Shkroi: Fatbardh Dema
Përdoruesit e aplikacionit telefonik për komunikime, “WhatsApp”, kanë filluar të pranojnë një njoftim në të cilin shfaqet një kod 6-shifror.
Njoftimi shfaqet në momentin që përdoruesit hapin aplikacionin. Në të shkruan “Enter this verification code on your new phone / Do not share it with anyone. If you didn’t request a code, you can safely ignore this. (shqip: Fut këtë kod verifikimi në telefonin tënd të ri / Mos e ndaj me askënd. Nëse nuk ke kërkuar një kod, mund ta injorosh këtë në mënyrë të sigurt).
Lexues të hibrid.info kanë dërguar në emailin tonë këtë njoftim të WhatsApp, duke sqaruar se kodi po u vjen pa kërkesën e tyre dhe se nuk kanë ndërruar pajisjen (telefonin).

Çka janë këto kode?
Marrja e një kodi fjalëkalimi një-përdorimesh (OTP) që nuk e keni kërkuar me mesazh ose email mund të jetë një shenjë se dikush po përpiqet të hyjë në njërën nga llogaritë tuaja online për të fituar qasje në informacionin tuaj privat.
OTP është një kod numerik që përdoret si një formë shtesë verifikimi për të vërtetuar përdoruesit përpara se ata të mund të hyjnë në llogaritë e tyre. Ky kod mund të përdoret vetëm një herë. Marrja e një kodi OTP që nuk e keni kërkuar mund të nënkuptojë se dikush tjetër po përpiqet të hyjë në llogaritë tuaja, prandaj është e rëndësishme të veproni shpejt. (shih këtu)
Çka thotë WhatsApp për kodet që vijnë pa i kërkuar?
Kur e merrni këtë njoftim pa kërkuar një kod verifikimi, kjo do të thotë që dikush ka futur numrin tuaj të telefonit dhe ka kërkuar kodin e regjistrimit. Kjo ndodh shpesh nëse një përdorues tjetër ka shkruar gabimisht numrin tuaj kur përpiqet të futë numrin e vet për t’u regjistruar dhe mund të ndodhë edhe kur dikush përpiqet të marrë kontrollin e llogarisë suaj. (shih këtu)
Verifikimi me dy hapa (two-step verification) është një veçori opsionale që i shton më shumë siguri llogarisë suaj WhatsApp.
Shih këtu se si mund ta siguroni llogarinë tuaj përmes verifikimit dy hapësh (two-step verification)
WhatsApp sqaron se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të identifikuar individin që po përpiqet të verifikojë llogarinë tuaj WhatsApp, duke shtuar se nëse dikush hyn në llogarinë tuaj nga një pajisje tjetër nuk mund t’i lexojë bisedat tuaja të kaluara.
Hibrid.info gjatë hulumtimit të kryer online, gjeti një artikull të publikuar në platformën “Caymancompass.com”, e cila kishte trajtuar të njëjtin njoftim që shfaqet në aplikacionin WhatsApp. (shih këtu)
Kreu i Ekipit të Krimit Kibernetik të Shërbimit Policor të Ishujve Mbretërorë Kajman, John Watson, kishte sqaruar se brenda një viti, 24 banorë të Ishujve Kajman kanë rënë viktimë e këtij mashtrimi në WhatsApp, dhe se disa prej këtyre viktimave kanë humbur para nga mashtruesit.
“Pra, unë mund të përdor një telefon dhe të provoj të krijoj një llogari në WhatsApp duke përdorur numrin e telefonit të një personi, për shembull. Do të arrij deri te pika ku duhet të bëj autentikimin. Aty, kodi i verifikimit do të shkojë te telefoni i atij personi. Ajo që duhet të bëj unë tani, si keqbërës apo mashtrues, është… të të bind ty që të ma japësh atë kod gjashtëshifror. Pasi ta kem atë kod gjashtëshifror, unë në thelb e kontrolloj llogarinë tënde dhe mund të të përjashtoj nga ajo”, shpjegoi ai.
Si të veproni nëse dikush ka marr qasjen e llogarisë tuaj në WhatsApp?
Kliko Log back in > Continue (Hyni përsëri > Vazhdoni).
Nëse kërkohet, shkruani numrin tuaj të plotë ndërkombëtar të telefonit dhe klikoni Next > Ok (Tutje > Në rregull).
Shkruani kodin 6-shifror që merrni përmes SMS-it ose thirrjes telefonike.
Kur ri-regjistroni llogarinë tuaj me kodin 6-shifror, të gjitha pajisjet e kyçura në llogarinë tuaj WhatsApp do të shkyçen automatikisht.
Mund të kërkohet të futni një PIN për verifikimin me dy hapa (two-step verification). Nëse nuk e dini PIN-in tuaj, në raste të rralla dikush tjetër që përdor llogarinë tuaj mund ta ketë aktivizuar verifikimin me dy hapa. Nëse nuk keni PIN-in, prisni 7 ditë dhe provoni përsëri. Edhe nëse e dini PIN-in apo jo, çdokush që po përdor llogarinë tuaj shkyçet automatikisht pas futjes së kodit 6-shifror SMS.
Nëse dyshoni që dikush tjetër po përdor llogarinë tuaj në WhatsApp, duhet të njoftoni familjarët dhe miqtë, sepse ky person mund të maskohet si ju në biseda dhe grupe. Për të ndihmuar në mbrojtjen e llogarisë, WhatsApp do t’ju njoftojë kur dikush të përpiqet të regjistrojë një llogari me numrin tuaj të telefonit. (shih këtu)



