Shkroi: Festim Rizanaj
Është publikuar një imazh ku shihet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me mbishkrimin “Gjatë mbledhjes se keshillit të LDK-së Lumir Abdixhiku pretendon postin e PRESIDENTIT te Kosovës”.
Po ashtu, në brendësi të fotos është shkruar: “Lumir Abdixhiku Pretendon postin e PRESIDENTIT te Kosovës !”.
Kjo përmbajtje vizuale është publikuar të martën (20 janar) në Facebook, nga një llogari me emrin “Ndryshimi Filloi”.
Përmbajtja deri në momentin e trajtimit ka marrë gati 600 pëlqime dhe mbi 700 komente.

Cila është e vërteta?
Hibrid.info nuk ka gjetur se ka një propozim zyrtar të konfirmuar, se Lumir Abdixhiku ka pretenduar postin e Presidentit gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, e cila u mbajt më 19 janar. Gjatë mbledhjes thuhet se është diskutuar çështja e kryetarit të partisë.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se pas një mbledhjeje gati katërorëshe të Kryesisë, me diskutim të hapur dhe demokratik, u vendos që Kuvendi i partisë të thirret më 31 janar. Ai bëri të ditur se me kërkesë të vetë kryetarit Abdixhiku, në këtë Kuvend do të kërkohet votëbesimi, duke sqaruar se kreu i partisë do të ofrojë dorëheqjen dhe vendimi përfundimtar do t’i lihet Kuvendit, ku 355 delegatë do të vendosin.
Ndërkohë, edhe vetë Abdixhiku shkroi në Facebook se vendimi për thirrjen e Kuvendit erdhi “pas diskutimit të hapur dhe të përgjegjshëm” dhe se Kuvendi është organi ku merren vendimet më të rëndësishme.
Në asnjërin prej deklarimeve, as të Mustafës e as të Abdixhikut, nuk është përmendur çështja e postit të Presidentit.
Madje, hibrid.info ka kërkuar edhe në Google me fjalët kyçe “lumir abdixhiku president”. Rezultatet nuk japin ndonjë rezultat kredibil për këtë pretendim, përpos një deklarim të analistit Sali Rexhaj në emisionin “Kosova Live” në T7, bërë më 14 janar të këtij viti, ku ai thotë se për postin e Presidentit “nuk është Bekim Jashari në lojë. Është Abdixhiku vetë” (këtu).
Ndërkaq, në komentet e postimit të bërë nga faqja “Ndryshimi Filloi”, lexuesit duket se e kanë perceptuar pretendimin si të vërtetë.
Aktualisht pozitën e presidentes e mban Vjosa Osmani, e cila nisi detyrën më 4 prill 2021, kur edhe u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës. Mandati i presidentit është pesë vjet, që do të thotë se Osmani është afër përfundimit të mandatit (shih këtu).
Zgjedhja e presidentit bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Kandidati për president duhet të sigurojë nënshkrimet e të paktën tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Kosovës (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se Lumir Abdixhiku gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së ka pretenduar postin e presidentit, nuk mbështetet nga asnjë burim zyrtar apo kredibil.
Faktet nga mbledhja tregojnë se vendimi i vetëm ishte thirrja e Kuvendit më 31 janar, ku kryetari Lumir Abdixhiku do të kërkojë votëbesimin e delegatëve të partisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.