Në Facebook, në llogarinë e Hekuran Muratit, ministrit në detyrë të Financave, është publikuar një postim ku është paraqitur rritja ekonomike (5.43%) për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2026. Postimi e krahason këtë shifër me një “mesatare të rajonit” prej 2.86%, pa specifikuar asnjë burim të vetëm se nga ku është nxjerrë kjo mesatare dhe cilat shtete janë përfshirë në llogaritje.

Megjithëse shifra për Kosovën në këtë postim është zyrtarisht e saktë, mënyra e prezantimit të tyre na ekspozon ndaj një fenomeni të njohur si “Cherry-picking” (shih këtu).
Çka është “Cherry-picking”?
Për të kuptuar këtë fenomen, do t’i referohemi një artikulli të Global Fact-Checking. “Cherry-picking” (fjalë për fjalë nga anglishtja “vjelja e qershive”) është një metodë argumentimi e bazuar në përdorimin selektiv të informacionit, ku merren parasysh vetëm ato të dhëna që mbështesin përfundimin e dëshiruar, ndërsa informacionet që e kundërshtojnë ose e plotësojnë atë, injorohen.
Shembulli ilustrues që përdoret në artikull është një fermer që vjel qershitë. Siç thuhet aty, ai merr vetëm ato më të pjekurat dhe më të lëngshmet, ndërsa të tjerat i lë në pemë. Tutje, thuhet se kur shikoni shportën e tij të mbushur, mund të mendoni se i gjithë prodhimi është i asaj cilësie të lartë. Por në realitet, ajo shportë përfaqëson vetëm një fragment të korrjes totale.
Sipas artikullit të Global Fact-Checking, prezantimi selektiv i fakteve është një manipulim që funksionon përmes lënies në hije të kontekstit. Kjo teknikë lejon që të “vërtetohet” çdo gjë pa pasur nevojë për të shpikur gënjeshtra.
Ku mund të zbatohet “Cherry-picking”?
Sipas artikullit të lartpërmendur, “Cherry-picking” në politikë përdoret si strategji për të krijuar iluzionin e suksesit edhe në kohë krize. Politikanët përzgjedhin vetëm shifrat pozitive (p.sh. rritjen e pagës), duke fshehur të dhënat negative që i shoqërojnë ato (si inflacioni apo rritja e papunësisë), ose duke e krahasuar vendin vetëm me shtete që janë edhe më keq.
Në media thuhet se e shohim në titujt bombastikë për të tërhequr vëmendjen. Media shkëput një gjetje sipërfaqësore nga studimet (p.sh. “kafeja zgjat jetën”), duke lënë në hije kushtet e plota, kufizimet apo rreziqet që përmban teksti i plotë i hulumtimit.
Tutje, artikulli tregon se në biznes dhe marketing manipulohet me përqindjet e kënaqësisë pa treguar kontekstin. Reklamat nxjerrin shifra të larta (p.sh. “90% e klientëve janë të kënaqur”), por fshehin mostrën e vogël (mund të jenë vetëm 9 nga 10 persona) ose kohën e shkurtër se kur është marrë ai vlerësim.
Pse është i rrezikshëm prezantimi selektiv i fakteve?
Prezantimi selektiv i fakteve, sipas artikullit të Global Fact-Checking, është i rrezikshëm. Sipas artikullit, rreziku i madh nuk qëndron te gënjeshtra, por te shtrembërimi i kontekstit përmes lënies në hije të të dhënave të tjera. Kjo praktikë thuhet se dëmton mendimin kritik duke e bërë të pamundur nxjerrjen e përfundimeve të bazuara, forcon anshmërinë e konfirmimit duke na nxitur të besojmë vetëm fragmentet që përputhen me bindjet tona dhe zëvendëson analizën racionale me emocione sa herë që diçka thjesht “tingëllon mirë”.
Për më tepër, ky manipulim krijon polarizim shoqëror dhe rrit cënumeshmërinë tonë ndaj atyre që kontrollojnë rrjedhën e informacionit, ndërsa në sferën shkencore minon tërësisht besueshmërinë e kërkimit duke fshehur dështimet, limitet apo rezultatet që bien ndesh me hipotezën e studiuesit.
Pse funksionon “Cherry-picking”?
Artikulli gjithashtu thekson se ky manipulim është tejet efikas pasi shfrytëzon dobësitë tona kognitive. Së pari, përtacinë tonë mendore që na shtyn të pranojmë “qershinë” e parë emocionale si të vërtetë për të shmangur përpjekjet për verifikim. Së dyti, anshmërinë e konfirmimit, që na bën të besojmë vetëm ato informacione që mbështesin bindjet apo frikërat tona paraprake. Dhe së treti, efektin e aksesueshmërisë, ku ngjarjet dramatike ndikojnë te ne shumë më fuqishëm sesa statistikat komplekse.
Në postimin e ministrit Murati janë paraqitur shifra të zgjedhura në mënyrë selektive, pa kontekst të plotë ekonomik, janë përdorur mesatare ose krahasime rajonale pa shpjeguar metodologjinë dhe është bërë lidhje e drejtpërdrejtë midis treguesve ekonomikë dhe faktorëve politikë pa bazë analitike, duke injoruar faktorët që ndikojnë në performancën ekonomike.
Si të mbrohemi?
Global Fact-Checking propozon pesë hapa për t’u mbrojtur nga kjo formë manipulimi
- Analizoni motivet: Pyetni veten çka po mungon? Cilat fakte mund ta refuzonin këtë? Kush po e thotë këtë shifër dhe pse?
- Kërkoni pamjen e plotë: Mos i besoni verbërisht një burimi dhe kontrolloni raportet e plota (si ato të Agjencisë së Statistikave të Kosovës) për të parë trendin historik.
- Kontrolloni kontekstin e statistikave: Gjithmonë pyetni nga sa llogaritet kjo përqindje? Për çfarë periudhe? Cilët faktorë të tjerë (jashtë politikës) kanë ndikuar?
- Pranoni anshmërinë tuaj: Jemi të gjithë të prirur për anshmëri konfirmimi, andaj pyetni veten a po i besoj këtij grafiku vetëm sepse përputhet me bindjet ose shpresat e mia politike?
- Dalloni faktin nga interpretimi: Shifra 5.43% është fakt, por pretendimi se ajo erdhi ekskluzivisht si pasojë e një vote, apo paralajmërimi për dështime të ardhshme nga opozita, është thjesht një interpretim manipulues.