info@hibrid.info
Shqipëria nuk mori vendin e dytë nga votat e publikut në Eurovision
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull i titulluar, “Publiku ia dha vendin e dytë Shqipërisë, por votat politike e vendosën në vendin e tetë”.

Kjo përmbajtje u publikua nga mediumi në gjuhën shqipe, “albaniannews.net”. Data e publikimit nuk është saktësuar, por në faqen në Facebook të këtij mediumi, postimi u publikua dje (18 maj).

Por, çka nuk shkon me pretendimin?

Artikulli ka të bëjë me pjesëmarrjen e Shqipërisë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”.  Shqipëria u përfaqësua nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” dhe përfundoi e teta në këtë garë, duke marrë 218 pikë, nga një kombinim i votave të jurive profesionale të vendeve pjesëmarrëse dhe publikut. Të dhënat tregojnë se vetëm me votat e publikut, Shqipëria nuk renditet e dyta, ashtu siç shkruhet në titull.


Ndryshe nga titulli, në përmbajtje qartësohet se pas votave të jurive, Shqipërisë iu shqiptuan votat nga publiku, të cilat për një moment e pozicionuan në atë në pozitën e dytë, ashtu siç tregohet edhe në fotografinë e këtij artikulli.

Përmbajtja e artikullit

“Pas 45 pikëve nga juritë dhe pozitën e 16-të, Shqipëria ka marrë plot 173 pikë nga votat e publikut dhe për pak çaste është ngjitur në pozitën e dytë.

Në total, në këtë edicion, Shqipëria ka marrë 218 pikë”.


Procesi i shpalljes së këngës fituese, parashihte që fillimisht të paraqitej vlerësimi i jurive të vendeve pjesëmarrëse, e më pas shtetet njoftoheshin për pikët totale nga votat e publikut, të cilat më pas mblidheshin së bashku me votat e jurive dhe jepnin rezultatin përfundimtar për secilën këngë në finale.

Pas votim të jurive, Shqipëria renditej e 16-ta me 45 pikë (shih këtu).

Më pas, prezantimi i votave nga publiku, filloi nga vendet që renditeshin më poshtë. Shqipëria ishte vendi i 11-të nga 26 sosh në këtë renditje. Kur po mbeteshin edhe 15 vende që pritej të njoftoheshin me rezultatin zyrtar të pikëve nga publiku, Shqipëria me 173 pikë shtesë, u pozicionua si e dyta në ato momente (shih këtu).

Me tu shpallur rezultatet, Shqipëria përfundimisht u rendit si e teta, me 218 pikë.

Hibrid.info ka gjetur se duke hequr votat e jurive, katër shtete kishin më shumë pikë se Shqipëria, çka e poziciononte atë si të pestën (shih këtu).


Renditja e vendeve në Eurovision nga votat e publikut

Gjë e cila provon, se përveç momentit të shqiptimit të pikëve nga publiku, Shqipëria nuk u rendit e dyta në votat përfundimtare.


Analiza

Titulli pretendon se nga votat e publikut, Shqipëria renditej si e dyta në festivalin evropian të këngës “Eurovision”.

Por, në përmbajtje sqarohet se Shqipëria mbajti këtë pozicion për një çast. Artikulli nuk e tregon renditjen e Shqipërisë nga votat e publikut.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others