info@hibrid.info
Mediat digjitale te të moshuarit mbi 60 vjeç: Pesë mësime kryesore
shape
shape
shape
EDU

Me zgjerimin e burimeve të informacionit dhe kanaleve të mediave gjatë dekadave të fundit, edukimi mbi medien dhe informacionin (MIL – Media and Information Literacy) është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Synimi i MIL-it është t’u ofrojë njerëzve kompetenca dhe aftësi që u mundësojnë të përfshihen në mënyrë të përgjegjshme e efektive me median dhe informacionin online. Me rritjen eksponenciale të burimeve digjitale, është bërë gjithnjë e më urgjente nevoja për zhvillim të aftësive për media dhe informacion digjital (DMIL – Digital Media and Information Literacy).

A i kanë njerëzit mbi 60 vjeç aftësitë e nevojshme për të përdorur mediat digjitale?

Në shumë rajone të botës, jo vetëm të rinjtë, kanë qasje në media digjitale. Edhe të moshuarit, po iu drejtohen mediave digjitale dhe burimeve të informacionit, shpesh për shkak të nevojës (si në rastet kur shërbimet publike ofrohen online), por edhe për arsye personale, si mbajtja e kontakteve me familjarët përmes rrjeteve sociale. Gjithsesi, ekziston ende perceptimi se të moshuarit janë më pak të aftë dhe se kanë nevojë për ndërhyrje për t’u përshtatur me mediat digjitale. Kjo ngre pyetjen nëse ata zotërojnë kompetencat e nevojshme për të përballuar sfidat e mjedisit digjital – dhe nëse merren mjaftueshëm në konsideratë në nismat për zhvillimin e MIL dhe DMIL.

Sipas një analize të “DW Akademie” për këtë çështje, ekziston ende mungesë studimesh gjithëpërfshirëse për aftësitë mediatike të të moshuarve. Iniciativat shpesh fokusohen vetëm në aspektin teknik të aftësive digjitale dhe jo në kompetencat e gjera mediatike, ndërsa shumica e studimeve janë përqendruar në vendet e zhvilluara të veriut, duke lënë boshllëqe në kuptimin global të fenomenit.

1. Të moshuarit nuk janë grup homogjen

    Në përgjithësi, personat mbi 60 vjeç shpesh trajtohen si një kategori e vetme. Këta të moshuar shpesh shihen si më pak të aftë dhe që kanë nevojë si grup të ndërhyhet. Megjithatë, analizimi i studimeve për aftësitë digjitale në këtë grup tregoi se ndarja sipas moshës nuk qëndron për DMIL. Të moshuarit kanë nivele të ndryshme njohurish dhe aftësish në përdorimin e mediave digjitale, si dhe motivime dhe interesa të ndryshme në përdorimin e teknologjisë. Edhe hulumtimet brenda një shteti të vetëm kanë treguar se përdorimi i medias digjitale është i larmishëm brenda grupit.

    Në Suedi, një nga vendet më lidhjet më digjitale në botë, u gjet se personat e moshës 80–85 vjeç përdorin internetin shumë më rrallë se ata 60–80 vjeç. Që në vitin 2014, përdorimi i internetit te grupmosha 60–64 ishte tashmë në përputhje me pjesën tjetër të popullsisë. Në Islandë, hulumtimi tregoi se në vitin 2012 të moshuarit kërkonin më shumë informacion në internet se në vitin 2002, por grupmosha 60–67 vjeç ishte bërë më kritike ndaj informacionit që merrte online. Këto gjetje theksojnë se, brenda grupit “mbi 60”, aftësitë digjitale ndryshojnë ndjeshëm, si në qasjen në informacion ashtu edhe në vlerësimin e tij.

    2. Mosha nuk është faktori më i rëndësishëm për përcaktimin e përdorimit të mediave digjitale

    Analiza e studimeve tregoi se mosha nuk është faktori kryesor që përcakton përdorimin e mediave digjitale tek të moshuarit. Në vend të saj, karakteristikat shoqërore dhe niveli i arsimimit duken më përcaktuese. Në një studim, personat me arsim më të ulët, shëndet të dobët, probleme kujtese dhe që jetonin vetëm, ishin më të rrezikuar nga përjashtimi digjital.

    Një studim gjerman mbi të rriturit 65–90 vjeç tregoi se meshkujt më të rinj me arsim universitar kishin përdorim më të gjerë dhe më të aftë të internetit. Një studim suedez tregoi se tek grupmosha 66–85 vjeç, zakonet e përgjithshme të përdorimit të internetit, gjinia dhe interesat politike ishin faktorët kryesorë që ndikonin në qasjen ndaj lajmeve online.

