Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”… Të fundit | Kujtesa që chatbot-i ruan për ty mund të formësojë realitetin informativ që… Të fundit | Kur fotografia nuk identifikohet me ngjarjen Të fundit | SMS mashtrues në emër të një banke
[ ARTIKULLI ]

Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik” dhe “hakmarrje”

FESTIM RIZANAJ

Gjykata Themelore ka shpallur aktgjykimin për rastin e sulmit në Banjskë, duke dënuar me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim. Sipas trupit gjykues, të pandehurit kishin për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Ndërsa reagimet dhe narrativat nga zyrtarët, mediat dhe kanalet serbe e interpretuan vendimin si të motivuar politikisht dhe në kuadër të pretendimeve për padrejtësi ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Narrativat e zyrtarëve dhe mediave serbe

Pas shpalljes së vendimit, reagimet nga zyrtarët dhe mediat serbe kanë ndërtuar një narrativë të koordinuar që e konteston legjitimitetin e procesit gjyqësor.

Lista Serbe e cilësoi aktgjykimin si “hakmarrje”, duke pretenduar se vendimi është marrë pa prova të mjaftueshme dhe pa një proces transparent, duke rrezikuar sigurinë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë.Sipas kësaj partie, vendimi jo vetëm që nuk sjell drejtësi, por rrezikon edhe sigurinë dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.

Në të njëjtën linjë, Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë reagoj se vendimi është rezultat i presionit politik nga Albin Kurti, duke e paraqitur procesin si pjesë të një fushate për kriminalizimin e serbëve. Në këtë narrativë, sulmi në Banjskë interpretohen si pasojë e një “terrori institucional” ndaj komunitetit serb në veri të Kosovës.

Po ashtu, Danijela Nikoliq, kryetare e Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, e përshkroi vendimin si “akt brutal të hakmarrjes politike” dhe “teatër politik”, duke pretenduar se nuk është gjykuar përgjegjësia individuale, por një komunitet i tërë. Ajo theksoi se ky rast dëshmon për “drejtësi selektive” dhe përdorim të gjyqësorit për qëllime politike.

Ndërkohë, Milosh Vuçeviq, kryetar i Partisë Progresiste Serbe (SNS), deklaroi se vendimi është “skandaloz” dhe pjesë e një strategjie për ndëshkimin e serbëve, duke paralajmëruar se autoritetet serbe nuk do të ndalen derisa të dënuarit të lirohen. Në këtë diskurs, vendimi paraqitet si dëshmi e një politike sistematike kundër serbëve në Kosovë dhe e një mungese reagimi nga bashkësia ndërkombëtare.

Këto narrativa nuk mbetën vetëm në deklarata zyrtare politike, por u amplifikuan gjerësisht edhe në mediat serbe, të cilat i pasqyruan ato si qëndrime dominuese rreth rastit të Banjskës. Në raportimet dhe komentet mediatike, theksi u vendos kryesisht te interpretimi i vendimit si “i padrejtë” dhe “politik”, duke riprodhuar qëndrimet e Lista Serbe, Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, si dhe figurave politike si Danijela Nikoliq dhe Milosh Vuçeviq. Në këtë mënyrë, mediat kontribuan në përforcimin e kornizës narrative që e paraqet procesin gjyqësor si të motivuar politikisht dhe të drejtuar kundër komunitetit serb në Kosovë, duke e zhvendosur vëmendjen nga aspektet penale të rastit drejt interpretimit të tij si çështje politike dhe etnike. (këtu, këtu, këtu)

Narrativat në kanalet në Telegram në gjuhën serbe
Në kanalet në Telegram, si “Bunt je stanje duha” dhe “Koridor”, narrativa bëhet dukshëm më radikale dhe mobilizuese. Në këto platforma, vendimi i gjykatës cilësohet si produkt i një “gjykate terroriste”, ndërsa të dënuarit përshkruhen si “heronj” që kanë vepruar për mbrojtjen e popullit serb.

Në kanalin “Koridor”, theksohet se të dënuarit “i kanë dhënë vetes titullin e përjetshëm të heronjve”, ndërsa shprehen edhe pritshmëri për përballje të armatosura në të ardhmen. Kjo retorikë shoqërohet me thirrje për masa reciproke, përfshirë dënime të ashpra ndaj shqiptarëve në Serbi. Në kanalin “Koridor”, ideja e reciprocitetit shfaqet në formë të drejtpërdrejtë dhe të ashpër. Aty bëhet thirrje që institucionet e drejtësisë në Serbi të aplikojnë masa të njëjta apo edhe më të rënda ndaj shqiptarëve që arrestohen në territorin e Serbisë. Konkretisht, kërkohet që “çdo shqiptar i arrestuar në Serbi të dënohet me burgim të përjetshëm”, si përgjigje ndaj dënimeve të shqiptuara në rastin e Banjskës.

Ndërkohë, në “Bunt je stanje duha” promovohet një narrativë tjetër që kritikon heshtjen e autoriteteve në Beograd, duke e paraqitur situatën si “dështim të plotë të strategjisë shtetërore” dhe duke akuzuar elitën politike serbe për braktisje të serbëve në Kosovë. Në këtë diskurs, të dënuarit portretizohen si viktima të lojërave politike dhe të një sistemi ndërkombëtar që, sipas tyre, i ka lënë në mëshirë të fatit.

Riformësimi i narrativës së sulmit në Banjskë

Pavarësisht se gjykimi lidhet drejtpërdrejt me sulmin e vitit 2023 në Banjskë, e cilësuar nga institucionet e Kosovës si sulm terrorist dhe veprim i organizuar kundër rendit kushtetues, interpretimet nga mediat dhe zyrtarët serbë kanë ndjekur një linjë tjetër. Ato e kanë paraqitur procesin si të politizuar dhe të padrejtë, duke e lidhur me një narrativë më të gjerë të represionit ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Në këtë kontekst, duhet theksuar se të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u ngarkohen, përfshirë terrorizmin, sulmin ndaj rendit kushtetues dhe veprat e rënda kundër sigurisë publike. Ngjarja e 24 shtatorit 2023 përfshinte një grup të armatosur serbësh, të cilët fillimisht bllokuan me kamion një urë në fshatin Banjskë, pranë Zveçanit, dhe më pas sulmuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kishin shkuar për të larguar bllokadën. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, ndërsa tre nga sulmuesit u vranë dhe dy policë të tjerë u plagosën.

Megjithatë, në interpretimet e ardhura nga pala serbe, rasti shpesh reduktohet në një “incident” apo paraqitet si pasojë e rrethanave në veri, duke minimizuar karakterin e organizuar të sulmit dhe duke e zhvendosur vëmendjen drejt pretendimeve për padrejtësi sistematike. Kjo qasje nuk refuzon vetëm vendimin gjyqësor, por edhe riformëson kuptimin e vetë ngjarjes, duke e vendosur atë në një kornizë politike dhe etnike.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere