Llogaria me emrin “fejaislame” në TikTok në disa raste ka publikuar përmbajtje keqinformuese, e që implikojnë pikërisht fenë islame, figurat që e praktikojnë ose që identifikohen me të.
Shënjestër e përmbajtjeve keqinformuese të kësaj llogarie kryesisht janë klerikët, besimtarët dhe personalitetet që mund të lidhen me fenë, kryesisht përmes kritikave, akuzave apo pretendimeve të rreme me konotacion negativ.
Ky model publikimi krijon një narrativë të vazhdueshme që e lidh fenë islame dhe përfaqësuesit e saj me zhvillime ose dukuri problematike. Përzgjedhja e njëanshme e rasteve dhe theksi i vazhdueshëm negativ krijon kornizë ku feja dhe mbështetësit e saj paraqiten kryesisht si burim polemikash, konfliktesh a përçarjesh.
Deri më tash kjo llogari ka publikuar më shumë se 150 video. Prej videos së parë keqinformuese të 11 qershorit, llogaria ka arritur t’i marrë më shumë se 100 mijë pëlqime në publikimet e saj e më shumë se 3300 ndjekës. Publikimi i saj më viral ka mbërritur në gati 600 mijë shikime – që po ashtu ka qenë keqinformatë.
Islami si “armik i brendshëm”
Në shumë prej publikimeve, llogaria në fjalë ka përfshirë pamjet e xhamive apo të hoxhallarëve, duke i paraqitur si burim të krimit ose ndikimit anti-shqiptar. Rrejshëm u pretendua për arrestime apo vdekjen e hoxhallarëve, por edhe për përfshirjen në raste pedofilie.
Llogaria ka përdorur edhe figura politike në Kosovë e Shqipëri, me pretendimin për përçarje kinse si pasojë e “organizimit të zgjedhjeve në Tiranë nga hoxhallarët nga Kosova”. Hibrid.info trajtoi dy raste të tilla të keqinformimit, të publikuara nga llogaria në fjalë (shih këtu).
Nëpërmjet publikimeve shpërndahet narrativa se islami ndikon në përzgjedhjen e orientimeve jo të duhura politike.

Narrativa anti-turke
Dominim në këtë llogari kanë pasur përmbajtjet që e portretizojnë Turqinë si pushtuese e myslimanët si “mbetje të Perandorisë Osmane, që duhen dëbuar”. Xhamitë dhe hoxhallarët në publikime paraqiten si agjentë të interesave turke në Kosovë e Shqipëri, me pretendimin se nxisin urrejtje kundër vlerave perëndimore apo kombëtare.
Në disa raste ka pasur thirrje për protesta të dhunshme ndaj xhamive apo objekteve që ndërlidhen me ata që cilësohen si “armiq të huaj” referuar Turqisë. Ka pasur pretendim të rremë se kinse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka thënë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se “osmanët e mbetur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni do të dëbohen”.
Në këtë narrativë hyjnë edhe pretendime që pozicionojnë Shqipërinë dhe Edi Ramën në mbështetje të kauzës kurde, kundër politikës së Erdoganit.
Narrativë e ngjashme është zhvilluar edhe ndaj Iranit, por në shkallë më të vogël se ndaj Turqisë.

Narrativa pro-Izrael
Në disa prej publikimeve, llogaria ka promovuar idenë e një mbështetje të fortë nga Izraeli dhe Benjamin Netanyahu për Shqipërinë dhe Kosovën, duke krijuar narrativën se Izraeli është aleati kryesor kundër kërcënimeve të jashtme.
Nëpërmjet simboleve të flamujve paraqitet një ndjenjë emocionale e “besëlidhjes” mes aleatëve.
Pretendime të rreme ka pasur për ultimatume ushtarake nga Izraeli kinse për Serbinë, apo edhe krijimi i aleancës ushtarake me Kosovën. Në disa imazhe të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, janë vendosur citate të rreme për vlerësimet e tij për shqiptarët.

Identiteti “fetar” si karrem
Llogaria në fjalë përdor emër që lidhet me islamin dhe gjasat janë që ajo të tërheqë fillimisht klikime dhe ndjekës besimtarë ose njerëz kuriozë për fenë. Kjo konsiderohet taktikë e “manipulimit të identitetit”.
Por pasi përdoruesi hyn në profil, ai ballafaqohet me narrativa anti-islame. Kjo njihet si taktikë e operacioneve të ndikimit (influence operations) me qëllim për të infiltruar narrativa specifike te një audiencë që nuk do t’i ndiqte në situata normale.
Si të dallohet se është faqe keqinformimi?
- Mungesa e burimeve: Në pretendime nuk citohen media media serioze, agjenci lajmesh apo dokumente zyrtare.
- Gjuha sensacionale: Përdorimi i fjalëve si “Ultimatum i prerë”, “Skandal”, “Shokuese” me shkronja të mëdha (Capital Letters) të vendosura mbi video, gjithmonë duhet të përcillet me kujdes.
- Përsëritja e të njëjtave video: E njëjta video e personit me qeleshe ose e Netanyahut është postuar disa herë me radhë për të rritur shikueshmërinë artificialisht përmes algoritmit.