    Një studim ndërkombëtar që krahasonte të moshuar në Kanada, Holandë, Spanjë dhe Suedi zbuloi se mosha ishte faktori më pak i rëndësishëm për mënyrën e përdorimit të smartphone-it – ndërsa politikat kombëtare, konteksti sociokulturor dhe arsimi kishin ndikim më të madh. Grupe të ndryshme midis të moshuarve e përdorin internetin për funksione të ndryshme që nga lojërat e te menaxhimi i ndryshëm, sië është edhe shërbimi bankar.

    Pra, çfarë nënkupton kjo? Së pari, edhe pse mosha nuk është përcaktuesi kryesor për nivelin e aftësive digjitale, ajo mund ta vështirësojë qasjen dhe interpretimin e informacionit për grupet e ndjeshme (p.sh. ata me arsim të kufizuar ose pa mbështetje shoqërore).

    Së dyti, arsimi ka rëndësi për përdorimin e internetit. Duke qenë se nivelet e shkrim-leximit ndryshojnë në botë, me femrat që në raste janë më pak të arsimuara, është e rëndësishme të forcohen së pari aftësitë bazë të shkrim-leximit, teksa punohet paralelisht e për aftësimin digjital. Është e rëndësishme të ketë fokus special te grupet e margjinalizuara apo në disavantazh për DMIL. Duhet të merren në konsideratë qasjet për të adresuar pabarazitë sociale, përveç qasjes që rrisin njohuritë digjitale dhe informative mediatike.

    Së treti, arsimi, shëndeti fizik e mendor, dhe konteksti social kontribuojnë të gjithë në përdorimin kompetent të mediave digjitale. Prandaj, nismat duhet të jenë të detajuara, duke marrë parasysh personin në tërësi dhe rrethanat e tij, përfshirë politikat kombëtare, e jo vetëm qasjen apo përdorimin e pajisjeve digjitale.

    3. Përdorimi i mediave digjitale dhe lidhjet shoqërore ecin dorë për dore

    Në një studim britanik për një nismë që u mësonte aftësi digjitale të moshuarve që jetonin në të njëjtin vend, u pa se takimet fizike mbeten të rëndësishme, madje të preferuara para atyre online. Po ashtu, një studim në zonat rurale në Finlandë tregoi se kompetenca digjitale kuptohet më mirë si aftësi e përbashkët në një kontekst social — midis çifteve të moshuara, familjeve me tre breza dhe rrjeteve informale të fshatarëve — sesa si aftësi individuale.

    Si rezultat, teknologjia digjitale dhe përdorimi i saj duhet të shihen si pjesë e repertorit të lidhjeve shoqërore të dikujt, në mënyrë që në një farë mënyre të përshtatet në lidhjet dhe zakonet shoqërore ekzistuese. Duket se funksionon më mirë duke plotësuar ndërveprimet e tjera në vend që t’i zëvendësojë ato.

    Kur mendojmë për programet DMIL në komunitete të veçanta, është e rëndësishme të shikohen zakonet dhe lidhjet ekzistuese të të rriturve të moshuar në mënyrë që të kuptohet më mirë lloji i kompetencave të medias digjitale që mund t’i shtojnë vlerë konteksteve të atyre që tashmë ekzistojnë. Duke pasur parasysh se ata mund të kenë më shumë kohë të lirë krahasuar me grupet më të reja, të moshuarit mund të jenë më të prirur të angazhohen në ndërveprime fizike sesa virtuale. Kjo është me vlerë në vetvete dhe nuk duhet domosdoshmërisht të zëvendësohet nga aftësi dixhitale.

    4. Nevoja për të mësuar aftësi digjitale nuk duhet marrë si e mirëqenë

    Edhe pse DMIL shihet si një grup thelbësor kompetencash për qytetari digjitale, është e rëndësishme të merret parasysh nëse të gjithë të moshuarit duan t’i fitojnë këto aftësi.

    Studime në Itali, Tajvan dhe Australi treguan se ndonjëherë të moshuarit nuk janë të hapur për të marrë më shumë aftësi digjitale ose për t’i përdorur ato. Për disa, fakti që anëtarët e rinj të familjes mund të kryenin detyra digjitale në vend të tyre ishte arsye e mjaftueshme për të mos mësuar. Për të tjerë, ngurrimi lidhej me kundërshtimin ndaj kulturave të mediave sociale, si selfiet, që konsideronin se ishte kundër vlerave dhe interesave të tyre.

    Për një grup tjetër, të mësuarit e teknologjisë digjitale dhe përdorimi i mesazheve multimediale lidhej më pak me moshën, arsimin ose gjininë, por më shumë me një qasje pranuese ndaj teknologjisë dhe dobinë e perceptuar të aftësive të reja në jetën e përditshme.

