[email protected]
Petkoviq dhe disa media në gjuhën serbe pretendojnë pa fakte se FSK po përgatitet për sulm në veri të Kosovës
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Novosti” ka publikuar dje (26 dhjetor) një artikull me pretendimin se autoritetet e Prishtinës kanë vënë në gatishmëri 1500 pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe janë gati për të sulmuar veriun.

Pretendimit për përgatitje ushtarake për të sulmuar veriun i është bashkangjitur edhe Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Për televizion publik serb RTS, Petkoviq sot (27 dhjetor) deklaroi se vendosja e njësive të Ushtrisë dhe MPB-së serbe në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake rrodhi, siç pretendon ai, si pasojë përgatitjes FSK-së në nivelin më të lartë për të sulmuar popullin serb.

Për këto pretendimet si mediumi “Novosti” po ashtu edhe Petar Petkoviq nuk ofrojnë ndonjë fakt konkret për pretendimet e hedhura.

Për më tepër, pretendimet për një organizim të tillë ushtarak nga ana e Kosovës janë demantuar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Novosti”:

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1186196/kurti-stavio-vojsku-borbenu-gotovost-sprema-udar-sever-kim-1500-specijalaca

Vegëza e deklaratës së Petkoviqit në RTS:

https://www.rts.rs/page/stories/sr/story/9/politika/5070127/petkovic-kurti-zeli-da-bude-gospodar-zivota-i-smrti.html

Pjesë të artikullit të publikuar në “Novosti”:

Autoritetet në Prishtinë vendosin të ashtuquajturat Forcat e sigurisë së Kosovës janë në gatishmëri të plotë luftarake dhe janë gati të sulmojnë veriun e Kosovës dhe Metohisë me 1500 pjesëtarë të tyre, mëson jozyrtarisht Novosti.

Ky urdhër vlen për njësitë nga Prishtina, Peja dhe Prizreni.

Siç mësojmë nga qarqe të afërta me KFOR-in, Prishtina ka lëshuar urdhër që pjesëtarët e forcave të sigurisë të jenë sonte në kazermë ose brenda rrezes së telefonave celularë, të gatshëm për të lëvizur gjatë natës.

Pjesë e deklaratës së Petar Petkoviq në RTS:

Duke pasur parasysh se Kosova e ngriti gatishmërinë luftarake të forcave të sigurisë së Kosovës në nivelin më të lartë, duke i përgatitur ato njësi, tyta të gjata dhe automjete të blinduara për të sulmuar popullin serb në veri të Kosovës me qëllim që të sulmojnë gratë, pleqtë tanë, fëmijët, burrat, njerëzit tanë që vetëm në barrikada mbrojnë të drejtën e jetës së zhveshur.


Pretendimet e veta mediumi serb i bazon në burime jozyrtare duke mos ofruar asnjë informatë shtesë, fotografi apo video, që do të plotësonin atë.

Njëjtë sikurse ky medium, edhe Petkoviq, deklaratën e tij nuk e bazon në fakte.

Këto pretendime janë mohuar nga përfaqësues institucionalë të Kosovës.

Është ministri i Punëve të Brendshme (MPB) të Kosovës, Xhelal Sveçla, ai që deklaroi që deklarimet se “Kosova ka ngritur gjendje gatishmërie” janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi – Rusi. Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Serbia është ajo që u ndikua nga Rusia, sipas tij, Beogradi ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake.

“Serbia po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë. Nuk jemi të interesuar për luftë por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit”. (këtu)

Sveçla, gjithashtu mohon pretendimet për vënie në gatishmëri të Policisë së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës për t’i sulmuar serbët.

“Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlen edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve”. (këtu)


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “Novosti” ka publikuar një artikull me pretendimin se autoritetet e Prishtinës kanë vënë në gatishmëri 1500 pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe janë gati për të sulmuar veriun.

Pretendimit për përgatitje ushtarake për të sulmuar veriun i është bashkangjitur edhe Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq.

Pretendimet për një organizim të tillë ushtarak nga ana e Kosovës janë demantuar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others