[email protected]
Portali serb “Vesti-online.com” pretendon rrejshëm se Kurti është kundër Haradinajt
shape
shape
shape

Portali informativ serb “Vesti-online.com” ka publikuar një artikull përmes së cilit paraqitet lajmi i pretenduar me titull – “Kurti kundër Haradinajt”.

Mirëpo, në përmbajtje të këtij artikulli, shihet qartë se lajmi ka të bëjë me paraqitjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në seancën e sotme të Kuvendit.

Në asnjë pjesë të përmbajtjes së artikullit nuk arsyetohet pretendimi i bërë përmes titullit. Përkundrazi, në këtë fjalim, kryeministri Kurti kërkon nga deputetët e Kuvendit që ta votojnë propozimin e partisë së tij, Vjosa Osmanin, për presidente të vendit. Siç duket, ky portal ka dashur ta paraqes kundërshtimin e Kurtit ndaj ish-nominimit të Ramush Haradinajt për president të vendit, por që i njëjti pretendim nuk i përshtatet kontekstit kohor, pasi që ky i fundit nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën në seancën e sotme të Kuvendit.

Artikulli i “Vesti-online.com” i përkthyer në shqip:

T: Kurti kundër Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nëse Osmani nuk zgjidhet presidente e Kosovës, do të ketë zgjedhje të reja. Në fjalimin e tij drejtuar deputetëve në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, shtoi se është e nevojshme të konstituohen institucionet sa më shpejt të jetë e mundur, raporton portali Reporteri. “Situata në lidhje me Covid-in është shumë serioze, ne kemi probleme të mëdha në sektorin e energjisë, dhe ne nuk mund t’i zgjidhim ato derisa të formohen institucionet”, tha Kurti.

Vegëza e artikullit të “Vesti-online.com”:

https://www.vesti-online.com/kurti-protiv-haradinaja/

Siç mund të vërehet, autori i këtij artikulli i është referuar një artikulli tjetër të botuar në Reporteri, ku me gjasë aludon në portalin informativ të Kosovës “Reporteri.net”. Por, përkundër kësaj, pretendimet e bëra në titull dhe në përmbajtje të artikullit të “Vesti-online.com”, nuk janë gjetur në ndonjë publikim të “Reporteri.net”. I vetmi publikim i ngjashëm në portalin informativ kosovar është lajmi rreth thirrjes së kryeministrit Kurti për votim në Kuvend të Vjosa Osmanit.

Artikulli i publikuar në “Reporteri.net”:

Analiza:

Siç mund të vërehet nga kontrolli i fakteve, pretendimi i “Vesti-online.com” i bërë përmes titullit të këtij artikulli është i rremë. Me sa duket, tendenca e autorit të artikullit ka qenë të paraqitet një kundërshtim i rrejshëm i Kurtit ndaj kandidaturës së kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, për president të Kosovës. Është e vërtetë që Haradinaj ka shpallur kandidaturën për president të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore, por të njëjtën kandidaturë ai nuk e ka paraqitur në seancën e sotme të Kuvendit. Si rrjedhojë, Kurti në këtë fjalim nuk ka pasur arsye që të jetë kundër kandidimit të Haradinajt, pasi që i njëjti nuk e ka vazhduar përpjekjen për t’u zgjedhur në pozitën e të parit te vendit. Në bazë të kësaj analize, hibrid.info konsideron se ky artikull i “Vesti-online.com” duhet të vlerësohet si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others