Në raportime, kryesisht të kronikës së zezë në mediat online në shqip, janë vërejtur raste ku fotografi të njëjta janë përdorur për ngjarje të ndryshme, pa sqaruar se ato janë ilustruese ose nga arkiva.
Hibrid.info këtë fenomen e ka vërejtur gjatë monitorimit të mediave online.
Për ta pasqyruar më mirë këtë fenomen, hibrid.info ka analizuar tri raste konkrete, ku imazhet nuk janë të rreme dhe nuk janë përdorur me qëllim dezinformimi, por mënyra si janë paraqitur mund të çojë lehtësisht në keqkuptime te publiku.
Shembujt:
Një fotografi që paraqet një pjesë të një objekti të kapluar nga flakët, është përdorur dhjetëra herë nëpër vite të ndryshme nga mediat në shqip. Duke përdorur këtë fotografi, janë raportuar shumë raste të ndryshme, por që nuk është bërë e ditur se ajo nuk është autentike e asaj ngjarje (shih këtu).
Duke u bazuar në motorin e kërkimit për imazhe “TinEye”, del që kjo fotografi qarkullon në internet që nga viti 2015 (shih këtu).

Rasti tjetër është një fotografi që paraqet dy zyrtarë policorë që kanë arrestuar një person.
Edhe kjo fotografi përdoret shumë shpesh nga mediat kur raportojnë për arrestime. Mirëpo, në shumicën e rasteve, në përshkrim të fotografisë nuk sqarohet se ajo është ilustruese dhe që nuk i përket asaj ngjarjeje. (shih këtu)
“Tineye” vërteton se kjo fotografi qarkullon në internet që nga viti 2019 (shih këtu)

Ndërsa kur raportohet për aksidente trafiku, është vërejtur që përdoret një fotografi që tregon një veturë të aksidentuar pranë një rruge. Kjo fotografi është përdorur në shumë artikuj në media, por pa sqaruar kontekstin e saj (shih këtu)
Kërkimi i kësaj fotografie në “Tineye” tregon se ajo qarkullon në internet që nga viti 2019 (shih këtu)

Këto fotografi, të marra nga arkiva të mediave ose nga ngjarje të mëhershme, janë vendosur në lajme për raste të reja, duke krijuar përshtypjen se pamjet lidhen drejtpërdrejt me ngjarjen e raportuar. Kur mungon shënimi “foto ilustruese” ose “foto nga arkiva”, lexuesi ka pak mundësi ta dallojë nëse imazhi është real për atë rast apo thjesht simbolik.
Në kronikën e zezë, ku temat janë të ndjeshme dhe shpesh të rënda, përdorimi i një fotografie që duket autentike mund ta rrit ndjeshëm ndikimin emocional te lexuesi dhe mund të krijojë një lloj “realiteti vizual” që nuk është domosdoshmërisht i saktë.
International Journalists’ Network (IJNet) (Rrjeti Ndërkombëtar i Gazetarëve), në një artikull me titull “Shkrimi i përshkrimeve të fotografive” sqaron rëndësinë e mbishkrimit të fotografive në artikuj, i cili duhet t’i ofrojë lexuesit informacionin bazë të nevojshëm për të kuptuar një fotografi dhe rëndësinë e saj për lajmin.
Përfshini datën dhe ditën kur është bërë fotografia
“Ky është informacion thelbësor për një publikim lajmesh. Sa më e azhurnuar të jetë një foto, aq më mirë. Nëse përdoret një fotografi arkivi ose fotografi e bërë para ngjarjes që ilustrohet, mbishkrimi duhet ta bëjë të qartë se është një ‘foto arkivi’”, shkruan në artikull.
Praktika e përdorimit të fotografive ilustruese nuk është problem në vetvete dhe përdoret gjerësisht në gazetari. Megjithatë, standardet profesionale kërkojnë që kjo të bëhet e qartë për publikun.