të mirëmbajtjes, investime dhe ndërhyrje të tjera në rrjet gjatë datave 27, 28 dhe 29 gusht.
Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga KEDS për një skemë të përgjithshme të reduktimeve “4:2”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.