Shkroi: Fatbardh Dema
Në epokën e lajmeve të rreme dhe manipulimeve vizuale, verifikimi i imazheve është bërë thelbësor për të siguruar informacione të sakta.
Një nga mjetet më të fuqishme për këtë qëllim është InVID, një platformë e zhvilluar për të ndihmuar gazetarët dhe përdoruesit e internetit të analizojnë dhe të verifikojnë materialet vizuale, qoftë fotografi apo video.
Në këtë artikull, do të shpjegojmë se si mund të përdorni InVID për të verifikuar një fotografi.
Çka është InVID?
InVID është një mjet digjital i zhvilluar për të ndihmuar verifikimin e materialeve vizuale të shpërndara në internet. Ky mjet ofron funksione të ndryshme për analizën e videove dhe imazheve, duke përfshirë kërkimin e burimit origjinal të një fotografie, ndarjen e videove në korniza (frame) të veçanta.

Si të verifikojmë një fotografi përmes InVID
Për të filluar, duhet të qaseni në platformën e InVID duke shkarkuar atë në Google Chrome ose Mozilla Firefox si extension.
Pasi të keni qasje në InVID, mund të ngarkoni fotografinë që dëshironi të verifikoni. Ky mjeti do të analizojë imazhin dhe do të ofrojë opsione për kërkime të avancuara.
InVID lidhet automatikisht me motorë të ndryshëm kërkimi si Google, TinEye dhe Bing për të kryer kërkime të kundërta të imazheve. Kjo ndihmon në gjetjen e burimit origjinal të një fotografie ose të varianteve të saj të modifikuara.

Duke klikuar me tastin e djathtë të miut (mouse) mbi një fotografi, shfaqet një tabelë ku ndodhet opsioni Fake News Debunker – InVID WeVerify. Më pas, duke zgjedhur Image Reverse Search – ALL, hapet një listë me motorë kërkimi si Google Chrome, TinEye, Bing, etj. Këta shfletues ndihmojnë në gjetjen e burimit origjinal të fotografisë dhe verifikimin e saj.

InVID ofron mjete për të analizuar ndryshimet në një imazh, duke ndihmuar në identifikimin e manipulimeve të mundshme përmes analizës së pikselëve dhe filtrave të ndryshëm.
Pasi të keni analizuar fotografinë përmes këtyre metodave, është e rëndësishme ta krahasoni atë me informacione nga burime të besueshme për të siguruar saktësinë e saj.
Si të verifikojmë një video përmes InVID
InVID ofron mundësinë për të analizuar videot e shkarkuara ose të ngarkuara përmes një lidhjeje nga platformat sociale si YouTube, Facebook dhe Twitter.
Një nga funksionet më të mira të InVID është ndarja e videos në korniza të veçanta (frame). Kjo mundëson që çdo kuadër i rëndësishëm të analizohet veçmas dhe të bëhet një kërkim i kundërt i imazhit.
Pasi videoja të ndahet në korniza, mund të përdorni funksionin e kërkimit të kundërt të imazheve për të parë nëse një nga këto kuadro është përdorur më parë diku tjetër në internet. (Veproni njëjtë si në rastin e fotografisë).
InVID analizon të dhënat (metadata) e videos për të zbuluar informacion mbi burimin e saj, datën e krijimit si dhe vendndodhjen.
Verifikimi i imazheve dhe videove përmes InVID është një proces i domosdoshëm në luftën ndaj dezinformimit dhe për të siguruar që informacionet që shpërndajmë apo shohim në internet janë të sakta. InVID ndihmon që çdokush mund të analizojë burimin dhe autenticitetin e materialeve vizuale, duke kontribuar në krijimin e një hapësire më të besueshme në internet.