Të fundit | Clark nuk e dha këtë deklaratë, përmbajtja është e rreme Të fundit | Deputetët në Parlamentin e Malit të Zi nuk brohoritën “UÇK” Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të rreme dhe përmbajtje të gjeneruara me IA Të fundit | Imazhi i gjeneruar me IA dhe shpërndarja e tij me pretendimin se është real Të fundit | Çka dihet për fotografitë e Trumpit me liderët botërorë dhe dy pozat e tij? Të fundit | Keqinformatat rreth aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së Të fundit | Serbia nuk ndau 500 milionë euro për procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ish-zyrtari i CIA-s ka folur për Albin Kurtin, audi… Të fundit | Deklaratë e pakonfirmuar që i atribuohet gjeneralit amerikan Craddock Të fundit | Goodwin nuk ka thënë se zëvendëspresidenti i SHBA-së është interesuar për p…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Deklarata të rreme dhe përmbajtje të gjeneruara me IA

FATBARDH DEMA

Gjatë periudhës së monitorimit 28 shtator–3 tetor, në hapësirën keqinformuese dominuan artikujt dhe përmbajtjet e fabrikuara, të cilat u karakterizuan kryesisht nga pretendime të rreme dhe deklarata të sajuara.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre përmbajtjeve përdorën emrat e zyrtarëve, politikanëve dhe gazetarëve të huaj, të cilëve iu atribuuan deklarata që, sipas verifikimeve, nuk i kanë bërë. Këto pretendime u paraqitën si deklarata reale, duke krijuar një pasqyrë të rreme mbi qëndrimet e këtyre figurave.

Përveç deklaratave të fabrikuara, gjatë kësaj periudhe u identifikuan edhe përmbajtje të krijuara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale. Këto raste tregojnë përdorimin e teknikave të reja për krijimin e përmbajtjeve që mund të duken të besueshme në pamje të parë.


Lajmet e rreme

Serbia dhe 500 milionë eurot për Apelin: Janë publikuar përmbajtje ku pretendohet se Serbia ka ndarë 500 milionë euro për procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Pretendimi është vlerësuar si i rremë, pasi nuk u gjetën dëshmi që Serbia ka ndarë një shumë të tillë për këtë qëllim.

Deklarata e atribuuar gjeneralit Craddock: Është publikuar një deklaratë që i atribuohet gjeneralit amerikan Bantz J. Craddock, lidhur me Kosovën dhe UÇK-në. Megjithatë, nuk janë gjetur burime të besueshme që dëshmojnë se Craddock e ka bërë këtë deklaratë, ndaj përmbajtja është vlerësuar si e rreme.

Michael Goodwin dhe JD Vance: Është publikuar pretendimi se gazetari i New York Post, Michael Goodwin, ka thënë se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është interesuar për protestat në Kosovë dhe procesin në Hagë. Megjithatë, një deklaratë e tillë nuk është gjetur në shkrimet apo publikimet e Goodwin, ndërsa as burime të tjera të besueshme nuk e kanë konfirmuar këtë pretendim.

Deklarata e atribuuar Stjepan Mesiqit: Në rrjete sociale është publikuar një deklaratë që i atribuohet ish-presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiq, lidhur me UÇK-në dhe Hashim Thaçin. Megjithatë, nuk janë gjetur dëshmi se Mesiq e ka bërë këtë deklaratë, duke bërë që përmbajtja të vlerësohet si e rreme.

Çmimi i naftës në Shkup: Është publikuar një imazh ku pretendohet se një litër naftë në një pikë karburanti në Shkup kushton 1.16 euro. Të dhënat e disponueshme për çmimet e karburanteve nuk e mbështesin këtë pretendim, ndërsa imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

“Vdekja” e Sali Berishës: Në rrjete sociale është publikuar pretendimi se ish-presidenti dhe ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha ka vdekur. Pretendimi është i rremë dhe është shoqëruar me një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ndërsa nuk ka pasur konfirmim nga burime të besueshme.

Deklarata e atribuuar John Stewart Duncan: Është publikuar një deklaratë që i atribuohet ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan, lidhur me Hashim Thaçin, NATO-n dhe ndërhyrjen në Kosovë. Megjithatë, nuk janë gjetur burime të besueshme që dëshmojnë se Duncan e ka bërë këtë deklaratë, ndaj përmbajtja është vlerësuar si e rreme.


Clickbait

Kandidati për President: Janë publikuar përmbajtje me titullin “Kryeministri Kurti zbulon emrin e kandidatit për President”, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një emër të ri. Megjithatë, në artikull bëhet fjalë për Bekim Sejdiun, i cili ishte tërhequr nga kandidatura më 14 shtator. Kurti kishte deklaruar se LVV-ja ende e konsideronte Sejdiun kandidat në bazë të marrëveshjes me LDK-në, ndërsa kishte theksuar se nuk kishte emër të ri për President.

Shtesat për fëmijët: Disa faqe në Facebook kanë publikuar përmbajtje me titullin “LAJM I MADH PËR PRINDËRIT! Rriten shtesat për fëmijët”, duke paraqitur rritjen si masë të realizuar. Megjithatë, në artikujt përkatës sqarohet se bëhet fjalë për një zotim të Albin Kurtit për mandatin e ardhshëm. Aktualisht, shtesat janë 30 deri në 45 euro, ndërsa rritja në 60 deri në 90 euro është pjesë e këtij premtimi.

Marrëveshja LVV-PDK: Është publikuar një përmbajtje me mbishkrimin “ARRIHET MARRËVESHJA VETËVENDOSJE-PDK”, pa specifikuar se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë. Kjo mund të krijojë përshtypjen se dy partitë kanë arritur një marrëveshje të përgjithshme politike. Në fakt, dakordimi lidhej me një deklaratë të përbashkët për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa për çështjen e Presidentit kishte vetëm gatishmëri për diskutim dhe nuk ishte arritur marrëveshje për ndonjë emër.


Mashtrim

Ish-zyrtari i CIA-s dhe Albin Kurti: Është publikuar një video ku pretendohet se një ish-zyrtar i CIA-s ka folur për Albin Kurtin dhe se ai është trajnuar për të zbatuar një agjendë amerikane në Ballkan. Megjithatë, verifikimi tregoi se audioja e videos është e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ndërsa pretendimi i atribuar ish-zyrtarit të CIA-s nuk është i vërtetë.


Manipulim i fakteve

Videoja e vitit 2024 paraqitet si takim në SHBA: Është publikuar një video ku shihen Albin Kurti, Edi Rama dhe Arben Taravari, e cila është paraqitur sikur pamjet janë realizuar gjatë një takimi në SHBA. Megjithatë, videoja është nga një takim i zhvilluar në Shkup në janar të vitit 2024, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu, përmbajtja manipulon faktet duke përdorur pamje reale të një ngjarjeje të mëparshme dhe duke i paraqitur ato në një kontekst tjetër.


Përmbajtje e paverifikuar

Imazhi i Kurtit pranë figurës së Trumpit: Është shpërndarë në rrjete sociale një imazh ku pretendohet se Albin Kurti është fotografuar pranë një figure që duket si maketë e Donald Trumpit. Megjithatë, imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe fillimisht ishte publikuar si meme, me shënime që tregonin se ishte krijuar me IA. Më pas, gjatë shpërndarjeve të tjera, ky kontekst është humbur dhe imazhi është paraqitur si fotografi reale. Për këtë arsye, përmbajtja është vlerësuar si “Përmbajtje e paverifikuar”.


Analiza dhe narrativa

Keqinformatat rreth aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së:

Një përmbledhje e rasteve të keqinformimit të lidhura me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë periudhës 15–30 shtator janë verifikuar 20 raste që përfshinin lajme të rreme, mashtrime, dezinformata, manipulim të fakteve dhe clickbait. Përmbajtjet përdorën deklarata të fabrikuara ose të atribuuara gabimisht zyrtarëve dhe figurave publike, materiale të vjetra të paraqitura si zhvillime të reja, si dhe imazhe, video dhe audio të manipuluara ose të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Analiza përfshiu gjithashtu narrativat e mediave serbe dhe ruse, si dhe mënyrën se si u paraqitën ngjarjet dhe protestat e lidhura me aktgjykimin.

Fotografitë e Trumpit me liderët botërorë

Janë publikuar disa fotografi të Donald Trumpit me liderë botërorë, përfshirë Albin Kurtin, Edi Ramën, Hristijan Mickoskin dhe Aleksandar Vuçiqin, në të cilat presidenti amerikan shfaqet pothuajse në të njëjtin pozicion dhe me të njëjtën pozë. Ngjashmëria e fotografive ka ngritur dyshime se ato mund të jenë krijuar ose manipuluar me inteligjencë artificiale. Megjithatë, analiza përmes HiveModeration nuk i identifikoi fotografitë si të gjeneruara me IA. Fotografitë janë realizuar gjatë një pritjeje të organizuar nga Trumpi në New York më 22 shtator, ndërsa Presidenca e Rumanisë ka sqaruar se fotografitë nga eventi janë realizuar nga fotografi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë dhe janë shpërndarë te përfaqësitë pjesëmarrëse. Po ashtu, fotografitë e tjera nga i njëjti event tregojnë se Trumpi ka pozuar edhe në mënyra të tjera, përfshirë gjatë shtrëngimit të duarve me liderë.

Narrativa serbe për “dëbim të serbëve” dhe “terror”

Pas arrestimit të nëntë serbëve në Zubin Potok, Sputnik Serbia dhe Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë e paraqitën aksionin e institucioneve të Kosovës si pjesë të një presioni sistematik ndaj serbëve, duke pretenduar se synimi ishte frikësimi dhe dëbimi i tyre. Në këto narrativa, aksioni u personalizua edhe te kryeministri Albin Kurti dhe u paraqit si vendim politik. Megjithatë, të dhënat e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale tregojnë se operacioni u zhvillua në kuadër të një hetimi për krime lufte, me urdhër të organeve kompetente të drejtësisë.

Narrativa për “spastrim etnik” të serbëve:

Rasti u përdor gjithashtu për të ripërsëritur narrativën se veprimet e institucioneve të Kosovës janë pjesë e një procesi të orkestruar për largimin e serbëve nga Kosova. Kjo narrativë e paraqet një operacion konkret policor si pjesë të një qëllimi më të gjerë politik, duke lënë jashtë kontekstin e hetimit penal dhe procedurave institucionale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere