[email protected]
Pretendime të pabaza se Turqia dhe Britania po përgatisin terren që Kurti ta sulmojë Serbinë
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Srpski telegraf” ka publikuar një artikull dje (8 gusht) me pretendimin se Turqia dhe Britania po përgatisin terren që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të sulmojë Serbinë, konkretisht vendbanimet kufitare Vranjen, Rashkën dhe Kralevën.

Pretendimi i mediumit bazohet në deklaratat e Millovan Drecun, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovë, dhe kolonelit të pensionuar serb, Ljuban Karan.  

Drecun pretendon se Turqia me ndihmën e Britanisë së Madhe kanë bërë një plan për mbrojtjen e Kosovës nga një inkursion i mundshëm i forcave serbe të sigurisë në veri, e që në fakt është bërë një plan sulmues, i cili përfshin edhe sulme ushtarake jashtëzakonisht brutale në vendet ku janë vendosur forcat tona të sigurisë në territorin e Serbisë qendrore, përgjatë vijës administrative, nga Vranja, deri në Kralevë dhe në Rashkë.

Ndërsa, Karan thotë se Ankaraja duket se ka bërë një lloj marrëveshjeje me NATO-n për zgjerimin e ndikimit në Ballkan.

Por, sipas verifikimit dhe kontrollit të fakteve në publikimet e këtyre mediave, rezulton se pretendimet e bëra nga dy përfaqësuesit serbë nuk mbështeten në fakte, dhe se mediat nuk kanë bërë verifikimin e tyre.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Srpski telegraf”:

https://www.republika.rs/vesti/tema-dana/456237/tursko-britanski-plan-kosovo-srbija

Pjesë të artikullit të publikuar në “Srpski telegraf”:

Serbia në periudhën e ardhshme do të jetë e ekspozuar ndaj presionit më brutal në lidhje me Kosovën . Krahas kërcënimeve politike dhe kushteve ekonomike, mentorët e Albin Kurtit, kryeministrit të institucioneve të përkohshme të Prishtinës, vendosën të ngrenë shkallën e shantazhit të Beogradit dhe ta mbështesin atë në aksione të reja të terrorizimit të serbëve, qëllimi i të cilave nuk është de -përshkallëzimi, por provokimi i konflikteve të armatosura.

Oficerët turq, me ndihmën e Britanisë së Madhe, hartuan një plan për daljen e të ashtuquajturit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në vijën administrative, dhe nuk e përjashton as skenari i tyresulme ushtarake ndaj forcave tona të sigurisë deri në Kralevë.


Ky artikull ka zënë vend në ballinën e gazetës “Srpski telegraf” së ditës së mërkurë (9 gusht) në gjuhën serbe. (këtu)


Përfaqësuesit serbë mundohen ta ndërlidhin marrjen e komandës së KFOR-it nga ana e Turqisë, shtimin e forcave turke dhe armatimin e blerë nga ana e Kosovës, me përgatitjen e një plani për mundësinë e sulmit të Serbisë. Sipas tyre, pjesë e këtij plani janë edhe Britania e Madhe.

Por, nga procesi i kontrollit te fakteve në artikujt e publikuar në këto media, hibrid.info kupton se pretendimet nuk janë të argumentuara.

Fillimisht, pretendimi për shtrirjen e ndikimit të Turqisë në rajon e bazojnë në zhvillime, të cilat i keqinterpretojnë

Është fakt se Turqia do ta merr komandën e KFOR-it. Megjithatë, kjo do të ndodhë si pjesë e organizimit të këtij institucioni në kuadër të së cilës ndërrimi i komandës bëhet me rotacion. Deri më sot kanë qenë mbi 20 komandant gjeneral të KFOR-it nga shtetet si: SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Hungaria dhe Spanja. (këtu)

Shtimi i ushtarëve turq në KFOR erdhi si rezultat i eskalimit të situatës në veri të Kosovës dhe me kërkesën e NATO-s, për të shtensionuar gjendjen në atë zonë. Krahas kësaj, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka bërë të ditur se Kosova është partneri strategjik i Turqisë edhe anasjelltas dhe të mos shihet shumë si partnerë mbrojtës. (këtu)

Trupat shtesë nga kontingjenti turk janë nën organizimin e KFOR-it, misioni i të cilëve është ruajtja e një mjedisi të sigurt në Kosovë dhe liria e lëvizjes për të gjithë, ku vëmendje të veçantë vazhdon t’i kushtohet mbrojtjes së minoriteteve. Kjo përfshin patrulla të rregullta pranë enklavave të minoriteteve, pika kontrolli, përcjellje për grupet e pakicave, mbrojtjen e vendeve të trashëgimisë si manastiret dhe donacionet, duke përfshirë ushqime, rroba dhe mjete shkollore. (këtu)


Nga ana tjetër, siç bënë të ditur ambasadori turk, ardhja e dronëve “Bayraktar” në Kosovë ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni. Ai po ashtu thekson se Turqia dhe shtetet e tjera do iu përgjigjen nevojave të Qeverisë së Kosovës që të marrin pajisje shtesë ushtarake brenda kornizave të NATO-s. (këtu)


Sa i përket pretendimit për zgjerimin e ndikimit të Turqisë në Ballkan, ambasadori i quan si të rreme duke theksuar faktin se Turqia do vetëm të ndihmojë Kosovën në rrugën euro-atlantike. (këtu)

Pra, edhe pretendimi se Turqia po përgatit një plan për t’i mundësuar FSK-së për ta sulmuar Serbinë nuk bazohet në fakte. Ankaraja zyrtare asnjëherë nuk duket të ketë bërë ndonjë qëndrim të tillë. Në fakt, qëndrimet zyrtare të Turqisë ishin të kundërta me pretendimet e bëra. Diplomacia turke është shprehur pro zgjidhjeve diplomatike të tensioneve mes Serbisë e Kosovës, duke përjashtuar format ushtarake. (këtu)


Nga ana tjetër ndërlidhja e Britanisë si pjesë e këtij plani nuk mund të argumentohet për faktin se Britania e Madhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovë për de-eskalim të situatës në veri. Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka theksuar nevojën e reduktimi të tensioneve dhe bërjen e hapave përpara drejt zgjedhjeve të reja përfshirëse. (këtu)

Përfshirë argumentet e mësipërme, pretendimet e përfaqësuesve serb dalin të jenë të paqëndrueshme për shkak se nuk bazohen në fakte.


Analiza:

Nuk është i bazuar pretendimi se po përgatitet terreni nga ana e Turqisë dhe Britanisë për sulm ndaj Serbisë.

Edhe pretendimet se Turqia po mundohet ta shtojë ndikimin në Ballkan për t’ia zënë vendin Perëndimit është demantuar.

Pretendimet për armatosjen e FSK-së nga ana e Turqisë nuk qëndrojnë për faktin se dronët kanë qenë blerje dhe jo donacion.

Tendenca për ta përfshirë edhe Britaninë e Madhe si pjesë e planit është e pabazë për faktin se Britania ka shpreh qëndrim zyrtarë për de-eskalim të situatës dhe nevojën për reduktim të tensioneve.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “teori konspirative”.


Vlerësimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others