Të fundit | Vazhdon publikimi i videove të gjeneruara me IA lidhur me zgjedhjet Të fundit | Kurti nuk tha se studentët shqiptarë gabuan që protestuan në Shkup dhe se M… Të fundit | Dëmtimi i një ambulance serbe në një fshat të Vushtrri paraqitet pa prova s… Të fundit | Postimet nuk sqarojnë se rritja e çmimit të bukës ka ndodhur në Maqedoninë… Të fundit | Spiropali nuk ka thënë se Vjosa Osmani, krerë të PDK-së dhe Baton Haxhiu ja… Të fundit | Pretendim i rremë se janë konfirmuar rastet e para të hantavirusit në Kosov… Të fundit | Si ndikojnë influencuesit politikë në zgjedhje? Të fundit | Video të gjeneruara me IA të ndërlidhura me zgjedhjet po qarkullojnë në med… Të fundit | Sondazh i rremë në emër të një kolegji universitar Të fundit | Nuk janë rritur shtesat për fëmijë dhe lehona, bëhet fjalë për premtim elek…
[ ARTIKULLI ]

Pretendim i rremë se presidentja Osmani ka ndërruar fe

HIBRID

Nëpërmjet një publikimi të bërë të enjten (22 janar) në TikTok është pretenduar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është konvertuar në fenë katolike.

Publikimi i llogarisë “tritoli” shfaq presidenten Vjosa Osmani gjatë vizitës në një kishë, krah ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji. “PRESIDENTJA E KOSOVES NGA MYSLIMANE KONVERTOHET NE FEN E TE PARVE” është mbishkrimi i videos i shoqëruar nga kryqi, që është simbol i krishterimit.  

Përse po trajtohet kjo përmbajtje?

Pretendimi nuk mbështetet në fakte. Hibrid.info ka verifikuar për artikuj apo dokumente që do ta konfirmonin një pretendim të tillë, por nuk është hasur asgjë e tillë online.

Fillimisht hibrid.info ka konfirmuar pamjet. Në bazë të gjetjeve ka rezultuar se pamjet e publikuara e shfaqin Osmanin gjatë një vizite në kishën e fshatit Letnicë të Komunës së Vitisë për kremtimin e festës së Zojës së Madhe, më 15 gusht 2024. Vetë Osmani kishte njoftuar në Facebook për vizitën (shih këtu). Vizita konfirmohet edhe nga njoftimet e Komunës së Vitisë dhe faqes “Letnica” në Facebook. Vizita ishte raportuar edhe në mediumin “KlanKosova”. Në asnjërin rast nuk thuhet se ajo është konvertuar apo ka ndërruar fe.

Pretendimi se Osmani është konvertuar në fenë katolike pati qarkulluar edhe në vitin 2024, kur nisi të zërë vend në media e rrjete sociale çështja e konvertimeve fetare, pas prezantimit të iniciativës me emrin “Lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame”. Hibrid.info e pati trajtuar një pretendim të tillë edhe për presidenten Osmani. 

Meqë besimi fetar është çështje personale, është edhe e vështirë të gjenden të dhëna publike mbi këtë çështje, si për persona privatë, ashtu edhe për ata publikë. Kështu, as për presidenten Vjosa Osmani nuk ka informacione se cilit besim fetar i përket. Prandaj, edhe pretendimet se e njëjta e ka ndërruar fenë, konsiderohen si të pabaza, meqë asnjë dokument që e dëshmon njërën apo tjetrën nuk ekziston në publik.


Bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë më 2024 në Kosovë, 93.49 për qind e të deklaruarve janë deklaruar se i përkasin besimit islam, 2.31% atij ortodoks, 1.75% atij katolik e 0.45% të tjerë besime. 0.5% kanë thënë se nuk i përkasin asnjë besimi fetar, ndërsa 1.5% kanë refuzuar të përgjigjen (shih këtu).


Publikimi në TikTok deri në momentin e trajtimit i ka marrë më shumë se 128 mijë shikime, më shumë se 2600 pëlqime e më shumë se 220 komente.  Përmbajtja e shumë prej komenteve sugjeron se audienca ka mundësi që përmbajtjen ta perceptojë si të besueshme.

Analiza:

Pretendimi se presidentja Vjosa Osmani është konvertuar në fenë katolike është i rremë. Pamjet e publikuara në TikTok e shfaqin atë gjatë një vizite zyrtare në kishën e Letnicës më 15 gusht 2024.

Përpos që besimi fetar është çështje personale dhe është e vështirë të gjenden edhe të dhëna publike mbi këtë çështje, nuk ka asnjë dokument apo deklaratë publike që dëshmon se Osmani ka ndërruar fe.

Hibrid.info pati trajtuar pretendim të ngjashëm edhe në atë periudhë.

Prandaj bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere