Artikull nga EU vs Disinfo
Një numër vlerësimesh të fundit mbi rreziqet globale tregojnë një mesazh të qartë: manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI), dezinformimi dhe keqinformimi janë shndërruar në një kërcënim sistemik për demokracitë në mbarë botën. Kjo nuk është më thjesht një çështje e “lajmeve të rreme”, por një rrezik strukturor që minon kushtet për rritje ekonomike, mirëqenie sociale dhe institucionet liberale.
Një tjetër mesazh i qartë që del nga këto raporte është rëndësia e një ekosistemi të fuqishëm mediatik në shërbim të interesit publik, si një mekanizëm mbrojtës kundër manipulimit të informacionit.
Si manipulimi i informacionit e gërryen qëndrueshmërinë globale
Raporti i Rreziqeve Globale 2026 (shih këtu) i Forumit Ekonomik Botëror e rendit keqinformimin dhe dezinformimin si rrezikun e dytë më serioz global në afat të shkurtër, pak më poshtë nga vendi i parë që mbanin në vitin 2025 (shih këtu). Raporti paralajmëron se keqinformimi, dezinformimi dhe rreziqe të tjera teknologjike mund të thellojnë ndarjet politike, kulturore ose identitare brenda shoqërive, duke dëmtuar diskursin publik dhe duke dobësuar reagimet ndaj krizave. Si rrjedhojë, këto zhvillime “rrisin rrezikun e shtimit të mosbesimit digjital dhe të zbehjes së vendimmarrjes ambicioze socio-mjedisore, në një kontekst të prioriteteve afatshkurtra në ndryshim dhe narrativave gjithnjë e më nacionaliste.”
Raporti Global i Rrezikut i Kombeve të Bashkuara (shih këtu) thekson se çrregullimi informativ është një “faktor që shumëfishon rreziqet”, i cili përkeqëson kërcënime të tjera globale si konfliktet, pandemitë dhe ndryshimet klimatike, duke sabotuar bazën e përbashkët të provave të nevojshme për vendimmarrje kolektive dhe reagime të koordinuara.
Një parashtresë e fundit (shih këtu) drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (HRC) e ka klasifikuar dezinformimin si një rrezik sistemik për një gamë të gjerë të të drejtave të njeriut. Ajo dokumenton se si fushatat FIMI po synojnë gjithnjë e më shumë komunitetet e margjinalizuara, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe mediat e pavarura, në një kontekst të tkurrjes së hapësirës qytetare dhe rënies së besimit në institucione.
Për më tepër, raporti i tretë i kërcënimeve mbi FIMI-n (shih këtu) nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), i publikuar marsin e kaluar, vuri në dukje se FIMI kishte në shënjestër 90 vende të ndryshme gjatë vitit 2024. Ndërsa Ukraina (shih këtu) ishte viktima kryesore, fushatat FIMI kishin në shënjestër gjithashtu Francën (shih këtu), Gjermaninë (shih këtu), Moldavinë (shih këtu), Afrikën nën-Sahariane (shih këtu) dhe shumë vende të tjera (shih këtu). Ky konstatim theksoi natyrën globale të këtij kërcënimi.
Marrë së bashku, këto raporte e përshkruajnë FIMI-n, dezinformimin dhe keqinformimin jo thjesht si sfida të komunikimit, por si rreziqe globale të integruara që rivalizojnë kërcënimet më tradicionale të sigurisë dhe ekonomisë.
Informacioni i besueshëm dhe mediat e interesit publik si mekanizma mbrojtës
Në këtë kontekst, mediat e forta në shërbim të interesit publik shfaqen si mekanizma thelbësorë mbrojtës si për qëndrueshmërinë ekonomike, ashtu edhe për atë demokratike.
Raporti “Imperativi Ekonomik” (shih këtu) argumenton se gazetaria e pavarur, e bazuar në fakte, përmirëson funksionimin e tregjeve, rrit llogaridhënien dhe mbështet rritjen gjithëpërfshirëse, duke siguruar që qytetarët dhe politikëbërësit të ndajnë një bazë të përbashkët provash.
Raporti gjithashtu dokumenton se si mediat e forta në shërbim të interesit publik mund të rrisin efikasitetin e qeverisjes, të ulin korrupsionin dhe të përmirësojnë rezultatet shoqërore, veçanërisht kur ato ofrojnë mbulim të thelluar të fushave komplekse të politikave publike, si shëndetësia apo arsimi.
Mbështetja për mediat e pavarura, edukimin mediatik dhe transparencën e platformave digjitale është thelbësore për qëndrueshmërinë demokratike. Integriteti i informacionit është një e mirë publike që duhet të mbrohet në mënyrë aktive përmes masave rregullatore dhe investimeve, dhe jo t’i lihet në dorë forcave të tregut.
Në praktikë, kjo do të thotë ndërtimi i ekosistemeve informative të qëndrueshme, ku mediat e besueshme kanë modele të qëndrueshme biznesi, audiencat kanë aftësitë për të naviguar në mjedise komplekse mediatike dhe rregullat e qeverisjes së platformave dekurajojnë përforcimin e përmbajtjes mashtruese. Masa të tilla janë qendrore për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe për performancën ekonomike.
Ky është një përkthim i pjesshëm i artikullit të publikuar nga EUvsDISINFO. Për arsye redaktoriale janë përzgjedhur vetëm disa pjesë. Artikulli origjinal mund të gjendet këtu.



