Shtrenjtimi i biletave vs. digjitalizimi i shërbimeve
Komuna e Prishtinës nëpërmjet një njoftimi në media sociale, ka bërë të ditur se nga 1 korriku në kryeqytet hyn në fuqi çmimorja e re e biletave të transportit publik, e që paraqet ngritje të çmimeve.
Çka njoftoi Komuna e Prishtinës?
Ndonëse njoftimit i është bashkëngjitur një imazh me çmimet e reja, në mbishkrimin e postimit, Komuna ka përmendur vetëm termin e “çmimeve të reja” pa treguar që bëhet fjalë për ngritje të tyre. Fokusi i njoftimit është vendosur te “digjitalizimi i transportit publik”. Komuna ka njoftuar se biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS do të jenë më të lira se biletat fizike.
“Digjitalizimi i transportit publik vazhdon të zgjerohet. Nga 1 korriku 2026 hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik. Biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike. Ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale”, u tha në njoftim që pati të bashkëngjitur edhe çmimoren e re.

Çka nënkuptojnë “çmimet e reja”?
Çmimorja e re paraqet shtrenjtim të biletave, bazuar në një tabelë të uebfaqes së “Trafikut Urban”.
Para këtij vendimi, një biletë njëdrejtimëshe kushtonte 50 centë si në formë fizike ashtu edhe në atë digjitale. Tash në formë digjitale është shtrenjtuar për 10 centë dhe në formë fizike për 30 centë.
Bileta ditore nga 80 centë sa ishte deri më 30 qershor, prej 1 korrikut do të kushtojë 1 euro në formë digjitale dhe 1.2 euro në formë fizike.
Bileta javore nga 4 euro sa ka qenë është bërë 5 euro nëse blihet në formë digjitale dhe 6 euro në formë fizike.
Ndërkaq, bileta mujore prej 13.5 euro është bërë 14.5 euro në formë digjitale dhe 18 euro në formë fizike.

Si raportuan mediat?
Monitorimi nga Hibrid.info ka gjetur se mediat në shumicën e rasteve kanë theksuar se është bërë shtrenjtim i biletave. Gjithsesi, ka pasur artikuj që nuk e kanë përmendur fjalën shtrenjtim fare, por kanë vënë theksin te digjitalizimi.
Në këta artikuj, titujt dominues kanë qenë për “çmime të reja” të transportit publik në kryeqytet. Pos titujve, as në përmbajtje nuk është treguar se bëhet fjalë për çmime më të larta, apo nuk është bërë fare krahasimi me çmimoren e vjetër. Por, ato kanë theksuar se biletat digjitale do të jenë më lirë se ato fizike (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)
“Cherry-picking”
Përderisa njoftimi përfshin çmimet e reja, mënyra e prezantimit të tyre rikthen në vëmendje fenomenin e njohur si “Cherry-picking”. Kjo është metodë argumentimi e bazuar në përdorim selektiv të informacionit, ku merren parasysh vetëm të dhëna që mbështesin përfundimin e dëshiruar, ndërsa informacionet që e kundërshtojnë ose e plotësojnë atë, injorohen.
Sipas një artikulli të Global Fact-Checking, prezantimi selektiv i fakteve është një manipulim që funksionon përmes lënies në hije të kontekstit. Kjo teknikë lejon që të “vërtetohet” çdo gjë pa pasur nevojë për të shpikur gënjeshtra.
“Cherry-picking” përdoret si strategji për të krijuar iluzionin e suksesit edhe në kohë krize.
Në këtë rast, Komuna ka zgjedhur vetëm anën e digjitalizimit duke fshehur fjalët që tregojnë se po bëhet shtrenjtim i biletave.
Prezantimi selektiv i fakteve, sipas artikullit të Global Fact-Checking, është i rrezikshëm. Sipas artikullit, rreziku i madh nuk qëndron te gënjeshtra, por te shtrembërimi i kontekstit përmes lënies në hije të të dhënave të tjera. Kjo praktikë thuhet se dëmton mendimin kritik duke e bërë të pamundur nxjerrjen e përfundimeve të bazuara, forcon anshmërinë e konfirmimit duke na nxitur të besojmë vetëm fragmentet që përputhen me bindjet tona dhe zëvendëson analizën racionale me emocione sa herë që diçka thjesht “tingëllon mirë”.
Për më tepër, ky manipulim krijon polarizim shoqëror dhe rrit cenueshmërinë tonë ndaj atyre që kontrollojnë rrjedhën e informacionit, ndërsa në sferën shkencore minon tërësisht besueshmërinë e kërkimit duke fshehur dështimet, limitet apo rezultatet që bien ndesh me hipotezën e studiuesit.