Të fundit | Nuk ka vendim të ri për rritjen e pensioneve në Kosovë Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime të rreme për FSK-në në Gaza, imazhe të gjener… Të fundit | Format e keqinformimit që mund të shfaqen për misionin e FSK-së në Gaza Të fundit | 29.2% e qytetarëve të BE-së verifikuan informacionin online në vitin 2025 Të fundit | Titulli përgjithëson shpenzimet buxhetore duke i paraqitur pasaktë si shpen… Të fundit | Pretendim i rremë se dy ushtarë të FSK-së humbën jetën në Gaza pas një sulm… Të fundit | Titulli nuk tregon se udhëzimi për furnizime tre ditëshe vlen për qytetarët… Të fundit | Tieger nuk ka thënë se Thaçi e Veseli kanë vrarë policë serbë, audioja u gj… Të fundit | Senatori i zgjedhur El-Sayed nuk është deklaruar hapur për mbylljen e kampi… Të fundit | Keqpërdorimi i logove të mediave për t’i paraqitur lajmet e rreme si të vër…
[ ARTIKULLI ]

Raporti i FMN-së flet për parashikim, jo për rritje ekonomike aktuale

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Pretendohet pasaktë se raporti i FMN-së flet për rritje ekonomike aktuale në Kosovë.

Në median sociale Facebook, faqja “Gazeta Minuti” ka publikuar të dielën (19 prill) një postim në të cilën shfaqet portreti i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, si dhe mbishkrimi “NËN UDHËHEQJEN E KURTIT / SIPAS FMN-SË, KOSOVA KA RRITJEN MË TË MADHE EKONOMIKE NË RAJON”.

Në seksionin e komenteve të këtij postimi paraqitet edhe vegëza (linku) i artikullit “gazetaminuti.info”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, rezulton se titulli është i pasaktë dhe paraqet informacionin në mënyrë çorientuese.


Pas klikimit në artikull, bëhet e qartë se lajmi i referohet një raporti të publikuar më 16 prill nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ku thuhet se Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon, me rreth 3.6% në vitet në vijim. Pra, bëhet fjalë për një parashikim, jo për një rritje të konfirmuar aktuale.

Për më tepër, formulimi i fjalisë “NËN UDHËHEQJEN E KURTIT” është i pabazuar në përmbajtjen e artikullit, pasi raporti i FMN-së nuk përmend fare emrin e kryeministrit dhe nuk e lidh këtë raport me ndonjë figurë apo qeveri specifike.


Për të përforcuar faktin se bëhet fjalë për një parashikim dhe jo për rritje aktuale, hibrid.info ka gjetur raportime në media që e paraqesin saktë përmbajtjen e raportit të Fondi Monetar Ndërkombëtar (shih këtu dhe këtu).

Përmbajtja e publikuar nga “Gazeta Minuti” u gjet e shpërndarë edhe nga faqe tjera në Facebook si, “Kosovë e Diasporë” e “Trendi.info”. Të dyja këto faqe kanë publikuar në komente linkun e artikullit nga ueb-faqja “gazetaminuti.info”.


Rreth faqes “Gazeta Minuti” në Facebook

Hibrid.info ka trajtuar disa përmbajtje të publikuara nga kjo faqe në Facebook. Po ashtu, një analizë më e thellë e bërë rreth kësaj faqe paraqet se “Gazeta Minuti” publikon përmbajtje në Facebook dhe në ueb-faqen “nminut.info” dhe “gazetaminuti.info” pa ofruar transparencë për pronësinë apo kontaktet; megjithëse në “About Us” përmendet si themelues Arbnor Buzhala, këto të dhëna nuk verifikohen, domaini i deklaruar nuk përputhet me përmbajtjen dhe nuk figuron si biznes i regjistruar në ARBK, duke ngritur dyshime për besueshmërinë e saj.

Lexo këtu analizën e plotë rreth faqes “Gazeta Minuti”.


Analiza

Postimi i faqes “Gazeta Minuti” në Facebook paraqet në mënyrë të pasaktë raportin e FMN-së, duke iu referuar një parashikimi për rritjen ekonomike të Kosovës si fakt i kryer. Në realitet, raporti flet për projeksione të rritjes në vitet e ardhshme, e jo për rritje aktuale.

Po ashtu, përmendja e Kurtit në këtë postim është e pabazuar, pasi në raport nuk ka asnjë referencë që e lidh këtë parashikim me udhëheqjen e tij apo me ndonjë qeveri specifike.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere