Gjatë periudhës 20–25 prill, monitorimi i mediave dhe platformave sociale evidenton një dominim të theksuar të përmbajtjeve mashtruese dhe titujve clickbait, të cilat janë përhapur kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.
Gjatë kësaj periudhe, përmbajtjet mashtruese janë publikuar kryesisht në rrjete sociale dhe përmes kanaleve direkte si mesazhet telefonike, duke synuar manipulimin vizual dhe mashtrimin financiar të përdoruesve. Një rast lidhet me shpërndarjen e një imazhi të rremë që pretendohej të paraqiste transportimin e qenve endacakë në Fushë Kosovë, por që rezultoi i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ndërsa një tjetër formë mashtrimi u përhap përmes mesazheve “phishing” që imitonin institucione financiare, duke pretenduar aktivitet të dyshimtë në llogari dhe duke nxitur përdoruesit të klikojnë në vegëza të rrezikshme. Këto raste tregojnë se temat kryesore të mashtrimeve kanë qenë çështje lokale me ndjeshmëri publike dhe siguria financiare e qytetarëve, të përdorura për të rritur besueshmërinë dhe për të nxitur reagim të menjëhershëm.
Përmbajtjet clickbait gjatë kësaj periudhe janë publikuar kryesisht në rrjete sociale dhe faqe të pasigurta, duke përdorur tituj sensacionalë dhe të paqartë për të nxitur klikime. Temat kryesore kanë qenë zhvillimet politike dhe çështjet ekonomike që prekin qytetarët. Një rast përfshin pretendimin e rremë se është “mësuar data e zgjedhjeve të reja”, ndonëse nuk ka asnjë vendim zyrtar nga institucionet e Kosovës, ndërsa një tjetër lidhet me pretendimin për rritje pagash për qytetarët e Kosovës, që në fakt i referohej emigrantëve në Zvicër – një kontekst që zbulohej vetëm pas hapjes së artikullit. Këto praktika tregojnë përdorimin e qëllimshëm të paqartësisë dhe mungesës së kontekstit për të tërhequr vëmendjen dhe për të rritur trafikun, duke çorientuar publikun.
Përmbajtjet që përfshijnë manipulim të fakteve dhe raportim të njëanshëm janë publikuar kryesisht në portale online dhe janë shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, duke trajtuar tema të ndjeshme si krimet e luftës dhe zhvillimet politike. Një rast i manipulimit të fakteve lidhet me pretendimin e pabazuar se një i arrestuar për krime lufte ka zbuluar vendndodhjen e varreve masive në Drenas, duke bashkuar në mënyrë të pasaktë dy ngjarje të ndara dhe pa konfirmim zyrtar për ndërlidhjen e tyre. Ndërkohë, raportimi i njëanshëm është vërejtur në një titull që pretendon si fakt se një deputet i ka shkruar fjalimin një tjetri, ndonëse kjo mbështetet vetëm në një deklaratë të pakonfirmuar dhe është mohuar nga palët e përfshira. Këto raste tregojnë se temat kryesore kanë qenë çështje politike dhe të drejtësisë, të trajtuara në mënyrë të shtrembëruar për të krijuar perceptime të gabuara te publiku.
Përmbajtjet dezinformuese dhe lajmet e rreme gjatë kësaj periudhe janë publikuar kryesisht në faqe të dyshimta në rrjete sociale dhe portale online, duke trajtuar tema ekonomike dhe politike me ndikim publik. Një rast përfshin shtrembërimin e raportit të FMN-së, ku një projeksion për rritjen ekonomike paraqitet si fakt i kryer dhe lidhet pa bazë me udhëheqjen politike në vend. Ndërkohë, një tjetër përmbajtje paraqet një sondazh të pretenduar për mbështetjen e partive politike, i cili rezulton i pabesueshëm për shkak të mungesës së burimit, metodologjisë dhe të dhënave themelore. Këto raste tregojnë përdorimin e qëllimshëm të informacionit të pa verifikuar dhe interpretimeve të rreme për të ndikuar perceptimin publik mbi çështje kyçe.
Përmbajtjet me teori konspirative janë shpërndarë kryesisht në rrjete sociale dhe media online, duke trajtuar tema ndëretnike dhe të sigurisë në veri të Kosovës. Një rast përfshin interpretimin e grafiteve me mbishkrimin “UÇK” pranë Liqenit të Ujmanit si “kërcënim” dhe si pjesë e një “politike antiserbe”, pa pasur prova të verifikuara për autorët apo lidhje me ndonjë strukturë të organizuar. Këto pretendime janë mbështetur kryesisht në deklarata politike dhe jo në fakte të konfirmuara, duke kontribuar në nxitjen e narrativave konspirative dhe tensioneve ndëretnike.
