Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar artikuj me titullin, “Tjetërsim votash: KAS i kërkon KQZ-së të hetojë numëruesit”.
Artikujt të titulluar kështu, janë publikuar nga mediat “ekonomiaonline.com” dhe “infosot.com”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Fotografia e lajmit shfaq stemën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, ndërsa nga përmbajtja e lajmit kuptohet se kemi të bëjmë me zhvillime të ndodhura në Shqipëri.

Në fotografi shihet logoja dhe emërtimi zyrtar i KQZ-së, e vendosur në një mur zyre. Emri është i shkruar në tri gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht), dhe nën të figuron edhe uebfaqja zyrtare e këtij institucioni. Përreth ka dy simbole me hartën e Kosovës dhe yje të bardhë, që janë pjesë e emblemës së institucioneve të Kosovës.
Ndryshe nga titulli dhe pamja që fotografia e tregon, në në kreun e lajmit e sqarohet vendndodhja e ngjarjes, kur thuhet se, “Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve i ka kërkuar kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, Ilirjan Celibashit që të hetojë numëruesit e votave nga zgjedhjet e 11 majit.”
Çka tregon se artikulli raporton për një vendim që ka të bëjë me KQZ-në e Shqipërisë.
Institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe Shqipëri, ka emërim të njëjtë në të dy vendet, pra Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Stema e KQZ-së në Shqipëri:

Ndërsa, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) që përmendet në titujt e artikujve, është organi kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkeljet e ligjit zgjedhor (shih këtu), në Kosovë i emëruar si Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Që do të thotë se, publikimi i një artikulli të tillë, ku titulli nuk specifikon vendin ku është marrë vendimi i paraqitur dhe fotografia shfaq stemën e KQZ-së së Kosovës, mund t’i krijojë lexuesit përshtypjen e gabuar se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Për të vërtetuar edhe më shumë se kemi të bëjmë me ngjarje të ndodhur në Shqipëri, hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google”, me fjalën kyçe “kas”, për përmbajtje të 24 orëve të fundit (shih këtu).
Rezultatet e kërkimit kanë shfaqur një mori artikujsh të publikuar nga media me bazë në Shqipëri, të cilat kanë raportuar për vendimin.
Analiza:
Titulli i një lajmit raporton për një kërkesë të KAS (Komisioni për Ankimime dhe Sanksione) drejtuar KQZ-së për hetimin e numëruesve, ndërsa në fotografi paraqitet stema dhe emërtimi zyrtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.
Por, hibrid.info ka vërejtur se përdorimi i fotografisë së KQZ-së së Kosovës është bërë në një artikull që raporton për një vendim në Shqipëri. Një gjë e tillë mund të ngatërrojë lexuesin për vendin ku ka ndodhur ngjarja.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.



