Shkroi: Fatbardh Dema
Të mërkurën (12 nëntor) u publikua një artikull me titull “Luksi qeveritar/ Për 9-muaj u shpenzuan 27.3 milionë euro për udhëtime zyrtare, thirrje telefonike dhe derivate të naftës”.
Artikulli u publikua nga mediumi online “FrontOnline.net”, e më pas u shpërnda edhe nga portalet tjera si “Demokracia.com”, “Ballkani.info”, “GazetaExpress.com” e “Fokusi.info”.
Çka nuk shkon me këtë titull?
Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se titulli nuk i përgjigjet përmbajtjes.

Ndonëse në titull thuhet se shpenzimet kanë të bëjnë vetëm me qeverinë, në përmbajtje të artikullit sqarohet se bëhet fjalë edhe për shpenzime të institucioneve lokale.
Pjesë nga artikulli:
Sipas raportit nëntë mujor të buxhetit të këtij viti përgatitur nga Ministria e Financave, drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës kanë shpenzuar 8.6 milionë euro për udhëtime zyrtare, hiç më pak se 3.8 milionë euro kanë arritur shpenzimet telefonike gjatë kësaj periudhe kohore, përderisa rreth 15 milionë euro për nëntë muaj kanë shkuar shpenzimet për derivate të naftës. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për periudhën janar-shtator 2025 institucionet e Kosovës kanë shpenzuar 27.3 milionë euro për udhëtime zyrtare, thirrje telefonike dhe derivate të naftës, , raporton Front Online.
Krahasuar me vitet paraprake, kjo është rritje e pastër e luksit. Në 2023 u harxhuan 7.2 milionë për udhëtime; në 2024 – 8.8 milionë; e sivjet shifra i kalon të gjitha, ndonëse shpenzimet janë llogaritur vetëm nga muaji janar deri tek muaji shtator.
Edhe telefonatat e institucioneve janë bërë më të shtrenjta, nga 3.3 në 3.8 milionë euro. Më shumë shpenzime janë realizuar edhe për derivatet e veturave zyrtare.
Mungesa e sqarimit në titull se këto shpenzime janë realizuar nga institucione si ato qendrore dhe lokale, krijon hapësirë për keqkuptim nga ana e audiencës, duke lënë të kuptohet gabimisht se të gjitha këto shifra i atribuohen vetëm Qeverisë së Kosovës.
Kjo gjë mund të shihet në disa prej komenteve të cilët janë publikuar në postimin e këtij artikulli në faqen e portalit FrontOnline.net në Facebook (këtu) (arkivuar), si dhe në faqet e portaleve tjera që e kanë shpërndarë artikullin (këtu) (arkivuar) dhe (këtu) (arkivuar).
Analiza
Titulli i artikullit nga mediumi online “FrontOnline.net” nuk i përmbahet saktësisht përmbajtjes. Titulli lë të kuptohet se të gjitha këto shpenzime i takojnë vetëm Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që në përmbajtje sqarohet se shifrat përfshijnë edhe shpenzimet e institucioneve lokale.
Kjo mungesë e specifikimit në titull krijon mundësi për keqkuptim gjë që ka sjellë edhe reagime nga lexuesit, të cilët vërehet se në seksionin e komenteve kanë interpretuar gabimisht se të gjitha këto shifra i atribuohen vetëm qeverisë qendrore.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.



