Përgatiti: Festim Rizanaj
Monitorimi nga hibrid.info tregon një trend të vazhdueshëm të përhapjes së informacionit të pasaktë në mediat sociale shqip. Në TikTok, veçanërisht, është parë një rritje e keqinformimeve kohët e fundit, duke u bërë një burim shqetësues që ndikon në formësimin e opinioneve përmes përmbajtjeve manipuluese dhe të pabazuara.
Sondazhet para zgjedhjeve janë bërë një praktikë e zakonshme në Kosovë, por kjo ka krijuar mundësi për manipulime të shumta.
Sipas monitorimit të hibrid.info, që nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, më 16 gusht, janë identifikuar mbi 20 sondazhe të rreme të publikuara në mediat sociale, kryesisht në TikTok.
Tema e sondazheve zgjedhore ka dominuar në listën e temave për të cilat e keqinformua më së shumti gjatë muajve shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor, sipas raporteve mujore të keqinformimit nga hibrid.info.
Në TikTok janë publikuar sondazhe të vjetra, të realizuara për zgjedhje të kaluara, të cilat janë publikuar me tendencën të paraqiten si aktuale. (këtu, këtu, këtu)
Gjithashtu, janë publikuar sondazhe të vjetra dhe të manipuluara, ku të dhënat nga një sondazh i mëparshëm janë përdorur duke ndryshuar renditjen e partive në listë për të krijuar perceptime të gabuara. (këtu)
Ato që kanë dominuar janë sondazhet e rreme, të sajuara, ku një imazh me sondazh është publikuar me pretendimin se paraqet një të tillë të kryer në një datë të caktuar mbi mbështetje popullore për subjektet politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Megjithatë, këto publikime nuk përmendin asnjë burim kredibil dhe nuk janë gjetur të publikuara në ndonjë referencë të besueshme. Po ashtu, në disa raste, këtyre sondazheve iu shtohen emra kompanish, të cilat pretendohen të jenë kompani kredibile amerikane për hulumtime. (këtu, këtu, këtu)
Sondazhet e agjencive të hulumtimit për zgjedhjet e 9 shkurtit
Derisa zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt 2025 po afrohen, deri tani janë publikuar dy sondazhe nga kompani të specializuara për matjen e opinionit publik. Qëllimi i këtyre hulumtimeve është matja e preferencave aktuale të elektoratit, identifikimi i trendeve politike dhe përcaktimi i pritshmërive për rezultatin e zgjedhjeve.
Një prej sondazheve më të rëndësishme është publikuar nga Valicon, një prej agjencive të hulumtimit në rajonin Adria. Në bashkëpunim me platformën e saj online Opinia.Club, Valicon ka realizuar sondazhin parazgjedhor për këtë proces zgjedhor.
Një tjetër sondazh u realizuar nga UBO Consulting dhe “Debat Plus” i RTV Dukagjini, në kuadër të projektit OMNIBUS, analizoi preferencat politike të elektoratit duke pyetur se si do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e 29 dhjetorit. Me kërkesën e emisionit, “Debat Plus”, sondazhi, cili kryhet çdo tre muaj për të matur opinionin publik mbi çështje të ndryshme, përfshinte pyetjen kryesore, “nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, për cilin subjekt politik do të votonit?”
Pse bëhen sondazhet dhe cili është ndikimi tyre?
Sondazhet kryhen për të kuptuar mendimet, qëndrimet dhe preferencat e publikut mbi çështje të ndryshme, duke ofruar një pasqyrë të rëndësishme për politikanët, mediat dhe vendimmarrësit. Sipas Scott Keeter, këshilltar me përvojë i sondazhit në Qendrën Kërkimore Pew, sondazhet janë një mjet thelbësor për të matur opinionin publik, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, pasi ato ndihmojnë në identifikimin e trendeve dhe vlerësimin e pritshmërive të votuesve. Për më tepër, ato kontribuojnë në informimin e qytetarëve dhe në ndërtimin e politikave që pasqyrojnë nevojat dhe interesat e publikut.
Megjithatë, Keeter thekson edhe disa nga kufizimet dhe dëmet e mundshme të sondazheve. Nëse nuk realizohen në mënyrë të saktë, ato mund të përçojnë rezultate të pasakta, duke krijuar perceptime të gabuara mbi mbështetjen politike ose trendet shoqërore. Po ashtu, përdorimi i tepërt i sondazheve mund të ndikojë në manipulimin e opinionit publik, duke i orientuar votuesit drejt fituesve të parashikuar ose duke margjinalizuar kandidatët më pak të mbështetur. Për këtë arsye, është e rëndësishme që sondazhet të realizohen me standarde të larta profesionale dhe interpretimi i tyre të jetë i kujdesshëm.