Manipulim i fakteve
Pretendimi se pas arrestimit të një të dyshuari për krime lufte ai ka zbuluar vendndodhjen e varreve masive dhe se në Drenas janë gjetur “kufoma të civilëve” nuk është i saktë. Mbishkrimi është bazuar në një interpretim të pasaktë dhe të pakonfirmuar të dy ngjarjeve të ndara: arrestimit të një të dyshuari për krime lufte në Skënderaj dhe gjetjes së mbetjeve mortore në Drenas. Sipas informacioneve të deritanishme, nuk ka konfirmim zyrtar se këto dy ngjarje janë të ndërlidhura, as se gjetja e mbetjeve mortore është rezultat i ndonjë deklarimi të të arrestuarit. (këtu)
Dezinformatë
Postimi i faqes “Gazeta Minuti” në Facebook paraqet në mënyrë të pasaktë raportin e FMN-së, duke iu referuar një parashikimi për rritjen ekonomike të Kosovës si fakt i kryer. Në realitet, raporti flet për projeksione të rritjes në vitet e ardhshme, e jo për rritje aktuale. Po ashtu, përmendja e Kurtit në këtë postim është e pabazuar, pasi në raport nuk ka asnjë referencë që e lidh këtë parashikim me udhëheqjen e tij apo me ndonjë qeveri specifike. (këtu)
Clickbait
Publikohen imazhe me mbishkrimin “Mësohet data kur mbahen zgjedhjet e reja në vend”. Pretendimi se është “mësuar data kur mbahen zgjedhjet e reja në vend” nuk është i saktë, pasi nuk ekziston asnjë vendim zyrtar nga institucionet e Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe rrjedhimisht as një datë e konfirmuar për mbajtjen e tyre. (këtu)
Është publikuar një përmbajtje në rrjetet sociale me mbishkrimin “Rritën pagat, përfitojnë këta qytetarë nga Kosova”, e shoqëruar me imazhe dhe vegëza që çojnë në artikuj me të njëjtin titull. Megjithatë, nga verifikimi rezulton se përmbajtja është e paqartë dhe çorientuese. Titulli, mbishkrimi dhe imazhet nuk e sqarojnë se rritja e pagave i referohet Zvicrës dhe emigrantëve kosovarë atje. Ky kontekst bëhet i qartë vetëm pas klikimit të vegëzës dhe leximit të artikullit. (këtu)
Lajm i rremë
Është publikuar një përmbajtje që pretendon se paraqet rezultatet e një sondazhi për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë, me epërsi të madhe të një partie. Mirëpo, në bazë të verifikimit nga Hibrid.info, rezulton se ky sondazh nuk është i besueshëm, pasi mungojnë të dhëna kyçe si burimi, institucioni realizues dhe metodologjia e përdorur, çka e bën atë të paverifikueshëm dhe të dyshimtë. (këtu)
Mashtrim
Përmes një imazhi që pretendohet se paraqet transportimin e qenve endacakë në Fushë Kosovë, rezulton të mos jetë autentik. Verifikimi i fakteve vërtetoi se imazhi është i gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. Dy elemente kryesore që e bëjnë përmbajtjen të dyshimtë janë: targa e automjetit me shenjën “KS”, që nuk përputhet me formatin zyrtar të targave në Kosovë, si dhe prania e logos së “Gemini”, e lidhur me mjete të inteligjencës artificiale (Google Gemini). (këtu)
Një mesazh telefonik pretendon se në llogarinë e përdoruesit është zbuluar aktivitet i dyshimtë dhe kërkon që ai të identifikohet për të vazhduar përdorimin e shërbimit, duke e shoqëruar me një vegëz për veprim të menjëhershëm. Megjithatë, verifikimet tregojnë se bëhet fjalë për një mesazh mashtrues (phishing), i cili nuk përmban emrin e një institucioni zyrtar dhe përdor një domen që imiton emrin e një banke për të krijuar besueshmëri. (këtu)
Teori konspirative
Grafitet me mbishkrimin “UÇK” pranë Liqenit të Ujmanit janë paraqitur si “kërcënim dhe provokim i ri ndaj popullit serb” dhe si pjesë e një “politike antiserbe” të Prishtinës. Deri më tani nuk ka prova të pavarura apo konfirmime zyrtare për autorët e grafiteve, dhe nuk ekziston hetim publik i verifikuar që i lidh ato me ndonjë organizatë apo strukturë të caktuar, ndërsa interpretimet mbështeten kryesisht në deklarata politike. (këtu)
Raportim i njëanshëm
Pretendimi në titullin “Zbulohet deputeti që ia shkroi fjalimin Fatos Gecit, ai është Ilir Kërçeli”, nuk mund të merret si fakt i konfirmuar. Në deklaratat publike deputetët Fatos Geci dhe Ilir Kërçeli e kanë mohuar këtë pretendim. Ndërsa, titulli e paraqet këtë si një fakt të kryer, edhe pse në përmbajtje bëhet e qartë se kemi të bëjmë vetëm me një pretendim të bërë nga Nehat Geci përmes një postimi në Facebook, i cili i referohet një bisede private me Fatos Gecin. (këtu)