    Këto gjetje tregojnë se kompetencat digjitale nuk janë universale dhe se duhet të ketë vlerë të shtuar për jetën e përditshme që të justifikohet mësimi i tyre.

    Të moshuarit ndonjëherë ngurrojnë të angazhohen në disa kultura të mediave sociale, sepse ato shkojnë kundër vlerave, interesave ose nevojave të tyre. Kjo thekson faktin se përfshirja dhe pjesëmarrja digjitale nuk kanë të bëjnë vetëm me qasjen, përdorimin ose aftësitë; mospërdorimi i lidhur me normat shoqërore dhe të gjeneratave është një realitet që duhet të merret në konsideratë.

    5. Përdorim i larmishëm i mediave, ndikim i ndryshëm

    Ashtu si grupmoshat e tjera, edhe të moshuarit mbi 60 vjeç përdorin formate të ndryshme mediatike, jo vetëm ato digjitale. Ndikimi i këtij përdorimi të larmishëm varet nga aftësitë ekzistuese mediatike, kompetencat që i kanë dhe përmbajtjet në të cilën mund të kenë qasje.

    Për shembull, dy studime të kryera veçmas mbi repertorin mediatik të të rriturve të moshuar dhanë rezultate mjaft të ndryshme. Në një studim në SHBA, përdorimi i televizionit si burim kryesor lajmesh lidhej me më shumë rezistencë ndaj dezinformimit online. Ndërsa në Ukrainë, një studim i ngjashëm tregoi të kundërtën — konsumimi i mediave të vjetra, sidomos i televizioneve ruse, lidhej me më shumë cenueshmëri përballë dezinformimit.

    Si i tillë, nuk ka të bëjë me llojin e kanaleve mediatike që qasen, por me përmbajtjen që ato ofrojnë.

    Në një studim korean, aftësitë e dobëta digjitale lidheshin me më shumë ndjenjë vetmie për shkak të përdorimit të shtuar të rrjeteve sociale. Në Spanjë, aftësia për të pasur qasje, analizuar, krijuar dhe shpërndarë përmbajtje në formate të ndryshme u pa thelbësore për pjesëmarrjen shoqërore dhe përmbushjen personale për të moshuarit. Pra, njohuritë mbi median digjitale duket se kanë rëndësi si një faktor nëse qasja në media ka ndikim pozitiv apo negativ.

    Çfarë nënkupton kjo për ndërhyrjet në zhvillimin e medias në fushën e DMIL?

    Së pari, qasje të caktuara për nëngrupe specifike brenda kategorisë së gjerë “mbi 60” janë më të përshtatshme. Duhet marrë parasysh arsimi, zakonet ekzistuese të internetit, aftësitë mediatike paraprake dhe pabarazitë shoqërore. Një qasje me nuanca është çelësi, jo një model unik për të gjithë.

    Së dyti, DMIL mund të mos jetë zgjidhja më e përshtatshme në disa situata. Duhet vlerësuar nëse aftësitë digjitale janë vërtet të dobishme për jetën e përditshme të të moshuarve në një kontekst të caktuar, për të vendosur për ndërhyrje. Ndërhyrjet për njerëzit mbi 60 vjeç mund të jenë më të përshtatshme me një fokus më të gjerë që përfshin një gamë të aftësive të MIL në vend që të përqendrohen vetëm në aftësitë e DMIL.

    Së treti, përmirësimi i aftësive DMIL nuk duhet të fokusohet vetëm te përmirësimi i aftësyve të tyre individuale,, por duhet të merret në konsideratë edhe te mjedisi informativ ku ai jeton. Kompetencat individuale janë të rëndësishme, por një ambient mundësues është po aq thelbësor.

    Si përfundim, edhe pse ende ka boshllëqe në njohuritë për të moshuarit dhe median digjitale, këto reflektime tregojnë se nevojitet një qasje më e nuancuar ndaj personave mbi 60 vjeç dhe aftësive që ata sjellin. Të moshuarit nuk janë gjithmonë në nevojë për ndërhyrje apo të pafuqishëm përballë teknologjisë. Përkundrazi, ata kanë pika të forta që shpesh anashkalohen dhe nuk shfrytëzohen, përfshirë më shumë kohë dhe më shumë përvojë jetësore.

    Çdo përpjekje për të përmirësuar DMIL-in duhet të ndjekë qasje të nuancuar që merr në konsideratë kontekstet e tyre, karakteristikat shoqërore, njohuritë paraprake dhe nivelet e interesit për t’i fituar këto kompetenca.

    Marrë nga “akademie.dw.com”. Përkthyer dhe përgatitur nga hibrid.info.

    Share With Others