info@hibrid.info
Nxënësi nga Kosova u plagos, nuk u vra nga policia në Gjermani
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Mediumi online në shqip “Ntv.al” ka publikuar të premten (5 shtator) një artikull me titull “Plagosi me thikë mësuesen, momenti kur policia qëllon për vdekje nxënësin nga Kosova”.

Lajmi ka të bëjë me ngjarjen e së premtes (5 shtator), ku një mësuese është sulmuar me thikë në një shkollë profesionale në qytetin Essen, në perëndim të Gjermanisë. Sipas mediave gjermane, autor i dyshuar i sulmit është një 17-vjeçar nga Kosova, nxënës në të njëjtën shkollë.

Çka nuk shkon me titullin?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i artikullit është i pasaktë. I dyshuari për sulmin ndaj mësueses në Gjermani nuk është vra nga policia, por u plagos.


Në titullin e artikullit të publikuar në “Ntv.al” pretendohet se i dyshuari për këtë vepër u vra nga policia gjermane, ndërsa në përmbajtje sqarohet se i njëjti është plagosur.

Pjesë nga artikulli i publikuar në “Ntv.al”:

Pas sulmit, i riu është larguar nga ambientet e shkollës dhe është lokalizuar nga policia në një park afër. Mediat gjermane, përfshirë DPA dhe Bild, raportojnë se kur forcat e rendit iu afruan për ta ndaluar, ai u përpoq të sulmonte edhe policinë duke vrapuar drejt tyre me thikë në dorë.

Si pasojë, policia është detyruar të përdorë armën e zjarrit, duke e plagosur të dyshuarin.


Për të vërtetuar edhe më shumë faktin se i dyshuari për këtë vepër, u plagos nga policia e më pas shërbimet e urgjencës i çuan viktimën dhe autorin e dyshuar në spital, hibrid.info ka gjetur artikuj në media gjermane që kanë raportuar për këtë ngjarje. (shih këtu dhe këtu)

Po ashtu, llogaria zyrtare në X e policisë në Essen, dje (5 shtator) përmes një postimi raportoi se |Sipas gjetjeve të deritanishme, i arrestuari është një autor i vetëm dhe nuk ka rrezik për popullsinë”. (shih këtu)


Analiza:

Mediumi “Ntv.al” publikoi më 5 shtator një titull të pasaktë për një ngjarje në Essen, Gjermani, duke pretenduar se nxënësi nga Kosova që sulmoi një mësuese me thikë ishte vrarë nga policia.

Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se i dyshuari 17-vjeçar u plagos nga policia dhe u dërgua në spital, bashkë me mësuesen e plagosur. Mediat gjermane dhe njoftimi e policisë së Essen konfirmojnë se nuk ka pasur vdekje.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga “Ntv.al”, si “ Clickbait” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others