[email protected]
Si e luftojnë dezinformimin platformat e mediave sociale, nga Facebook në Spotify
shape
shape
shape

Përveç masave individuale që duhet të merren nga përdoruesit kundër problemit të dezinformimit, hapa të tillë marrin edhe platformat e mediave sociale. Pra, çfarë bëjnë këto platforma për të luftuar dezinformimin, të cilat zënë vend në qendër të jetës sonë të përditshme?

Është e qartë se platformat dhe algoritmet e mediave sociale përdoren si mjet për përhapjen e dezinformatave. Si përdorues të këtyre platformave, është e rëndësishme që të rezistojmë ndaj keqinformimit përmes praktikave të tilla si edukimi kritik digjital dhe të përmirësojmë aftësitë tona individuale.

Sipas Raportit të Lajmeve Digjitale të Institutit Reuters 2022, shkalla e atyre që thonë se përdorin mediat sociale si burim lajmi është 63 përqind. Me fjalë të tjera, ne përdorim mediat sociale jo vetëm për t’u argëtuar ose për të kaluar kohë, por edhe për të ndjekur zhvillimet e ditës. Për këtë arsye, përveç hapave që ndërmarrim individualisht për të parandaluar dezinformimin, platformat e mediave sociale që shumica prej nesh i përdorim pothuajse çdo ditë duhet të merren me këtë. Pra, çfarë po bëjnë aktualisht platformat e mediave sociale për këtë?

Facebook ishte një nga platformat e para që ndërmori hapa për të luftuar dezinformimin

Facebook, me emrin e ri Meta, ishte një nga platformat e para të mediave sociale që hodhi një hap drejt çështjes së dezinformimit. Facebook, i cili filloi luftën kundër dezinformatave në vitin 2016 duke hequr dorë nga titujt clickbate, filloi bashkëpunimin me organet e verifikimit të fakteve, pjesë të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve (IFCN) në të njëjtin vit. Si pjesë e këtij bashkëpunimi, Facebook saktësinë apo falsitetin e informacionit ia besoi verifikuesve të pavarur.

Procesi midis Facebook dhe organeve të verifikimit funksionon kështu: Përdoruesit raportojnë në platformë postimet që i konsiderojnë të dyshimta në Facebook. Pasi këto postime bien në grupin e informacioneve të dyshimta të platformës, ato shqyrtohen nga organet e verifikimit dhe një analizë se pse informacioni është i rremë publikohet në faqen e internetit të organit përkatës verifikues, së bashku me faktet e tyre. Nëse postimi në Facebook vlerësohet se përmban informacion të rremë, shfaqet një paralajmërim se përmbajtja është e rreme, me një link (lidhje) në faqen e internetit të organit verifikues. Përveç kësaj, organet e verifikimit mund të fusin në këtë sistem edhe përmbajtjen që kanë shqyrtuar dhe finalizuar sipas kritereve apo metodologjisë së tyre. Facebook po redukton ekspozimin e përdoruesve dhe faqeve që përhapin vazhdimisht informacione të rreme në rrjedhën e lajmeve. Megjithatë, organet verifikuese nuk ndërhyjnë drejtpërdrejt në reduktimin e qasjes në lajm.

Nëse ekziston mundësia e lëndimit fizik të dikujt për shkak të përmbajtjes në këto postime, nëse përmbajtja përmban informacion të rremë që mund të shkaktojë pasoja negative për shëndetin, ose nëse ka informacion që do të ndikojë negativisht në rezultatetin e zgjedhjeve, postimet do të hiqen nga Facebook.

https://about.fb.com/news/2021/05/taking-action-against-people-who-repeatedly-share-misinformation/https://about.fb.com/news/2021/05/taking-action-against-people-who-repeatedly-share-misinformation/

Ky program verifikimi i zbatuar nga Facebook u shtri në Instagram, i cili është pjesë e Metës, që nga viti 2019. Në mënyrë të ngjashme, postimet që vlerësohen se përmbajnë informacion të rremë hiqen nga faqja dhe rrjedha e informacionit. Nëse postimet që janë shënuar si të gabuara në sistemin e Facebook shpërndahen edhe në Instagram, edhe këto postime trajtohen në të njëjtën mënyrë.

TikTok-u dhe moderimi i përmbajtjes

Roli i TikTok në marrjen e lajmeve nuk duhet nënvlerësuar: Sipas Raportit të Lajmeve Dixhitale të Institutit Reuters 2022, 15 përqind e të rinjve që përdorin TikTok, e përdorin platformën për të ndjekur lajmet. Sipas studimit të Pew Research Center, i cili shqyrton zakonet e mediave sociale, përqindja e amerikanëve që thonë se përdorin TikTok për të marrë lajme është rritur nga 22 përqind në 2020 në 33 përqind në 2022. Kjo në mënyrë të pashmangshme sjell me vete një problem dezinformimi. Sepse çrregullimi i informacionit në internet nuk është specifik për një platformë të vetme; Referimi i një platforme me informacione të pakonfirmuara dhe të pashqyrtuara nga redaksia si burim informacioni është një nga faktorët që shkakton përhapjen e gjerë të dezinformatave.

TikTok-u, të cilin mund ta konsiderojmë si më të riun nga platformat kryesore të mediave sociale dhe ueb faqja më e vizituar i vitit 2021 sipas statistikave të Cloudfare, funksionon në mënyrë të ngjashme me organet e verifikimit, por ndjek një rrugë më ndryshe nga Meta në luftimin e dezinformatave.

TikTok dërgon përmbajtje të shënuara si të dyshimta tek organet e pavarura të verifikimit me të cilat bashkëpunon. Nëse këto organe, pas hetimeve të tyre, vendosin që videoja e paraqitur përmban informacion të rremë, TikTok e heq videon nga platforma dhe i dërgon një njoftim përdoruesit.

Twitter: Një qasje e drejtuar nga komuniteti

Twitter filloi luftën kundër dezinformatave në vitin 2020: Platforma, e cila vendosi paralajmërime për përmbajtje mashtruese në lidhje me Covid-19 dhe zgjedhjet, në të njëjtin vit filloi të heqë teoritë e konspiracionit rreth vaksinave dhe të vendosë etiketa paralajmëruese në llogaritë e kontrolluara nga shtetet.

Me projektin Birdwatch, i cili u shpall në vitin 2021 dhe aktualisht është aktiv vetëm në SHBA, platforma synon të sjellë një zgjidhje të orientuar drejt komunitetit për problemin e dezinformimit. Për këtë program vullnetar mund të aplikojnë personat që kanë një numër telefoni në SHBA, nuk kanë shkelur rregullat e Twitter së fundmi dhe kanë përdorur Twitter për të paktën gjashtë muaj.

https://www.nbcnews.com/tech/social-media/twitter-launches-birdwatch-forum-combat-misinformation-n1255552

Twitter njoftoi gjithashtu se do të bashkëpunojë me anëtarët e IFCN-së (Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrollit të Fakteve) Associated Press dhe Reuters për të kuptuar ndikimin e projektit dhe njoftoi se do të marrë mbështetje verifikuese nga këto institucione.

YouTube është në agjendën e verifikuesve për hapa të pamjaftueshëm

YouTube, i cili prej kohësh është bërë një pjesë e rëndësishme e përdorimit të përditshëm të internetit nga shumë përdorues të internetit, është kritikuar prej kohësh nga kontrolluesit e fakteve në mbarë botën për politikat e saj të dezinformimit. Në fakt, në fillim të vitit 2022, organet e verifikimit anëtarë të IFCN-së, i shkruan një letër të hapur YouTube-it, ku thuhej se platforma duhet të ndërmarrë hapa më konkretë në lidhje me politikën e saj kundër informacionit të rremë.

Është e qartë se YouTube përdoret si një kanal dezinformimi. Për më tepër, për shkak të videove të gjata, që është formati kryesor i përmbajtjes së platformës, rezulton të jetë një detyrë më e vështirë dhe më e gjatë për verifikuesit që të zbulojnë informacion të rremë këtu në krahasim me platformat e tjera. YouTube aktualisht as nuk punon me organe verifikimi të palëve të treta dhe as nuk ka një program të fokusuar në komunitet si Twitter. Edhe pse platforma thotë se videot me informacion të rremë hiqen, kjo politikë nuk është mjaft transparente; Prodhuesit e videove përmbajtja e të cilëve është hequr nuk janë të informuar se pse videot e tyre përmbajnë informacion të rremë.

