info@hibrid.info
Raportohet pa fakte se Kosova nuk pati ftesë dhe nuk mori pjesë në takim me Grenellin
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është raportuar se Kosova ka mbetur jashtë një takimi të të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, me udhëheqësit ballkanikë, në New York.

Mediumi “botasot.info” ka publikuar të premten (26 shtator) një artikull me titull “Grenell mbledh udhëheqësit ballkanikë në SHBA – Kosova jashtë tryezës, Shqipëria ulet pranë Serbisë”. Në artikull pos pretendimit se Kosova nuk ka marrë pjesë, u tha po ashtu se “Kosova nuk u ftua në diskutimet rajonale”.

E vërteta?

Hibrid.info ka verifikuar fotografitë e publikuara nga ky medium. Fotografia kryesore del të jetë marrë nga postimi i ministres së Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në mediat sociale. E fotografia që tregon këndin tjetër është marrë nga postimi i ministrit të Jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Dino Konakoviq. Të dyja fotografitë ishin publikuar më 25 shtator.

Në këto fotografi nuk shihet asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës. Por më vonë është publikuar një tjetër fotografi në të cilën shihet presidentja Vjosa Osmani. E Presidenca ka konfirmuar se ka marrë ftesë për takimin, por se i është bashkuar në pjesën e dytë dhe se nuk ka qenë nga fillimi.


Përmbajtja e artikullit të “botasot.info”:

Në Shtetet e Bashkuara, Richard Grenell dhe John Jovanovic organizuan një takim jozyrtar me udhëheqës nga vendet e Ballkanit: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Kroacia dhe Shqipëria, të përfaqësuar nga presidenti Bajram Begaj dhe ministrja Elisa Spiropali.

Nga kjo tryezë mungoi vetëm Kosova. Pavarësisht se nuk ishte një takim zyrtar i qeverisë amerikane, mesazhi politik ishte i qartë: Kosova nuk u ftua në diskutimet rajonale, ndërsa fqinjët e saj u ulën në të njëjtën tavolinë me përfaqësuesit serbë.

Richard Grenell, i njohur për qëndrimet e tij pro-Serbisë dhe lobimin e hapur në favor të Beogradit, duket se po rikthehet në skenën ballkanike përmes këtyre formateve jozyrtare.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë tryezë, ku Kosova mungoi, shihet nga shumëkush si një hap i gabuar politik. Duke u ulur në një tavolinë ku Kosova nuk kishte vend, Tirana dërgoi një mesazh të dyshimtë që bie ndesh me interesat e vetë shtetit shqiptar dhe të Kosovës.

Ky zhvillim ka ngjallur debate mbi mënyrën se si trajtohet Kosova në arenën ndërkombëtare dhe mbi pozicionimin e Shqipërisë në raport me formatet ku përjashtohet Kosova.


Si u kuptua që Osmani ishte në takim?

Portali “nacionale.com” të premten ka shkruar bazuar në burime të saj se presidentja Vjosa Osmani ka qenë pjesë e takimit, por me disa minuta vonesë. Më vonë, ky medium publikoi edhe fotografinë në të cilën shihet Osmani në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me Grenellin.

Çka thanë nga Presidenca?

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, ka thënë se ftesa ka qenë për një tryezë të rrumbullakët të titulluar “US–Western Balkans Roundtable”, dhe se ajo ishte organizuar nga tre përfaqësues të administratës Trump: Richard Grenell, i dërguar presidencial për misione speciale; Scot Bessent, sekretar i shtetit për Thesarin; dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM. Në një deklaratë për Telegrafin, Kupina ka thënë se presidentja Osmani iu bashkua diskutimit në pjesën e dytë të takimit, për shkak të takimeve të tjera bilaterale.

Deklaratën e Kupinës e ka publikuar edhe vetë “botasot.info”.


Publikimi i ngjashëm me “botasot.info” ka qarkulluar edhe në portale të tjera e media sociale (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Pretendimi i “botasot.info” se Kosova nuk është përfaqësuar në takimin e Grenellit me udhëheqës të Ballkanit nuk është i saktë. Kjo hidhet poshtë përmes raportimeve që dëshmojnë me fotografi pjesëmarrjen e presidentes Vjosa Osmani.

I pasaktë është edhe konstatimi bazuar në fotografitë në të cilat nuk shihej Osmani se “Kosova nuk u ftua në diskutimet rajonale”. Presidenca ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në takim me ftesën e organizatorëve, por se kishte shkuar me vonesë për shkak të takimeve të tjera.

Bazuar bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Përmbajtje e paverifikuar” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others