Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen një video dhe fotografi, ku shfaqen rezultate të matjeve të opinonit publik për të cilat pretendohet se janë sondazhe që tregojnë mbështetjen për subjektet politike në vendin tonë.
Të dyja përmbajtjet e trajtuara janë publikuar në TikTok. Fotografia është publikuar nga llogaria me emrin “cari1.fat” (para tre ditësh), ndërsa videoja është publikuar nga llogaria me emrin “kinggggg_speed” (para tre ditësh).
Çka nuk shkon me këto përmbajtje?
Në të dy përmbajtje shfaqen rezultatet të matjeve të bëra në të kaluarën, ndërsa ato po publikohen tash në kohën kur vendi është në fushatë zgjedhore në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.


Fotografia ka marrë mbi 100 mijë shikime dhe afër 200 komente, kurse videoja ka mbi 55 mijë shikime dhe afër 140 komente. Në përmbajtjet e komenteve është vërejtur se përmbajtjet kanë nxitur debat, mes përdoruesve që kanë shprehur besueshmër në të përmbajtjeve dhe kanë dhënë parashikimet e tyre për rezultate.
Në përmbajtjen e parë, në bazë të audios dhe asaj që shihet në fotografi, kuptohet se kemi të bëjmë me një sondazh të publikuar në emisionin televiziv “Rubikon”, që transmetohet në televizionin “KlanKosova”.
Ndërsa e dyta është shkëputur nga emisioni tjetër televizin “Debat Plus”, i transmetuar në “Rtv Dukagjini”.
Hibrid.info ka kontrolluar playlistën e këtyre dy emisioneve në kanalet në Youtube të televizoneve përkatëse dhe ka gjetur se në periudhën para dhe pas fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, në këto emisione nuk është publikuar asnjë sondazh (shih këu dhe këtu).
Pas kontrollit me anë të makinave të kërkimit, u gjet se përmbajtja e parë ku shfaqen rezultatet e pyetjes se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet pavarësisht se për cilën prej tyre do të votojnë, është shkëputur nga një sondazh që ishte realizuar më 7 janar 2021, para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit (shih këtu).

Sondazhi ishte realizuar nga “Pipos” dhe ishte publikuar në “Klan Kosova”. Në fotografi vërehet se në listën e partive për të cilat është matur mbështetja publike, figuron edhe Iniciativa e udhëhequr nga Vjosa Osmani. Kjo do të thotë se sondazhi ishte realizuar para formimit të “Listës Guxo”, e cila më pas u përfshi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit (shih këtu).
Pas këtyre zgjedhjeve, Vjosa Osmani u votua (4 prill 2021) nga Kuvendi i Kosovës si presidente e vendit, pozitë të cilën e mban edhe sot (shih këtu).
Ndërsa përmbajtja e dytë është gjetur se është shkëputur nga një sondazh i publikuar më 25 dhjetor 2023 në “Rtv Dukagjini”, i realizuar nga “UBO Consulting” (shih këtu).

Këto gjetje tregojnë se këto sondazhe të publikuara janë kredibile, pasi që përmbajnë informatat se si janë bërë këto matje dhe ato janë realizuar nga kompani profesionale (shih këtu). Megjithatë, këto sondazhe janë të vjetra dhe janë publikuar sikur të ishin relevante për zgjedhjet aktuale.
Presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor vendosi për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalli 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Fushata për këto zgjedhje ka filluar të mërkurën më 17 dhjetor (shih këtu).
Analiza:
Përmbajtjet e publikuara në TikTok paraqesin rezultate sondazhesh të realizuara në periudha të mëparshme, por janë shpërndarë sikur të ishin relevante për zgjedhjet aktuale të 28 dhjetorit.
Edhe pse sondazhet e paraqitura janë reale dhe të realizuara nga kompani profesionale, konteksti i publikimit të tyre është i gabuar dhe potencialisht çorientues për publikun.
Si rrjedhojë, mund të krijohet një perceptim i rremë për mbështetjen politike në kohën e tanishme.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.