Spotify mbi vijën e hollë mes lirisë së fjalës dhe dezinformimit

Edhe pse Spotify, i cili ka një bibliotekë të madhe të podcast-ëve dhe muzikës, nuk është një nga platformat e para që të vjen në mendje kur merren parasysh kanalet ku mund të përhapet dezinformata, por u bë temë  e diskutueshme pas një marrëveshje me Joe Rogan, i cili njihet për përhapjen e diskursit kundër vaksinës në fillim të vitit 2022.

Sipas rregullave të platformës së Spotify, dezinformatat e lidhura me shëndetin, montimet ose përmbajtjet manipuluese që mund të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve nuk lejohen. Megjithatë, për çështje të tilla si politika, arsimi dhe ekonomia që prekin thellësisht jetën tonë, nuk mund të arrihet një politikë transparente në lidhje me këto rregulla. Shtrirja e këtyre rregullave të platformës nuk është mjaft e qartë. Spotify, si shumë platforma, refuzon të ofrojë zgjidhje për të luftuar dezinformimin, duke përmendur lirinë e shprehjes.

Telegrami nuk ka një politikë ndaj dezinformimit

Telegrami mund të shihet si një platformë e mediave sociale, e cila lejon krijimin e grupeve të mëdha me pjesëmarrje deri në 200 mijë persona dhe arritjen e një numri të pakufizuar njerëzish duke krijuar kanale.

Ne e dimë se në fillim të luftës Ukrainë-Rusi, kanalet Telegram u përdorën për të përhapur informacione të rreme. Për shkak të natyrës së platformës, është e vështirë për Telegramin ashtu siç është për verifikuesit të zbulojnë informacione të rreme. Ndërsa veçori të tilla si kriptimi nga fundi në fund janë hapa thelbësorë për privatësinë, ato zvogëlojnë mundësinë e përgjimit të informacionit të rremë.

Megjithëse Telegram ka zbatuar masa dezinformuese për zgjedhjet braziliane në fillim të vitit 2022, ende nuk ka një politikë për dezinformimin në mbarë botën.

Hapat e platformave për të përmirësuar ekosistemin e informacionit janë të vlefshëm.

Marrëdhënia jonë me internetin është kaq shumëdimensionale saqë ne nuk mund t’i shohim kompanitë e mediave sociale thjesht si “ofrues shërbimesh”. Ndërsa përdorimi i internetit është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme, fakti që disa platforma injorojnë të metat në lihje me dezinformimin dhe ndonjëherë refuzojnë të ndërmarrin hapat e nevojshëm me arsyetimin e “lirisë së shprehjes” dëmton marrëdhënien tonë me këto platforma. Pikërisht për këtë arsye, hapat e ndërmarra nga platformat për ta bërë ekosistemin e informacionit një vend më të shëndetshëm, si puna me verifikues të pavarur, janë të një rëndësie të madhe.

Megjithatë, këto hapa nuk janë perfekte. Për shembull, u kuptua se Twitter pranoi në programin Birdwatch një përdorues që u zbulua se ishte mbështetës i teorisë së konspiracionit QAnon. Ose Meta është kritikuar se nuk ka dhënë të dhëna të mjaftueshme se sa efektiv është programi i verifikimit të palëve të treta në gjuhë të tjera përveç anglishtes. YouTube, nga ana tjetër, është në agjendën e kontrolluesve të fakteve me deklaratat kontradiktore dhe mungesën e një politike transparente të dezinformimit. Ose, TikTok nuk ndan se cila përmbajtje është hequr ose jo, me platformat e verifikimit me të cilat bashkëpunon. Edhe pse platformat kanë bërë hapa pozitivë, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Sepse të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë një ekosistem të shëndetshëm informacioni.

Burimi: teyit.org

Share With Others