Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh… Të fundit | Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presi… Të fundit | Hibrid.info në shënjestër të fushatës dezinformuese ruse “Matryoshka” me na… Të fundit | Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xham… Të fundit | Paraqiten si fakte të kryera ndarja e shtesave për fëmijë dhe pensionistë
[ ARTIKULLI ]

Me fotografi të vjetra pretendohet rrejshëm për mbingarkesa të pompave të derivateve në Shkup

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet dy fotografive të publikuara në Facebook, llogaria “Lajme Nga Bota” ka pretenduar për kolona të veturave në pompat e derivateve në Maqedoni të Veriut (këtu dhe këtu).

Madje sipas pretendimit, disa pompa në Shkup kanë mbetur pa derivate për shkak të blerjeve që po i bëjnë qytetarët nga paniku.

Publikimet janë bërë më 2 dhe 3 mars, duke i lidhur pretendimet me paralajmërimet për shtrenjtim të derivateve si pasojë e shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.


Cila është e vërteta?

Fotografitë e përdorura në këto dy postime, nuk janë të ditëve të fundit. Hibrid.info ka kërkuar lidhur me këto përmbajtje duke përdorur programin e automatizuar “InVID”. Rezultojnë se janë fotografi të vjetra me vite, e madje njëra prej tyre nuk është as në Maqedoni të Veriut.

Për më shumë, nuk ka pasur raportime se në Maqedoni të Veriut është krijuar panik i tillë e se pompa të caktuara kanë mbetur pa derivate.

Pretendimet dhe faktet:

“Panikë e madhe tek qytetarët në Maqedoni pas lajmit për shtrejtimin e derivateve, shkak luftës në lindjen e mesme, pompat e derivateve të stërmbushura nga veturat”, është përshkrimi i fotografisë së publikuar më 2 mars nga kjo llogari.

Në fotografi shihen disa vetura duke pritur në radhë për t’u furnizuar me derivate në një pompë benzine. Por përderisa pretendimi e lidh imazhin me situatën aktuale, pas konfliktit në Lindjen e Mesme, e vërteta është se fotografia është e vitit 2022. Bëhet fjalë për një imazh të publikuar në uebfaqen “meta.mk”, që ka marrë edhe autorësinë e fotografisë. Aty raportohej për një vendim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në lidhje me uljen e Tatimit në Vlerë të Shtuar mbi çmimet e derivateve (shih këtu).


Llogaria e njëjtë e publikoi edhe një fotografi që pretendon se shfaq “situatë të jashtëzakonshme” në Maqedoni të Veriut.

“E jasht zakonshme në Maqedoni, zbrazen pompat e derivateve: disa pompa në Shkup kanë mbetur pa derivate pasi që shumica kanë blerë kurse pjesa tjetër e qytetarëve kanë mbetur të pa furnizuar, kurse rritja e çmimeve për litër të derivateve që sonte ka filluar”, ishte përshkrimi i fotografisë së 3 marsit, që po ashtu shfaq vetura duke pritur në radhë në një pompë derivatesh.

Nëpërmjet kërkimit me imazh, doli se ajo është publikuar fillimisht në faqen “dreamstime.com”, platformë online për fotografi. Në përshkrim të kësaj fotografie bëhet e ditur se ajo ishte shkrepur në Iasi të Rumanisë më 9 mars 2022, pas keqinformimit për ngritjen e mundshme të çmimit.


Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët “çmimi i naftës në Maqedoni të Veriut”. Rezultatet çuan në një artikull të “telegrafi.com” që më 2 mars kishte raportuar për ngritje të çmimit të shitjes me pakicë të derivateve të naftës me vlerë mesatare prej 1.13% në raport me vendimin e 27 shkurtit.

Ndërkaq kërkimi me fjalët “disa pompa në Shkup mbesin pa derivate” për artikuj në javën e fundit, nuk rezulton në asgjë.


Çmimi i naftës

Izraeli dhe SHBA kanë kryer sulme ajrore ndaj Iranit të shtunën (28 shkurt 2026). Irani ndërkaq ka nisur t’i sulmojë Izraelin dhe bazat ushtarake amerikane në rajon. Sulme ka pasur çdo ditë nga të dyja palët (shih këtu).

Çmimi i derivateve është paralajmëruar se ka mundësi të ngrihet për shkak se Irani ka paralajmëruar anijet të mos kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, që shërben si një prej rrugëve kyçe, përmes së cilës transportohet rreth 20 për qind e naftës dhe gazit botëror (shih këtu).

Megjithatë, nuk ka pasur raportime për mungesë të derivateve në rajon.


Përmbajtjet u trajtuan për shkak se dy fotografitë kanë marrë 70 komente, një pjesë e të cilëve duket se i ka marrë si të mirëqena pretendimet.


Analiza

Përmes dy fotografi të publikuara në Facebook është pretenduar rrejshëm se paraqesin dëshmi të kolonave të veturave dhe mungesës së derivateve në Maqedoni të Veriut.

Verifikimi tregon se ato janë imazhe të vjetra: njëra nga viti 2022 në Maqedoni të Veriut, ndërsa tjetra nga Rumania.

Nuk ka raportime që pompat në Shkup kanë mbetur pa derivate apo për panik të tillë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere