Shkroi: Fatbardh Dema
Një video-përmbajtje po qarkullon nëpër rrjetet sociale, ku shihet presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, mes liderëve tjerë botërorë.
Artikulli me këtë video u publikua të hënën (9 mars) nga portali informativ gazetametro.net dhe në faqen zyrtare “Gazeta Metro” në Facebook.
Përmes saj pretendohet se paraqitet raporti aktual mes ShBA-së dhe Spanjës.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Videoja që po qarkullon në rrjet paraqet kryeministrin Sanchez dhe presidentin Trump në një moment, i cili nga publikuesit përshkruhet si momenti kur lideri spanjoll tenton ta përshëndesë liderin amerikan, por ky i fundit nuk ia shtrëngon dorën dhe i bën me gisht që të ulet te karrigia e tij.
Hibrid.info ka hulumtuar mbi këtë përmbajtje dhe ka gjetur se, fillimisht, videoja nuk është e re, por e vitit 2019, nga Samiti i G20 në Otava, kryeqyteti i Kanadasë. Videoja u publikua më 28 qershor 2019 nga agjencia spanjolle e lajmeve “Europa Press” në kanalin zyrtar në Youtube.
Për më tepër, pamjet e publikuara nuk paraqesin në përshkrimin e saj situatën reale, gjë e cila sqarohet më poshtë në artikull.
Kjo përmbajtje është publikuar nga gazetametro.net me titullin “‘Ulu aty ulu’, poshtërimi epik që Trump i bëri kryeministrit të Spanjës që u çua në këmbë për t’i folur”, ndërsa nuk tregohet në asnjë rast se kemi të bëjmë me video të vjetër, por tenton të bëjë ndërlidhje me kontekstin aktual të raporteve ShBA-Spanjë.
“Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, donte të fliste me Trumpin e SHBA’së Donald Trump ku derisa tentoi që t’ia zgjaste dorën, Presidenti e poshtëroi me stil “ulu aty” në strategjinë e tij epike, transmeton Gazeta Metro”.
““Spanja ka qenë e tmerrshme,” tha po ashtu ditë më parë Trump, duke iu referuar refuzimit të Madridit për t’i dhënë SHBA‑s bazat ushtarake për operacione kundër Iranit”, shkruan në artikullin e “Gazetametro”.
Më tej, artikulli thotë: “Trump kërcënoi me masa të forta duke thënë se do t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Spanjën, sepse vendi nuk i plotëson kërkesat e tij dhe “nuk është një partner i vërtetë i ekipit”.
“Presidenti gjithashtu u deklaroi se Spanja nuk kishte pranuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, siç kërkoi ai nga aleatët e NATO-s”.
Nga kjo përmbajtje e publikuar te media “gazetametro.net” lihet të kuptohet se videoja është e re dhe ndërlidhet me raportet e fundit mes dy vendeve. (Më poshtë sqarohen këto raporte)
Për më tepër, pretendimi që i bëhet kësaj video-përmbajtjeje është i pasaktë për faktin se në një sekuencë të pak sekondave më parë, në të njëjtën ngjarje, dyshja i shtrëngojnë duart (këtu).
Raportet ShBA-Spanjë pas nisjes së sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit
Në një operacion të përbashkët, ShBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm me raketa ndaj Iranit. Konflikti po vazhdon edhe sot, dhe dy vendet e sipërpërmendura kanë kërkuar nga aleatët që t’ua lejojnë shfrytëzimin e bazave të tyre ushtarake për sulme ndaj Iranit.
Spanja ka dalë kundër kërkesës së presidentit Trump, ndërsa ky i fundit ka kërcënuar shtetin spanjoll me ndërprerje të marrëdhënieve tregtare (këtu).
Analiza
Është publikuar një video-përmbajtje e cila pretendon të paraqesë raportet aktuale mes ShBA-së dhe Spanjës. Mirëpo, hibrid.info ka gjetur se e njëjta përmbajte është e vjetër, më saktësisht e vitit 2019, e bërë gjatë samitit të G20-tës në Otava të Kanadasë.
Nga ky samit ku shihet presidenti Donald Trump dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, pretendohet se lideri amerikan refuzon t’ia shtrëngojë dorën atij spanjoll.
Por, videoja e publikuar, përpos që nuk është aktuale, nuk paraqet situatën reale, pasi pak sekonda para atij momenti, dyshja Trump-Sanchez shihen duke ia shtrënguar dorën njëri-tjetrit, por që në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ai moment nuk shihet (ose është prerë komplet ose nuk shihet si pasojë e vendosjes së kamerës).
Raportet ShBA-Spanjë janë acaruar së fundmi, pasi kryeministri spanjoll refuzoi kërkesën e presidentit amerikan për përdorimin e bazave të veta ushtarake për të sulmuar Iranin, të cilin ShBA-ja dhe Izraeli nisën ta godasin me raketa në një operacion të përbashkët më 28 shkurt të këtij viti.
Prandaj, në bazë të metodologjisë së hibrid.info, kjo përmbajtje vlerësohet si “E paverifikuar”.
Arsyetimi
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.