Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar disa artikuj në titujt e të cilëve është pretenduar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka bërë koalicion me Listën Serbe (LS) në komunën e Graçanicës.
Përmbajtjet me këtë pretendim janë publikuar të martën (30 dhjetor) nga mediat si “Nacionale.com”, “VoxKosova.com” dhe “Periskopi.com”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info gjeti se pretendimi për koalicion ndërmjet këtyre dy subjekteve politike nuk është i konfirmuar.



Në brendësi të artikujve është raportuar për emërimin e Leutrim Ajetit si nënkryetar të komunës së Graçanicës. Madje në artikujt e “Nacionale.com” dhe “Periskopi.com”, ky emërim është interpretuar si bashkëpunim ndërmjet LVV-së dhe LS-së.
Raportimi në këto tekste është bazuar në një postim në llogarinë e Leutrim Ajetit në Facebook, ku ai ka njoftuar se me propozim të kryetarit të Komunës, Novak Zhiviq, Kuvendi Komunal në Graçanicë e ka emëruar atë nënkryetar të Komunës për Komunitete, për herë të dytë radhazi (shih këtu).
Postimi i Leutrim Ajeti në Facebook:
“Te nderuar familjare, miq e dashamire
Me propozim te Kryetarit te Komunes z. Novak Zivic, sot Kuvendi Komunal ne Gracanice me emeroi Nenkryetar te Komunes per Komunitete per here te dyte radhazi.
Falenderim i vecante per te gjithe votuesit qe me besuan ne zgjedhjet e tetorit te ketij viti, duke votuar masivisht per kandidaturen time per kryetar.
Zotohem qe do te punoje ne te mire te te gjithe qytetareve, pa dallim per te cuar projektet qe permiresojne jeten e qytetareve tane. Si nenkryetar zotohem qe do te bashkepunoje ngushte me legjislativin dhe ekzekutivin e Komunes si dhe me nivelin qendror.
Faleminderit me perulesi! Na prifte e mbara!”
Hibrid.info gjeti një postim të mëvonshëm të Kelmendit, si reagim ndaj këtij pretendimi, ku ai ka mohuar zyrtarizimin e një koalicioni dhe i është referuar Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale (shih këtu).
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale për nënkryetarin e Komunës për Komunitete
Në tre paragrafët e parë të nenit 61, ku përcaktohen rregullat për zgjedhjen e nënkryetarit të Komunës për Komunitete, thuhet se komunat ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve jo shumicë do të kenë një nënkryetar për Komunitete, nënkryetari për Komunitete do të emërohet për mandat të njëjtë si të kryetarit dhe se emërimi dhe shkarkimi i nënkryetarit për Komuniteteve propozohet nga kryetari i Komunës dhe duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë si dhe shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë, të cilët i përkasin komuniteteve jo shumicë (këtu).
Hibrid.info ka hulumtuar për të gjetur informata rreth procesit të votimit që u bë në seancën ku Ajeti u emëruar nënkryetar për Komunitete në Graçanicë, por nuk hasi në ndonjë të tillë. Në një artikull të publikuar në uebfaqen e Qendrës Mediale në Çagllavicë, është raportuar se Kuvendi i Komunës së Graçanicës ka zgjedhur Leutrim Ajetin nga “Aleanca Shqiptare” për nënkryetar të Komunës së Graçanicës nga radhët e komuniteteve pakicë, dhe Bekim Gashin, gjithashtu nga kjo iniciativë qytetare, për nënkryetar të Kuvendit të Komunës (shih këtu).
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, Komuna e Graçanicës kishte 18,486 banorë ku 8,623 ishin shqiptarë, ndërsa serbë ishin 8560 (shih këtu).
Megjithatë, në zgjedhjet lokale të vitit 2025 në tetor, në votat për asamble në Komunën e Graçanicës, LS mori 6,916 vota apo 63.92%, ndërsa “Aleanca Shqiptare”, që ishte koalicion i partive shqiptare, të cilit i printe Leutrim Ajeti, kishte 2,489 Vota, apo 23.02%.

Analiza:
Pretendimi se LVV dhe LS kanë arritur një koalicion në Graçanicë, pas emërimit të Leutrim Ajetit si nënkryetar i kësaj komune për Komunitete, nuk është i saktë.
Emërimi i nënkryetarit për Komunitete parashihet me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, i cili përcakton se komunat, ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve jo shumicë, do të kenë një nënkryetar për Komunitete.
Gjithashtu, Ajeti në zgjedhjet e fundit lokale, ka garuar si kandidat i Aleancës Shqiptare, e cila ishte koalicion i partive shqiptare për zgjedhjet në këtë komunë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë si “Përmbajtje të paverifikuar” dhe “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.