[email protected]
Lajm i rremë për pjesëmarrjen e Kosovës në AP të NATO-s
shape
shape
shape

Shkroi: Altina Marmullaku

Një pretendim i publikuar nga një medium në gjuhën serbe, është transmetuar edhe në mediat në gjuhën shqipe.

Pretendimi i “RT Balkan”, i publikuar më 26 nëntor, thotë se në seancën e Asamblesë Parlamentare të mbajtur në Montreal të Kanadasë në datat 22-25 nëntor, ka marrë pjesë edhe delegacioni i Kosovës.

Një ditë më vonë (27 nëntor), pretendimin e mediumit në gjuhën serbe e ka transmetuar edhe së paku një medium në gjuhën shqipe në Kosovë.

Çka tha “RT Balkan” e çka “Gazeta Express”?

Mediumi në gjuhën serbe “RT Balkan”, në një artikull të publikuar më 25 nëntor me titull “RT Ballkan mëson: NATO nuk u ka dhënë viza deputetëve serbë”, dhe me nëntitull “Kanadaja nuk ka lejuar dy përfaqësues të Serbisë që të shkojnë në seancën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Montreal. Shteti i rremë i Kosovës është mysafir i rrallë”, ka pretenduar se delegacioni i Kosovës ka qenë pjesëmarrës në këtë seancë.

Të njëjtin pretendim, të marrë nga mediumi i sipërpërmendur në gjuhën serbe, e ka plasuar edhe mediumi në gjuhën shqipe në Kosovë, “Gazeta Express” me titull “Seanca plenare e NATO-s: Kosova ishte pjesëmarrëse – delegacionit serb iu refuzuan vizat, shkak dyshohet të jetë rreshtimi nga ana e Rusisë”. (këtu)

Çka nuk shkon me këtë artikull?

Media në gjuhën shqipe ka transmetuar informacionin e pa saktë të medias në gjuhën serbe duke pretenduar se delegacioni i Kosovës ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s në Montreal, Kanada.

Por, mediumi tjetër në gjuhën shqipe, “AlbanianPost”, më 25 nëntor ka raportuar se delegacioni i Kosovës në fakt nuk ka marrë pjesë në këtë seancë të AP të NATO-s.

Kryesuesi i Delegacionit të Kosovës në AP të NATO-s, Driton Hyseni, kishte thënë se një nga arsyet e mungesës në sesionin e dytë vjetor ka qenë nevoja që ai “të jetë i pranishëm në vend për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për të votuar buxhetin e vitit 2025”.

Mospjesëmarrjen e Kosovës në seancën plenare të NATO-së e kishte konfirmuar edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.

“Administrata e Kuvendit të Kosovës është vonuar në dërgimin e vizave… edhe unë jam vonuar. Sa i përket buxhetit, mund të jetë edhe ajo arsye, por nuk e di”, kishte thënë Haliti.


Analiza

Lajmi i publikuar nga “Gazeta Express” është marrë nga mediumi në gjuhën serbe “RT Balkan”, i cili flet për arsyet e mospjesëmarrjes së delegacionit serb në AP të NATO-s në Montreal. Në atë artikull u tha se në këto punime mori pjesë delegacioni i Kosovës.

Por, ky pretendim (më 26 nëntor në “RT Balkan” dhe më 27 nëntor në “Gazetën Express”) ishte mohuar qysh para se të publikohej i njëjti në këto dy media, pasi anëtarët e delegacionit të Kosovës ishin deklaruar më 25 nëntor se nuk do të jenë pjesëmarrës në punimet e kësaj seance, për arsye të ndryshme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta artikuj si “Lajm i rremë”.

Lajm i rremë

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.


Ky artikull është përgatitur si pjesë e projektit ‘Kundër Dezinformimit përmes Inovacionit dhe Mësimit Eksperimental’, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Artikulli është verifikuar nga ekipi i Hibrid.info dhe ekspertët e angazhuar për të siguruar përputhjen me metodologjinë tonë për verifikimin e fakteve. Ky artikull përmban verifikime të mirëfillta, por nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Hibrid.info apo të Ambasadës së SHBA-së.

Share With Others

Translate »